Ma parë pranojmë vdekjen ndër ne se jetën nën robëni - Bota Sot
Ma parë pranojmë vdekjen ndër ne se jetën nën robëni

Opinione

Ma parë pranojmë vdekjen ndër ne se jetën nën robëni

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 19:11
Gjekë Gjonaj

Nën presionin dhe me vendimin e  Fuqive  të  Mëdha  (evropiane)   në vitin 1944  një pjesë e Malësisë së Madhe  gëzonte statusin e  një zone   neutrale.  Në përbërje të Zonës Neutrale nr.  2  bënin pjesë  fshatrat ( katundet)  Kojë, Luhar, Ledinë, Llopar, Përmiq, Omerbozhaj, Rakiq,  Vllanë dhe Vranë. Krijimi i Zonës Neutrale   në fshatrat e përmendura të Malësisë  sigurisht se ishte një gjë pozitive , sepse kjo zonë  mund të behej një strehë e sigurt e të gjitha veprimeve luftarake që mund të ndërmerreshin kundër  pushtuesve gjerman.

Të nxitur nga momentet historike, krerët dhe paria  e zonës  asnjanëse   në muajin gusht të vitit 1944 i drejtohen zyrtarisht  Ministrisë së Punëve të  Jashtme të Shqipërisë, që në  në këtë zonë të mos bëhet asnjë ndryshim deri në përfundimin e luftës. Këtë dokument, i cili ndodhet në Arkivin Qendror të Republikës së Shqipërisë,  e kanë nënshkruar këta atdhetarë shqiptarë: Nikollë Zefi – flamurtar ( bajraktar), Prëtash Zeka- flamurtar,Sel Beqiri, Gjelosh Shabi, Pretarsh Uci, Lucë Maxhi, Vat Martini, Bac Ethemi, Osman Bajri dhe  Ahmet Muji.

Ajo që bie në sy në këtë dokument është fakti se prej dhjetë këtyre prijësve të  fshatrave të përmendura vetëm  tre nga ata  dokumentin e kishin nënshkruar me dorë të vet, kurse të tjerët   në  mungesë të shkrimit kishin vënë gishtin. Megjithatë  mungesa e shkollimit dhe arsimimit  të këtyre prijësve të Malësisë nuk e zvogëlonte aspak  gatishmërinë dhe  vendosmërinë  e tyre  për të mbrojtur me çdo kusht  çdo pëllëmbë të tokës së të parëve të tyre, madje deri në vdekje. Për  këtas burra dhe të këtillë si ata jeta në robëri nuk kishte kuptim. Dokumentin njëfaqësh,  që mbanë datën e dërgimit 10 gusht 1944,   po e   paraqesë  në mënyrë origjinale, të plotë, pa asnjë ndryshim,  redaktim,  lektorim a ndërhyrje tjetër.  

 P.T  MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME

Ne krenë dhe pari të katundeve Koqë, Luharë, Ledinë, Llopar, Përmiq, Rakiq, Vllanë-Vranë dhe Omer-Bozhaj të Zonë Neutrale n. 2. të Malësisë së Madhe , marrim lejen  t’i drejtohemi asaj P.T Ministrie me lutje që të merrni në konsideracion sa parashtrojmë:

Zona Neutrale Nr. 2 e banuem nga nji shumicë dërmuese popullsije  shqyptare i qe shkëputë  padrejtësisht  e përdhunimisht  nënës Shqypni  me traktate që i pat diktue forca e jo drejtësija.

Raca, gjuha dhe gjaku thjeshtë shqyptar, interesat ekonomike ashtu edhe gjaku i të parve t’onë që shkojë rrëkajë për mbrojtjen e  këtyre trojeve shejte, janë prova ma e kjarta se toka  dhe populli i këtyne vuiseve me pak përjashtime janë shyqtarë e prandaj ma parë pranojmë vdekjen  ndër ne se jetën nën robëni.

Sikurse e kemi theksue edhe me telin tonë drejtue asaj  P.T. Ministri, kishte me kenë dëshiri i jonë që të mos bëhet as ma i vogli ndryshim në Zonën Neutrale deri më mbarimin e luftës. Ndryshimi i status –quo-s do të komprometonte randë gjendjen në mes t’onë dhe të  Malit të Zi.

Jemi të mendimit që Zona Neutrale të merret në dorzim nga  trupat gjermane  tue u formue nji Komitet  miks  vendas  në bazë të proporcionit të popullsisë.

Për të pasë një ide mbi proporcionin e popullsisë së Zonës Neutrale mjafton me pa  shënimet e kontrollueme që vijojnë:

Bajraku i     Kojës                    shqyptarë     418         malazezë     -------

Katund’i     Luharit                        ,,               139              ,,                 73

     ,,               Ledines-Lloparë        ,,               86               ,,                 63

    ,,                 Përmiqit                     ,,           ............            ,,               122

   ,,                  Rakiqit                       ,,                13               ,,                 66

   ,,                  Vranes                       ,,                 352             ,,                195

   ,,                  Vllanes                      ,,                 188             ,,                 34

   ,,                 Omer – Bozhaj         ,,                   62              ,,                 56

                                                         Shuma:    1258

Banorët malazezë të katundit Vranë janë le e rritë po në Vranë e të gjith flasin gjuhën shqype.

Na nuk jemi kundra askuj, por po , jemi të vendosun  me mprojtë  me armë trollin e të parve. Na nuk kemi synime as lakmina tkseore, por dëshirojm me jetue të lir nder votra t’ona.

Me nderime

Krenët dhe paria e Zonës Neutrale nr. 2. Të Malësië së Madhe. Nikollë Zefi-Bajraktar, Pretash Zeka-Bajraktar, Sel Beqiri, Ali Zeku, Gjelosh Shabi, Pretash Uci, Luc Maxhi, Vat Martini, Bac ET-Hemi, Osman Bajri, Ahmet Muji.

Nga ky dokument  mund të nxjerr këtë përfundim.  Firmëtarët e kësaj shkrese zyrtare dhe gjithë patriotët e tjerë shqiptarë që gjatë shekujve mbrojtën  tokën e  të parëve janë shembulli më i madh  i të mbajturit të moralit dhe meritave të trashëguara    për fisnikërinë   dhe për kapacitetin e tyre që, megjithëse  për shekuj  me radhë kanë qenë nën ndikimin tiranik dhe zhvleftësues,  e mbajnë përsëri     kryet lart, nuk  i humbën  shpresat  e veta dhe gjithnjë thonë se  jemi shqiptar, qoftë edhe në mes të zjarrit. Fjala e besës  së tyre për mbrojtjen e tokave shqiptare ka qenë  shumë më e  shenjtë se sa bëmat e mëdha të Fuqive të Mëdha të cilat  me vendimet e tyre të padrejta  e  dëmtuan kombin tonë.  Por  shqiptarët edhe në rrethana të disfavorshme historike dëshmuan se janë  mbi të gjitha popull fisnik e liridashës,  të cilët me gjakun e tyre mbrojtën  nga pushtuesit  çdo pëllëmbë  toke arbërore.  Këto dhe virtyte të tjera të shqiptarëve, me të cilat jemi të njohur në mesin e popujve të tjerë të globit, duhet  të jenë fyrmëzim për krerët tanë të sotëm dhe  për brezat që vijnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test