Naiviteti demokratik

Opinione

Naiviteti demokratik

Nga: Isa Zymberi Më: 25 gusht 2022 Në ora: 19:40
Isa Zymberi

Aktiviteti i shtuar i Brukselit e Uashingtonit, si dhe frekuentimi i shpeshtë i diplomatëve, sa në Prishtinë sa në Beograd, po na e përkujton rreshtimin e diplomatëve dhe liderëve perndimorë në pritje për ta takuar Putinin në përpjekje për të evituar një konflikt i cili ishte i paevitueshëm. Rusia, pas aventurave të ngjashme në të kaluarën e afërt, qoftë në vende të tjera të ish Bashkimit Sovjetik apo dhe në vetë shtetin e Ukrainës duke ia shkëputur Krimenë më 2014, tani kishte vendosur ta pushtonte Ukrainën për ta 'denazifikuar' e, sidomos, për të 'çliruar' pakicën ruse në Ukrainë që po përjetonte 'gjenocid' nga shumica ukrainase.

Simetria me sjelljet e Serbisë ndaj Kosovës është më se e qartë.

Brengat e Serbisë për pakicën serbe në veri të Kosovës është e njëjtë me brengat e Putinit për pakicën ruse në Ukrainë. Madje dhe gënjeshtrat ordinere lidhur me këto brenga i kanë plotësisht të njëjta.

Popujt e shtypur nuk zgjedhin lehtë të bëhen shtypës.

Në këtë kontekst, udhëheqjet kosovare vazhdimisht duhet të vënë në dukje faktin se nuk kanë as më të voglin interesim të marrin masa shtypëse ndaj serbëve apo pjesëtarëve të minoriteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.

Kosova nuk forcohet si shtet me masa shtypëse, por as ndërkombëtarët nuk e stabilizojnë Kosovën duke ua pamundësuar autoriteteve kosovare ushtrimin e sovranitetit në gjithë territorin e sajvetëm pse këtë e kundërshton Serbia.

Shqiptarët e Kosovës, për më se një shekull, kanë përjetuar shtypje të tmerrshme, madje dhe gjenocidale, nga të gjitha regjimet serbe. Shqiptarët e Kosovës hakmarrjen e kanë të pamundshme dhe as që duhet ta planifikojnë ndonjëherë.

Kosova ka kaluar shumë peripeci për të arritur deri te pavarësimi. Problemet e saj që nga pavarësimi rrjedhin nga naiviteti i udhëheqjeve të saj vendore si dhe nga naiviteti, mbase dhe i qëllimshëm, i botës demokratike perëndimore. Problemet e vendorëve, fatkeqësisht, mbajnë erë të luftës për pushtet, e jo për shtet.

Kjo tendencë nuk u ka penguar ndërkombëtarëve demokratikë, të cilët e kanë toleruar atë në emër të 'stabilokracisë'. Në anën tjetër, të gjitha problemet që i ka parashtruar Serbia, në linjën e 'brengosjes së saj për fatin e pakicës së shtypur serbe në Kosovë', janë shoqëruar me kërkesa të pafundme që Kosova të bëjë lëshime e kompromise.

Lëshimet dhe kompromiset nuk do ta kënaqin asnjëherë Serbinë. Serbia ka një program tjetër që rrënjët i ka në Moskë. Rreshtimi i Serbisë me Rusinë është evident dhe këtë nuk e përmirëson as presioni ndaj Kosovës me kërkesa për lëshime absurde, as kurrfarë premtimi me integrim në BE. Edhe nëse Serbisëi ofrohet anëtarësimi me të drejta të plota në BE, ajo  jo vetëm se do ta vazhdojë animin e saj nga Rusia,por ka mundësi se do të gjente mënyrënpër ta zvarritur procesin, sepse ajo thjesht është e interesuar të thithë nga të dyja anët, nga Perëndimi, në njërën anë, si dhe nga Rusia e Kina, në tjetrën. Këtë funksion e ka dhe 'Open Balkan' ku janë ngjitur Shqipëria e Maqedonia e Veriut, të cilat shpresojnë të përfitojnë tërthorazi. Procesi i Berlinit refuzohet sepse aty nuk mund të hahet me dy lugë - këtu qëndron problemi.

Rusia deklaron hapur se po angazhohet për kthimin e linjave të ndikimit të BRSS-së dhe pasivizimin e plotë të shteteve që i janë bashkuar NATO-s gjatë tri dekadave të fundit. Serbia është bërë vullnetarisht pjesë e kësaj ndërmarrjeje.

Tensionet në veri të Kosovës nuk varen fare nga sjelljet e udhëheqjeve kosovare. Ato aktivizohen vetëm kur i nevojiten Serbisë, ndërsa sa i përket një konflikti të mundshëm, ai do të nisë në momentin që vendosë Putini. Në këtë pikëpamje, situata në Kosovë është drejtpërsëdrejti e lidhur me situatën në Ukrainë. Serbia do të lëvizë në momentin që këtë t'ia kërkojë Putini, me të gjitha gjasat, fillimisht në Kosovë por edhe në Bosnjë e Hercegovinë apo në Malin e Zi.

Vlimet e brendshme në Kosovë midis pozitës dhe opozitës lidhur me problemet midis Kosovës dhe Serbisë janë krejt të pakuptimta. Edhe folklorizmat politike nëpër mediat shqiptare në të dyja anët e kufirit janë dëshmi i një naiviteti kolektiv politik.

Asnjë udhëheqje e Kosovës, e mirë apo e keqe, nuk mund t'i rregullojë marrëdhëniet me Serbinë, përveç nëse pajtohet të pranojë rikthimin nën sundimin e Serbisë.

Serbia, me mjeshtri dhe në dakordim të plotë me Rusinë, e ka mbajtur të gjallë mundëinë e një konflikti të ri në Kosovë, ndërkaq sjelljet e Serbisë gjatë disa viteve të fundit e nxjerrin qartë në dritë koordinimin e saj të plotë me aventurat ruse. Është e pakuptueshme pse bëhen sikur nuk e shohin këtë shtetet demokratike perëndimore. Ato sikur nuk janë të vetëdishme se nuk lehtësohet zgjidhja e problemeve me Rusinë duke i bërë lëshime e joshje të ndryshme Serbisë.

Ka disa vite qëkur Serbia po armatoset me të madhe pa qenë e rrezikuar nga askush. Këtë e bën vetëm për tu bashkërenditur me Rusinë. Në të njëjtën kohë, Serbia thithë investime nga vendet e Perëndimit më shumë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit së bashku. Ky fakt thjesht e betonon naivitetin demokratik të perëndimorëve.

Derisa Serbia rreshtohet haptas, dhe pa asnjë pasojë, me Rusinë e Putinit (dhe kryeministri shqiptar e kupton plotësisht Serbinë, madje për këtë përpiqet t'i bindë dhe të tjerët), ka shumë shtete të tjera që në mënyrë sekrete luajnë me dy letra. Këto shtete, bashkë me pesëshen e shteteve europiane, që refuzojnë ta njohin Kosovën pa as edhe një arsye valide, çojnë ujë në mulli të Putinit.

Edhe pse burim i komplikimeve është Serbia, asaj i lejohet një fushëveprim i pakufishëm në krahasim me kërkesat e vazhdueshme që i bëhen Kosovës për të lëshuar pe në një kohë kur shqiptarët e Kosovës, apo shqiptarët në përgjithësi, nuk paraqesin rrezik për askë. Rreziku më i madh që paraqesin sot shqiptarët, hiq aktivitetin e krimit të organizuar në fushën e drogës,  është prirja e tyre, sidomos e të rinjve, që me të drejtë nuk shohin perspektivë në vendet e tyre, të ikin drejt vendeve perëndimore.

Përndryshe, kur ka sado pak paqe, shqiptarët preferojnë të flenë gjumë - nuk punojnë as për mbrojtjen e vet, e lëre më të rrezikojnë ndokë.

Pas 1 shtatorit, mund të ketë konflikt në Kosovë nëse kjo i përshtatet Rusisë - pa miratimin e Putinit, Serbia nuk nis konflikt të armatosur.

Putini sigurisht e ka të qartë se në rastin e Kosovës NATO nuk do të qëndrojë anash, prandaj çështja tani është a i përgjigjet atij ta fusë NATO-n në lojë tani apo në një fazë tjetër të mëvonshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat