Treshja e dështuar në Kosovë!

Opinione

Treshja e dështuar në Kosovë!

Prof.Dr.Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof.Dr.Asoc. Enver Bytyçi Më 29 shtator 2023 Në ora: 19:56
Foto ilustrim nga "Bota sot"

- Alo! Sandro, si je vëlla, u dëgjua zëri i trashë i Edit matanë mobilit.

- Mirë Edo, po ku je? E patëm lënë të takoheshim! Ah harrova ti je shumë i zënë me drejtimin e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit! Duhet ta kisha marrë me mend se e ke kohën të kufizuar.

- Po jo mor Sandër, kam kohë sa të duash! Pse mendon ti se sëkëlldisem unë për kaq gjë?! As e kam mendjen te ajo mbledhje. I fus një sherr me rusët, marr vëmendjen e botës dhe vazhdoj me tralala-të e mia! Po desha të them se në takimin tonë do të vijë edhe Tani. Eshtë yni ai, mos u bën merak.

- E di, e di, Edo. Tani është më shumë sesa yni.

- Atëherë takohemi sonte në mbrëmje të tre dhe vendosim se çfarë do të bëjmë me atë „koqen e kandarit“ në Prishtinë?!

Kaluan disa orë dhe të tre u gjendën përballë njëri-tjetrit. Shoqëruesit ishin të paktë në numër, ata më besnikët. Ishin marrë vesh që takimi të mbahej i fshehtë. Askush nuk duhej të dinte faktin se tre liderë të tri vendeve të Ballkanit po mblidheshin e po komplotonin në dukje kundër kryeministri Kurti, por në fakt kundër Kosovës. Sandri ia kishte përsëritur disa here Edit premtimin në vjeshtën e vitit 2017 për ndihmën e tij të pakursyer për ndarjen e Kosovës. Asokohe ishin marrë vesh të dy se si do ti ndanin tokat e shqiptarëve, çfarë do të përfitonte Serbia e çfarë Edi. Dritani nuk njihej atërherë. Më duket se nuk e kishte formuar as partinë e “urave“ për miqësi me Serbinë!

U përshëndetën, u përqafuan, i përplasën duart me “qe palla” dhe gjatë përqafimit ia prekën veshin njëri-tjetrit me majën e hundës. Sandri ishte më i emocionuar. Ndërsa Tani më i buzëqeshuri. Ishte shend e verë, sepse po pranohej në klubin e dy liderëve që „donin të sillnin paqen në Ballkan”, gjithnjë duke kurbanizuar territorin e Kosovës. Kurbani!!! Ah ky libër i shkretë, që vetëm në shqip dhe serbisht u botua! Sa here e kujton Edi atë përkthyesen e gjatë dy meter e të kolme nga Beogradi që ia bëri gjithçka gati për botimin në serbisht të Kurbanit. Do të donte që të mos mbaronte kurrë parapërgatiija e këtij botimi.

Si gjithnjë dollibashi, i pari i fjalës, ishte Edi. Me këtë status të tijin ishte pajtuar plotësisht Sandri. Ndërsa Tanit i bënin sytë xixa, duke e pare si idhull! Me këmbën mbi këmbë dukej sikur do të kërleshej në një bisedë e një plan shumë të rëndësishëm.

- Tano, me Sandrin kemi biseduar që të gjejmë një zgjidhje të konfliktit në Kosovë. Por, na është bërë ferrë ai Albini. Si thua ti, se ke edhe përvojën e marrëveshjes me kishën e Beogradit, a mund ta destabilizojmë veriun e më pas të kërkojmë fillimisht protektorat ndërkombëtar të këtij territori si hapi i pare për ta shkëputur nga Kosova. Në fund të fundit, kështu funksionoi edhe me Kosovën. Fillimisht protaktorat, nën administrimin e OKB-së, më pas shpalli pavarësinë. Pse të mos eksperimentojmë të njëjtën gjë me katër komunat e veriut?! Me këtë rast i japim fund konfliktit e na hapen dyert për integrime europiane! Duhet ta kërkojmë këtë të tre ne, që të bëhemi të besueshëm për aktorët perendimorë!

Dritani dukej sikur po i përtypte fjalët e „vëllaut“ të tij, Edit. Kishte hedhur atë këmbën e shkurtër mbi tjetrën dhe kishte formuar një si trekëndësh. Tundte këpucën e djathtë llustrafini, për tu dukur disi më interesant!

- Shumë mirë e keni menduar, vetëm se unë kam frikë se mos do ketë viktima. Në kërë rast ndërhyn Sandri:

Jo, jo! Atë ma lini mua. Nuk do të ketë viktima, por ne do të bëjmë zhurmë me përdorim armësh. Me qëllim që të alarmohen europianët dhe amerikanët e për pasojë të mbështesin projektin tonë.

E thënë dhe e bërë. Të dy, Edi dhe Tani iu lutën presidentit të Serbisë që këtë aksion ushtarak destabilizues ta bënte sa më shpejt. I kërkuan të kujdesej që të mos kishte gjithashtu viktima, sidomos nga pala e Kosovës. Parashikuan se KFOR-i do të ndërhynte në këtë rrëmujë. Më pas do të ngriheshin barrikadat. Të tilla do të kishte kudo në veri deri te Ura e Ibrit dhe një këshill i serbëve të veriut do të shpallte autonomi me disa pika. Barrikadat nuk do hiqeshin e armët nuk do lëshoheshin, derisa bashkësia ndërkombëtare të binte dakord për një rezolutë të KS për këtë protaktorat! Edi, si përfaqësues i Shqipërisë anëtare e përkohshme e KS, kishte siguruar mbështetjen e tij! Të tre këta do kërkonin publikisht dhe në qendrat europiane e amerikane që veriu i Kosovës të kontrollohej, administrohej dhe menaxhohej nga NATO. Qëllimi ishte që institucionet e Kosovës të mos kishin më akses në veri të vendit!

Ja kështu! U tha dhe u bë, fërkoi duart Edi. Euforinë e tij e transmetoi edhe te dy homologët e tij serb e malazez. Të tre dolën shumë të kënaqur nga ai takim! Edi po realizonte kështu premtimin e para 5-6 viteve për ta ndihmuar vëllain e tij, Sandrin, në ndarjen e Kosovës. Ndërsa Tani ishte i lumturuar që dy liderët e rajonit po i besonin atij plane kaq të rëndësishme!

Më 24 shtator skenari u vu në veprim. Pavarësisht se gjithçka dështoi, Edi dhe Sandri nuk u tërhoqën nga kërkesa për largimin e policisë së Kosovës nga veriu. U investuan në vendosjen e veriut nën protektorat. Do të donin protektorat të OKB-së, por u tërhoqën nga kjo. Kërkuan protektorat të NATO-s!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat