Politikanët e korruptuar janë armiku më i madh i kombit shqiptar!

Opinione

Politikanët e korruptuar janë armiku më i madh i kombit shqiptar!

Nga: Faton Mehmeti Më: 20 gusht 2023 Në ora: 16:59
Autori Faton Mehmeti

Çështja e identitet kombëtar si element bazë i qenies, tek populli shqiptar ka qenë më tepër se çështje ekzistenciale. Ajo ishte çdo herë e rrezikuar nga armiqtë që fatkeqësisht kryesisht ishin fqinjët tanë. Për me tepër ajo u ruajt dhe u zhvillua nëpër periudha të vështira të ekzistencës së saj. Jemi një popull, një komb, në një hapësirë gjeografike kompakte, me një histori, me tradita autentike dhe me një identitet ende në një proces të vonuar të kompaktësimit kombëtar.

Dhe fakti se shqiptarët janë të parët në Ballkan i ka irrituar fqinjët në veçanti sllavët, të cilët, siç thekson edhe Kadare “ nuk kanë mundur të pajtohen asnjëherë se shqiptarët janë më parë se ata në Ballkan’’. Ndërsa Mathieu (Aref Mati), një studiues francez me origjinë të lashtë shqiptare, shkruan kështu: “Duke u vërtetuar dhe pranuar se pellazgët ishin një popull autokton dhe helenët një popull pushtues, atëherë si mund të shpërfillet rëndësia e trashëgimisë që këta pellazgë ua lënë helenëve si mitologjinë (perënditë, perëndeshat, heronjtë…), kultin etj ”. Këto argumente gjithnjë shqiptarët i kanë bërë krenarë, me identitetin e tyre kombëtar, duke vënë në pah vetëdijen kombëtar në rend të parë. Mbase çdo popull në botë i lashtë sa ne shqiptarët, do ta shfrytëzonte elementin e lashtësisë për t’u ngritur kombëtarisht , ekonomikisht, ushtarakisht dhe në aspektin e arsimit. Por kjo fatkeqësisht nuk ndodhi te ne shqiptarët. Janë dhënë shumë ide, hipoteka të ndryshe për këtë fakt jo të dëshiruar.

Nëse i referohemi psiko-analizës si teori ku njeriu duhet të shpreh të gjithë atë që e ndjen, mund të arrijmë tek një fakt interesant se një pjesë e shqiptarëve nuk e kanë duruar dot presionin dhe kanë ndryshuar emrin, fenë, kombësinë e shtetësinë. Disa e kanë bërë për para, disa të tjetër për nevojë jetike e dobësi, kurse disa të tjetër për të gjitha këto së bashku për faktin se janë ndjerë të turpëruar që janë shqiptar!

Nëse ndalemi tek aspekti psiko-analitik të individit, Frojdi thekson se Ego – Uni ose Vetja ofron reagim të menjëhershëm për ngjarjet e realitetit. Uni është vija e parë e mbrojtjes e vetes nga tjetri. Uni përpiqet të balancojë dy ekstremet, Id dhe Superego. Nëse e metavendosim në rrafshin e identitetit kombëtar duhet theksuar se shqiptarët çdo herë reaguan ndaj armiqve në luftë.... por asnjëherë ndaj "miqve në paqe" që nënkupton mungese të Unit, e cila ka çuar deri në mohimin fishtian se “Dhe ta dijë bota mbar/ se un mbas sodit s’jam ma shqiptar”. Dhe këtë shprehje Fishta nuk e bëri se ishte i turpëruar me etninë e tij shqiptare, por si reagim i fortë deri në vetëmohim, duke e parë servilizmin e shqiptarëve ndaj armikut dhe në dëm të kombit të tij.

Gjithashtu edhe Noli në vargjet e tija duke iu referuar shqiptare me pezëm të madh shkruan “ Skllevër, bij skllevërish/ s’e meritoni, se liri s’doni ’’

Këto irritime të figurave markante te kombit shqiptar, ishin si reaksion ndaj tradhtisë, spiunëve shqiptarë që ishin në anën e armikut për dëmin ndaj atdheut. S’ kemi si mos ta kujtojmë tradhtinë e Moisi Golemit, i cili pas disfatës së Beratit, kaloi hapur në anën e osmanëve. Po e gjatë është lista e atyre që e tradhtuan atdheun e kombin e pastaj u angazhuan me tërë qenien e tyre kundër popullit e kundër atdheut të tyre.

Shqiptarët historikisht dëmin më të madh ia kanë bërë vetvetes. Duke iu referuar thënies së Faik Konicës se : Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”. Dhe pikërisht politikanët kanë qenë, mbase edhe kanë mbetur sot e asaj dite armiqtë më të mëdhenj të popullit shqiptar, të cilëve UNI i lakmisë ndaj atdhedashurisë i ka bërë të shfaqin në pah meskinizmin e tyre. Shqiptarët kanë qenë të nëmur nga politikanët e korruptuar e të cilët për interesa personale u kanë sjell fatkeqësi dhe dhimbje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat