Lemerisje masive nga “tërbimi” i çmimeve dhe i qeverisjes në Shqipëri!

Opinione

Lemerisje masive nga “tërbimi” i çmimeve dhe i qeverisjes në Shqipëri!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 31 korrik 2023 Në ora: 08:57
Xhevat Mustafa

Po afrohet dita e 10 vjetorit, kur nisi zyrtarisht Rama-rilindje- oligarki- inceneratorë-kanabizim- kulla- qeverisja...! Apo, individualizuar, siç e kemi traditë ne shqiptarët, Rama-qeverisja. Tashmë, për shumicën e popullit, që jetojnë, blejnë, konsumojnë, jetojnë, pushojnë...si qytetarë, mbi të ardhurat nga pagat dhe pensionet allashqiptare, me rritje të rralla si me peshore farmaceutike, është bërë e përjetueshme dhe e padiskutueshme se kanë rënë nga shiu i imët në breshërin sa një kokërr ftua, mollë, pjeshkë apo vezë...

Pra, ky pësim është kuptuar dhe ndjerë edhe nga ata “të majtë”, që pasi hodhën nëpër kuti votimi(si në përrua apo lumë) votat e tyre, kërcyen dhe kënduan nën tingujt e gërnetave dhe daulleve të tallavave si të çmendur, si të dehur apo të droguar për “fitoret historike” të partisë së tyre të zemrës më 25 prill 2021, më 14 maj dhe më 23 korrik 2023, në Rrogozhinë...Në të vërtetë këto kanë qenë e janë FITORE për politikanët dhe qeveritarët qendrorë e lokalë dhe tufat që i rrethojnë...E ky pësim i përshpejtuar dhe marramendës shprehet, jo vetëm për nga tërbimi, çmendja apo rendja drejt majëmaleve e çmimeve të artikujve të konsumit të përditshëm dhe jetik, të pajisjeve dhe shërbimeve shtëpiake, por edhe për nga dukuri apo gjëma të tjera nëpër shtëpi private, spitale, zyra shteti, qendrore apo bashkiake e prefekturore.

Ky realitet e ky pësim shikohen dhe përjetohen sidomos sa herë që shkojnë në supermarkete, minitregje apo tregje të hapur, kryesisht për perime, zarzavate, fruta..! Jo për politizim, por thjeshtë për vërtetësi, objektivitet, konkretizim..., është mirë të kthehen vështrimi dhe kujtesa në mos 10 vjet prapa, në kohën e non gratës Sali Berisha, të paktën 5 vjet prapa, në kohën kur Edi Rama bënte njoftimin apo paralajmërimin e kobshëm: ”prisni, prisni, nuk keni parë gjë akoma”! Kthimi me vite prapa dhe kujtesa na ndihmojnë “ të kuptojmë e të bindemi” se jo vetëm si rrjedhojë e efekteve të rrjedhjes së viteve, të krizës botërore ekonomike, të Covid 19 e të luftës në Ukrainë, por, mbi të gjithë këto faktorë, prej keqqeverisjes nga ekipet qeveritare Rama, “rinovuar” jo për të vënë në krye të punëve më të aftët e më të ndershmit, por kryesisht për të zëvendësuar të korruptuarit e të prangosurit, jemi viktima të një rritjeje masive, deri në 2-3 fishim të çmimeve.

Le të kujtojmë se sa i kemi blerë 10 apo 5 vjet më parë e sa i blejmë sot më 25 korrik 2023, 1 kg patate, qepë, shalqi, pjepër, fiq, qershia, pjeshkë, kajsia, kumbulla, mollë, dardha, rrush, banane; 1 kg mashurka, bamje, kungull, kastravecë...! r, edhe 1 kg qumësht, djathë, gjizë, salcë kosi, kosërat me fruta, gjalp, mjaltë, reçel, vaj...; 1 shishe 1-1.5 -2 litra me ujë të pijshëm, lëngje frutash; 1 shishe ose kanaçe 330-500 miligram birrë, 1 shishe 750 miligram verë; 1 kg mish, sallam; 1 kg miell, sheqer, oriz, makarona...; arrat, bajamet, frutat e thata; 1 pako me peceta të thata e të njoma, 1 pako me 8 ose copë letra higjenike; 1 copë sapun për duar e për rroba, 1 shampo, 1 pako plurur larëz rrobash, 1 bidonth me lëng zbutës...!

Për pak desh harrova: kujtoni se sa ishte 10 apo 5 vjet më parë dhe sa e paguani në korrik 2023 çdo ditë edhe 1 filxhan kafe, çaj, kakao, 1 lugë, kaush, gotëz akullore...; 1 kavanoz nutela, majonez, ketchap, 1 kutizë filadelfia e produkte të ngjashme si ajo; cornflekësat, biskotat...! Por, edhe deodorantët, lëngjet për larje rrobash, enësh, pllakash, wc- sh; pampersat, linesat, kremërat, parfumet, shampot...Nuk mund të harrohet nga gratë dhe burrat e tyre edhe sa paguanin në kohën e Sali "non gratës" e sa paguajnë sot në kohën e Edi "fullgratës" femrat për flokë e zbukurime në sallone kozmetike...!! Meqenëse është stinë verë e kohë për pushime: kujtoni se sa e paguanim 10 apo 5 vjet më parë dhe sa i paguajmë në verën 2023, 1 dhomë, 1 apartament 1 plus 1 ose 1 plus 2 dhoma? Atyre që ëndërrojnë, po kursejnë apo kanë ndërmend të marri kredi nëpër banka, që të blejnë një apartament apo një vilë në qytete dhe plazhe, po i nxis “të kujtojnë” se sa shitej dhe blihej 1 metër katror 15,10,5 vjet më parë e sa shitet e blihet sot?!

Po kështu, motra dhe vëllezër shqiptarë, “vritini mendjet” dhe kujtoni se sa kushtonin 15, 10 apo 5 vjet më parë 1 litër naftë dhe benzinë e sa kushton sot! Merret me mend se rritja e pafre apo “tërbimi” i çmimeve në Shqipëri, shoqëruar njëherazi edhe me rënien e fortë të kursit të këmbimit të euros, dollarit, paundit, sfr-së..., ka shkaktuar dhe sjellë ose anulimin e plotë të alternativës së pushimeve të kësaj vere në plazhet e Shqipërisë nga shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, diaspora..., për të shkuar në vende të tjera, ku 1-2 javë ose 10 ditë kushtojnë më lirë; ose shkurtimin e ndjeshëm të periudhës së pushimeve në Shqipëri, deri në 5-7 ditë, ose duke u mjaftuar vetëm për dy ditët e fundjavave.

Për paradoks apo për të vënë edhe më shumë në dukje faktin mbi 78 vjeçar se vazhdojmë të jemi ndër ose të fundit në Evropë për treguesit kryesorë të zhvillimit dhe të mirëqenies ndihmon edhe ky informacion i dt.25 korrik 2023, publikuar nga Eurostat, Monitor dhe Balkanweb. Sipas këtyre burimeve jo qeveritare, si INSTAT, në korrik 2023 në Shqipëri paga minimale është 375 euro, në Mal të Zi, 532 euro, më e larta në rajon; në Serbi 460 euro; në Maqedoninë e Veriut rreth 360 euro. Me pagën minimale në Shqipëri mund të blesh shumë më pak artikuj të konsumit të përditshëm dhe jetik se sa në rajon. Mali i Zi e ka këtë tregues 881 PPS, Serbia 732 PPS dhe Maqedonia e Veriut -deri në fund të 6 mujorit të parë 2021 – e kishte 724 PPS, ose rreth 30% më shumë se sa Shqipëria aktualisht.

Vendi ynë vijon të ketë edhe pagën mesatare më të ulët në rajon e Evropë (pa përfshirë Kosovën). Shqipëria dhe Kosova kishin pagën më të ulët mesatare në rajon në vitin 2022, me rreth 520 euro secila (bruto). Serbia në dhjetor 2022 e kishte pagën mesatare afër nivelit prej 1000 eurosh bruto (983 euro), Maqedonia e Veriut e kishte pagën mesatare 832 euro, Mali i Zi 930 euro, Bosnjë Hercegovina 934 euro. Në të kundërt Shqipëria ka pagat më të larta për kupolat drejtuese. Me rritjen e fundit të para pak javëve, paga mujore bruto e presidentit shqiptar të Republikës bëhet 7 herë më e lartë se paga mesatare mujore në vend, duke shënuar një rekord në rajon. Këto shifra nga vendi ynë dhe nga rajoni flasin shumë qartë në SHQIP, por jo edramisht apo rilindësisht! Pavarësisht ndryshimeve të jashtme gjatë periudhës rreth 31 vjeçare të gjasme pas komunizmit dhe gjasme demokracisë, sidomos në autostrada, komplekse pallatesh 8- 12 katesh, kulla mbi 30 katesh, turizëm, spektakle, saraje bosësh të politikës, qeverisjeve, të bizneseve, të drejtësisë, mjekësisë...,ne si vend dhe si popull për shumicën e treguesve jemi po aty ku na ka lënë Enveri!? Apo po aty ku na ka marrë nga duart e Sali Berishës Edi Rama 10 vjet më parë!!!???

Vritini mendjet si qytetarë e jo si partiakë fanatikë deri në “amnezi apo demencë të plotë” dhe shtoni vetë çfarë të doni, sidomos nga ato shifra dhe fakte që “kam harruar” unë, me “kujtesë të dobët” e që mund t’i gjeni fare lehtë nëpër tregje, frigoriferët dhe raftet shtëpiakë, nëpër tavolinat e ngrënies...! Nga kjo panoramë e sotme dhe e përditshme shikohet dhe kuptohet se ndërsa çmimet ngrihen me shpejtësi drejt “majëmaleve dhe qiellit”, shumë shqiptarë, edhe nga mizëria e hallemëdhenjve për bukën e gojës, ndryshe nga francezët, izraelitët, britanikët, grekët..., që protestojnë masivisht si qytetarë, shullëhen për shumë orë, si “buaj e bullica”, mbi rërë e nën rrezet e diellit ose “ngujohen” para ekraneve për seriale turke disa mujorë, për ndeshje futbolli, kombëtare dhe ndërkombëtare, për spektakle shalësh dhe gjinjsh; rrëmihin dhe grinden nëpër koshat e plehrave; të zgjasin duart në sy, gojë, fyt... duke lypur...!? Përveç kthimit të kujtesës me vite prapa, për t’u bindur se ndoshta jemi “kampionë” në këtë drejtim, domethënë për keqtrajtim apo më shqip, edhe për vjedhje sy më sy e nën hundën e Rama-qeverisë, na ndihmon edhe vështrimi në vendet ballkanikë përreth e më larg, deri në Itali, Gjermani, Francë...E pra, krizat kanë dhënë dhe lënë rrjedhoja jo të lehta e jo të pakta edhe në këto vende. Këto rrjedhoja janë shprehur e përjetuar edhe në rritjen e çmimeve. r, ndryshe nga Rama-Ahmetaj-Balluku-Ibraimaj...- qeveria në Shqipëri, në këto vende qytetarët janë ndihmuar dhe lehtësuar me rritje të ndjeshme financiare.

Për më tepër e ndryshe nga sa në Shqipëri, jo në 200-800 lekë(2-8 euro) në muaj e çdo 1 prill, por me rritje në 50-100-150 euro në muaj dhe me donacione të herëpashershme në 500-2000 euro në muaj. Mjafton një fakt nga Gjermania! 4 vjet më parë, domethënë para pandemisë së Covid 19, qeveria gjermane jepte 196 euro për çdo fëmijë nga 0-18 vjeç. Sot, kjo pagesë mujore për fëmijët ka arritur kuotën 260 euro. Domethënë, është rritur në rreth 34% dhe është më shumë se rreth 50% e pensioneve dhe se shumica e pagave minimale faktike në Shqipëri.

Për të qenë edhe më konkret e më bindës. Nga 26 qershori deri më 15 korrik familja e djalit tim në Gjermani erdhi me pushime në Shqipëri. Bashkëshortja e djalit është drejtuese e mesme në një nga supermarketet më të përhapura e të frekuentuara në Gjermani, me detyrë të përditshme menaxhimin e niveleve të çmimeve. Kur hyri për herë të parë në supermarketet në Tiranë dhe u hodhi një sy çmimeve, por sidomos kur mori ato artikuj që u duheshin për vete, për fëmijët dhe për ne, mbeti e habitur deri në tronditje dhe keqardhje. Nuk sajoj e shtoj, por më tha në gjermanisht: “Ç’bëhet kështu tek ju!? Si ia dilni dhe si duroni kaq gjatë në heshtje me këto çmime dhe me këto paga dhe pensione?! Këtu shumica e çmimeve janë 50-100% më të shtrenjtë se tek ne, në Gjermani, kur dihet se pagat dhe pensionet janë 5-10 herë më të lartë???!!!” Dy ditë më vonë, kur ata ishin kthyer në shtëpinë e tyre në Gjermani, gjatë bisedës me figurë në whats app na njoftuan se pas 3 javësh qëndrimi në Shqipëri, i kishin gjetur shumicën e çmimeve në supermarketet ku tregtojnë, edhe të frutave dhe perimeve të stinës, me përjashtim të fiqve dhe të bamjeve, rreth 25%-50% më të ultë...!

Botuar në “BOTA SOT”, 31.07.2023

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat