Shqiptarë, keni bollëk arsyesh të protestoni si qytetar e jo për parti e kryetar!

Opinione

Shqiptarë, keni bollëk arsyesh të protestoni si qytetar e jo për parti e kryetar!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 08:24
Xhevat Mustafa

Në këtë periudhë jam për disa javë në Gjermani. Ndoshta jam bërë "bajat" duke trajtuar me disa shkrime në gazeta dhe facebook paradoksin apo çmendurinë që ndodh mes çmimeve "stratosferikë" në Shqipëri me ato ndjeshëm më të ulët në Gjermani.Kam bërë pazar në tri supermerkato. Është e dukshme dhe e ndjeshme se edhe në këtë vend, si rrjedhojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë, ka rritje çmimesh tek disa ushqime, në rreth 10- 20%!

Gjithsesi, edhe në nivelet e sotme, janë rreth 25- 50% më të lirë se në Shqipëri! Njëkohësisht, në dy ditët e fundjavëve, aplikohen ulje në 30- 50% të çmimeve të shumë artikujve të konsumit jetik të përditshëm. Për më tepër, u janë rimbursuar qytetarëve nga shteti me bonuse në vlera rreth 30 herë më të mëdha se shpërblimet qesharake e me pikatore farmacishë që ka bërë Rama- qeveria në këta 3 vjet...Përafërsisht qeveritë e Gjermanisë u kanë dhënë qytetarëve gjermanë në këta 3 vjet, për lehtësimin e rritjes së çmimeve, rreth 5.500- 6.000 euro, kur Rama qeveria nuk na ka dhënë ne qytetarëve të Shqipërisë, ndër më të varfërit në Europë, as 200 euro!!!

Është fushë e gjërë për krahasime mes dy vendeve. Edhe për nga çmimet Shqipëria vazhdon të jetë larg Gjermanisë jo vetëm sa distanca gjeometrike në rreth 2300 km e nja një një gjysëm  shekulli. Prandaj po u referohem disa artikujve ushqimorë të konsumit jetik të përditshëm. Kështu, 1 pako gjalp gjerman 250 gram këtu kushton 1.70- 2.5 euro, rreth 200- 250 lekë, domethënë rreth 800- 1 000 lekë kg. Në Shqipërinë tonë apo edramjane, 1 pako gjalp 250 gr Lufra ose Erzeni kushton 400- 450 lekë, domethënë rreth 1.600 lekë kg. 1 litër qumësht në Gjermani, kushton 1.05- 1.15 euro, domethënë 120- 130 lekë, kurse në Shqipëri 1 litër Lufra apo Erzeni ose prodhim kroat, italian, kushton 145-150- 180...lekë...Ndërsa i shishe 1.5 litra kushton 190- 200 lekë.1 kg djath kaçkavall gjerman ose holandez  kushton 8- 10 euro, ndërsa në Shqipëri çmimi i djathit kaçkavall,edhe me përbërës të dyshimtë, kushton 1.300- 1.400 lekë. 1 kuti ose qese 800- 1000 gr cornflakes në Gjermani kushton 1.25- 1.85 euro( 150- 220 lekë), ndërsa në Shqipëri rreth 350- 450 lekë. Lëngjet e frutave, përgjithësisht janë 20- 35 cent ose 25- 40 lekë më lirë se në Shqipëri Birrërat dhe verërat janë rreth 30 - 50% më lirë se në  Shqipëri..., çka mund ta shikoni vetë në fotografitë shoqëruese në fund të tekstit. Edhe artikujt për higjenë familjare dhe individuale, për kozmetikë..., në Gjermani, edhe pse rritur rreth 20%,  kushtojnë rreth 30- 40% më lirë se në tregjet e Shqipërisë edramjane...! Veshjet, përgjithësisht, kanë ulje çmimesh....

Nuk po ju lodh më me fjalë e tekst, sepse për kontrastin çmimet e çmendur në Shqipëri mund të bindeni nga fotografitë pasngjitur tekstit. Shikojini çmimet normalë e të përballueshëm lehtësisht për pagat, pensionet, mbështetjen sociale, donacionet e shpeshta qeveritare në Gjermani. Pastaj kujtohuni se sa na kushtojnë në tregjet shqiptare, tek Big Market, SPAR- i, etj. Por, mos harroni edhe se janë shumica e pagave dhe pensioneve në Shqipërinë e Rama- qeverisë. Pas kësaj panorame e këtyre krahasimeve, shumica e shqiptarëve rrogtarë, pensionistë, të papunë...,  nëse ndjehen qytetarë të prekur dhe dëmtuar rëndë nga rrjedhojat e keqqeverisjes, korrupsionit, varfërimit, emigracionit masiv të moshave të reja, shtuar ato të krizave, mund të nxjerrin lehtësisht mesazhin në SHQIP! Sot, më 11 shkurt 2023, mund të dalin në protestë jo për PD dhe LR e për Sali Berishën dhe Ilir Metën, por për veten, si qytetarë e si viktima të njëllojta të Edi Ramës me shoqe e shokë. Pra, kanë arsye e motive të bollshme të dalin së bashku pa parë bindje, teserë, votë partiake, por për t'i treguar tufës së pushtetarëve edramistë se nuk mund ti lejojnë më t'i trajtojnë e shfrytëzojnë si skllevër, si emra e vota në listat e zgjedhjeve, si fytyra, zëra, duar...në turmat e mitingjeve para e pas elektorale, për suksese e fitore që nuk ndikojnë aspak për lehtësimin dhe përmirësimin e nivelit të jetesës e të mirëqenies. Domethënë, edhe për ta zvogëluar sado pak disnivelin, prapambetjen, "hapësirën oqeanike" apo epokale prapa Gjermanisë. Është e kuptueshme: ky vend, krahas shumicës së vendeve të tjerë të Europës Perendimore, është fatlum e në nivelet më të larta për zhvillim, mirëqenie, demokraci të vërtetë, shtet ligjor e social funksional..., sepse nuk ka lejuar të qeveriset as edhe një orë nga parti dhe qeveri komunisto- socialiste alla lindore e allashqiptare, mbush me "çuna" e "goca". Më e keqja dhe më rëndë e përjetueshmja, jo pak prej tyre edhe askushë, pakushë,  diplomablerës e pa CV të denja për kolltukët që ngrohin, që dinë vetëm se si të bëhen vetë, brenda pak viteve, multimilionerë e pronarë të sa më shumë pallateve, vilave, apartamenteve. .!

Dhe ky pasurim i tyre sheikor është bërë e bëhet nën hundën e drejtësisë allashqiptare e allaedramjane! Kuptohet pasurimi i tyre i pafre është arritur jo me punë të ndershme dhe djersë balli, por duke e vjedhur me maune, valixhe, dyshekë mbush me euro, dollarë, paund..., duke varfëruar, degdisur si emigrantë nëpër botë shumicën e popullit, pa pikë frike, skrupulli, përgjegjshmërie, mëshire...!!!

 Së fundmi, duke protestuar sot në Tiranë si qytetarë, njëkohësisht protestohet edhe si SHQIPTARË, sidomos kundër "vëllazërisë" apo aleancës së Rama- qeverisë me Aleksander Vuçiçin dhe Sorësët, at e bir, "fshehur" e shprehur në emërtimin apo sloganin mashtrues "Ballkani i hapur"! Synimet dhe rrjedhojat e saj finale, herët apo ca më vonë, çojnë në Serbinë e Madhe dhe Rusinë në Adriatik e Jon!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat