Kur harresa kolektive ngulfatë rrugëtimin e shëndetshëm të shoqërisë tonë, ajo bëhet armik i vetëvetes!

Opinione

Kur harresa kolektive ngulfatë rrugëtimin e shëndetshëm të shoqërisë tonë, ajo bëhet armik i vetëvetes!

Nga: Hamdi Rafuna Më: 17 janar 2024 Në ora: 13:32
Foto ilustrim

Sikurse të gjithë popujt e kësaj toke të cilët e dëshirojnë jetën, lirinë harmoninë dhe mirëqenien, edhe ne shqiptarët e një gjuhe, gjaku dhe kombi të përbashkët, ëndërruam të jemi të lirë, të edukuar, të bashkuar dhe të përparuar. U desht të kalojnë shekuj e shekuj sakrifice nëpër të gjitha këto trojet e ujitura me gjakun e të parëve tanë për të mbërri këtu ku jemi sot!

Është trishtim, pse ende n’a mungon, kujtesa, edukata, toleranca dhe harmonia ndaj rendit dhe ligjeve të shtetit për të reflektua bashkarisht drejtë përparimit si shtet dhe shoqëri normale.

Pse n’a qenka kaq e zorshme të respektojmë s’paku këto ligjet e shteteteve tona, kur dihet se nuk janë ligje të armikut, Serbisë?

Harresa personale dhe kolektive është fatkeqësia e rrugëtimit jo të dëshirueshëm dhe pa respekt për lirinë tonë! Para syve të botës, dhe në vazhdimësi,politika serbosllave nuk ndalet me kërcënime dhe shantazhe të përhershme ndaj pavarësisë tonë. Këta janë në gjendje edhe sot që të vrasin, helmojnë dhe dëmtojnë edhe njerëzit e vetë, (rasti Sadulloviç) pse zotriu në fjalë është normal dhe i njerëzishëm, por anën tjetër, kur dikush ua bën argatin e turpit, duke mbrojtë dhe favorizue gjenocidin e tyre ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve, po e njëjta Serbi e djeshme dhe kjo e sotmja, shpërblen dhe nderon përjetësisht argatin.

Mendjemadhësia e kobshme personale por edhe aventurat kolektive të disa grupeve politike në Kosovë, përherë gjejnë kohë të rrijnë mbështjellur nën flamurin e lirisë dhe t’pavarësisë. Këto monedha  të përbashkëta për tanë popullin shqiptarë, keqpërdoren sa herë që u hyn në punë interesi personal, dominimi dhe lufta për pushtet.

Prandaj për politikanët tanë, veta e parë njejës, unë dhe vetëm unë, është normë ligjore dhe ditore ndaj njëri tjetrit, diçka e përafërt dhe evidente në të dy shtetet tona shqiptare.

Të mundohesh pët t’a ngarkua  vetëveten me epitetin e tapisë së  lirisë dhe çlirimit, është një mëkat i rëndë ndaj të gjitha atyre gjeneratave që u shkrinë dhe derdhën gjakun për këto troje, dhe sidomos ndaj të gjithë heronjëve të shqipes që janë zhdukë pa gjurmë! Armiku ua humbi gjurmët trimave tanë që pasardhësit të mos frymëzohen para varrit të tyre!

Ku është varri i shqiptarit dhe fetarit Hoxhë Mulla Idriz Gjilani?

Ku është varri i patriotit dhe intelektualit  me përmasa ndërkombëtare, Ukshin Hoti?

Me këto sjellje kalamajsh ndaj kujtesës, vetëm sa jemi duke e ngulfatë ndryshimin dhe përparimin në njërën anë, kurse në anën tjetër thellojnë ndasitë, urrejtjen dhe infektojmë brezin e ri!

Se si dhe qysh janë kah rriten gjeneratat e këtyre dekadave të pas çlirimit, thuaja se të gjithë jemi dëshmitarë të një hasmërie mediatike, ndërpersonale, ndëgrupore, fetare dhe publike ndërpartiake! Politikani ynë dhe “besimtari ndryshe”, janë të përafërt kur duan të kundërshtojnë shtetin dhe ligjet e shtetit.

Ndodhë edhe kjo kur  “ekstremisti shqiptar” kundërshton të ngritet në këmbë përpara gjykatësit dhe prokurorit të shtetit tonë, Kosovës!
Ai deklarohet zëshëm duke thënë se; vetëm për t’Madhin Zot ngritem në këmbë!!

Sjellje të përafërta bën edhe politikani shqiptarë, i cili nuk ka vullnet të respektoj ligjet e shtetit, sepse edhe ky ndihet si një Zot i pa arritshëm.

Këto gërshetime të antivlerave për kombin dhe shtetin, janë konfrontimet e rradhës të cilat nuk duhet të heshten, nëse vërtetë kemi ligje dhe shtet!

Dt:17.01.2024

H.Rafuna

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat