Rreziku i luftës në Ballkan (Kosovë)

Opinione

Rreziku i luftës në Ballkan (Kosovë)

Nga: Prof.Dr.Jahja Kokaj Më: 16 janar 2023 Në ora: 12:57
Autori Jahja Kokaj

Tashmë që situata në veri është qetësuar, duket e panevojshme ta trajtojmë çështjen apo titullin e kësaj analize.

Por, përderisa Putini është president i Rusisë dhe Vuçiqi president i Serbisë, kjo çështje jo vetëm që duhet trajtuar, por duhet marrë edhe masa adekuate. Sigurisht, pa asnjë frikë, por me vigjilencë të përshtatshme.

Është e pamohueshme që koha e atrofisë dhe dobësisë ekonomike e politike të Rusisë së Jelcinit, me ardhjen e Putinit në krye të Rusisë, ndryshoi rrënjësisht. Rusia e Putinit përjetoi zhvillim ekonomik dhe rritje të prestigjit ndërkombëtar. Kjo e veshi Putinin me epitetet e carit, por edhe me cilësi autoritare, duke treguar se Rusia e tij po bëhet një fuqi e rrezikshme botërore. Putini tani i thotë hapur popullit të Rusisë, shtetit gjeografikisht më i madh në Evropë, se ai do të qëndrojë si sundimtar i tyre, sa të jetë gjallë.

Por, Shkodrani, kur dëshiron që dikush ta thyejë qafën, i thotë “tu rritë mendja, more loc”. Prandaj, nuk ka dyshim se Putini me egon e tij cariste, në nivelin e çmendurisë, përfundimisht do të shkatërrojë veten ose nëse mbijeton do të shkatërrojë edhe Rusinë.

Homologu i tij është Vuçiqi i Serbisë, me shumë cilësi të barasvlershme me atë të Putinit, domethënë Serbia është simetrike me Rusinë, kështu që nuk po e përsëris atë që ia atribuuam Putinit.

Kur në Ukrainë, Putinit filluan t'i binin dhëmbët e parë, ai dëshiron të hapë strategjinë e frontit sa më urgjentisht të jetë e mundur, në Ballkan: në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje ose në të tre vendet njëherësh. Sinkronizimi i Vuçiqit dhe Serbisë me këto plane, qendra ruse në Nish e gjetkë tregon se Ballkani është në agjenden e tyre strategjike ushtarake, krahas zhvillimeve në Ukrainë.

Se kur ndizet fitili në Ballkan, duke parë mozaikun e sipërpërmendur global të ngjarjeve, nuk varet nga serbët e Kosovës, as nga qëndrimet tona, verbale apo praktike, por nga zhvillimet në Ukrainë, nga zhvillimet ndërkombëtare me theks të veçantë të NATO-s. Pra, nga zhvillimet marrëdhëniet në mes të SHBA-Rusi.

Çfarë duhet të bëjmë?

1. Rritja e harmonisë dhe koherencës politike brenda nesh.

2. Harmonizimi, bashkërendimi i mendimeve dhe veprimeve të të gjithë faktorëve dhe partive në Kosovë, bashkërenditjet tona politike dhe gjithë të tjerave, me Shqipërinë. Kjo do të thotë se planet e Vuçiqit apo Putinit si “Ballkani i Hapur” të trajtohen si antikombëtare.

3. Harmonizimi i gjithë faktorit shqiptar në Ballkan, pra Maqedoni, Mal të Zi.

4. Harmonizimi me fqinjët, Kroacia, elementi pozitiv i Bosnjës, ai i Maqedonisë.

5. Por, mbi të gjitha duhet të ketë një koordinim me SHBA-në dhe miqtë tanë perëndimorë. Kjo e fundit është kryesorja. Prandaj duhet të formohet një trup ekspertësh diplomatikë që të jenë në koordinim me faktorët ekuivalent të SHBA-së në baza ditore ose çdo orë. Për të rritur nivelin e inteligjencës, politikës strategjike dhe ushtarake.

Mendoj se, psikologjikisht, me këto veprime do të ishim një “arrë e fortë” për dhëmbët e Serbisë së Putinit apo të Vuçiqit, nëse do të zyrtarizohej një aleancë e drejtpërdrejtë ushtarake mbrojtëse mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kështu mendoj që do të evitohej edhe rreziku i ndonjë lufte eventuale.Nisja e luftës në Kosovë, Putini e kupton që do të thotë luftë me NATO-n pra SHBA-në, ndaj ai do të krijonte një nisje të këtillë edhe të paktën në një pikë tjetër jashtë Kosovës, ku do të tërhiqte arsenalin e NATO-s. Vetëmbrojtja e faktorit shqiptar me teknologji të furnizuar të NATO-s do të ishte “ilaç” permanent.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat