Ndarja e Kosovës dhe “Gjykimi i Solomonit”

Opinione

Ndarja e Kosovës dhe “Gjykimi i Solomonit”

Nga: Sadik Elshani Më: 26 qershor 2018 Në ora: 06:07
Sadik Elshani

Kohëve të fundit, nga pala serbe e nganjëherë edhe nga pala shqiptare, po flitet për disa skenare të mundshme për zgjidhjen e ëeshtjes së Kosovës me Serbinë, asnjëra në dobi të Kosovës. Një nga këto skenare është edhe ndarja e Kosovës. Një skenar i tillë as që duhet të merret parasysh nga pala shqiptare, sepse Serbia ende ka nën sundimin e saj mjaft toka shqiptare: Sanxhakun dhe Luginën e Preshevës, e mos ta harrojmë edhe Veriun e Kosovës. Një skenar po ashtu i papranueshëm është edhe këmbimi i teritoreve, kupto, teritoreve shqiptare me teritore shqiptare, ne dobi të Serbisë. Edhe ky skenar duhet të jetë i papranueshëm, sepse Serbia nuk dinë kur është mjaft, nuk ngopet kurrë me toka shqiptare. Ia jep gishtin, ta kërkon dorën – është një thënie, ndërsa Serbia të kërkon tërë trupin.

Kur po dëgjoj për ndarje të Kosovës, që siç po duket është një opcion i parapëlqyer nga Serbia, mendja po më shkon te “Gjykimi i Solomonit”, rrëfimi nga Bibla hebraike për mbretin Solomon të Izraelit. Shkurtazi, dy gra pohonin se i njejti fëmijë (djalë) i përkiste njëres prej tyre dhe shkojnë te mbreti Solomon për të kërkuar drejtësi. Për të vërtetuar se cilës grua i takonte fëmija, mbreti Solomon e përdori zgjuarësinë, mençurinë e tij: u propozoi grave që ta ndante fëmijën për gjysëm dhe secila ta merrte nga një gjysëm. Grauja që e dinte se ai nuk ishte fëmija i saj u pajtua, por gruaja tjetër që ishte e sigurtë se fëmija ishte i saj nuk u pajtua kurrësesi që të ndahej fëmija për gjysëm dhe ajo iu lut Solomonit që të mos e bënte këte. I tha atij që gruaja tjetër mund ta merrte fëmijën, vetëm fëmija të jetojë. Atëherë Solomoni e kuptoi se i ciilës grua ishte ai fëmijë. Pra, Serbia po e kërkon ndarjen e Kosovës, sepse është e vetëdijshme se Kosova nuk i takon asaj, por vetëm është duke u munduar të gllabërojë një pjesë të saj. Po ashtu, Kosova nuk është as pronë e atyre politikanëve shqiptarë që e përkrahin ndarjen e Kosovës vetëm për t’i kënaqur “miqtë” tanë ndërkombetaër, për të mbetur vetë në pushtet. Kosova nuk është monedhë për kusurim dhe as pronë e atyre që po mundohen që ta zgjidhin këtë çështje sa për ta hequr qafe, pa marrë parasysh rrjedhojat katastrofike për popullin e Kosovës. Ata që po mundohen te ëejnë tregti me trojet tona për përfitime të përkohshme, janë duke i hedhur farat e trazirave të përhershme, tragjedive të ardhshme. Këtë për fat të keq e ka vërtetuar mirë historia jonë. Sikur trojet tona të mos ishin ndarë në vitin 1913, shumë probleme, tragjedi të mëvonshme nuk do të kishin ndodhur kurrë.

Kosova, “djepi” dhe varri i Serbisë

Pasi asnjë fakt, argument për mëtimet (pretendimet) e Serbisë ndaj Kosovës nuk janë në anën e saj, atëherë serbët kanë krijuar mite për Kosovën si djepi i tyre, Jerusalemi i tyre, zemra e tyre. Është vështirë qëë mitet të zhvishen, sepse lehtë nguliten në mendjen e njeriut dhe bëhen pjesë e identitetit të tij, qofshin ato edhe të rrejshme, siç është rasti i serbëve dhe Kosovës. Si është e mundur që dikush ta braktisë “djepin e qytetërimit” të tyre?!Në “djepin” e Serbisë ëe Kosovë, në djepin e andrrallave të saj përkunden vetëm interesat, joshjet, lakmitë për pasuritë e Kosovës, sepse djepin e tyre të vërtetë ka shekuj që e kanë lënë andej përtej Karpateve. Në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar kur serbët ishin të bindur se e kishin siguruar Kosovën dhe iu versulen Krajinës dhe trojeve tjera në Kroaci, atëherë filluan të theksonin rëndësinë e Krajinës si “Zemra e Serbisë”. Atëherë mendova me vete se, ç’u bë me “zemrën” e tyre, Kosovën?! Siç duket zemra e Serbisë është një zemër lëvizëse, aty ku janë interesat e Serbisë është edhe “zemra” e tyre. Po ashtu, sa herë që e dëgjojeë se Kosova është djepi i Serbisë, ëe mendje më vjen një varg, vargu i fundit nga vjersha e Migjenit, “Kangët e pakëndueme”: “Unë djepi juej; ndoshta vorri juej”. Kosova, jo djepi i Serbisë, por varri i saj. Kosova nuk ka qenë me aq fat në historinë e tyre dhe sa më parë që ta braktisin atë aq më mirë për të gjithë, aq më pak varre njerëzish të pafajshëm. Serbët dhe të tjerët duhet ta kuptojnë, njëherë e përgjithmonë, se Kosova është vetëm djepi i shqiptarizmit dhe i askujt tjetër.

Një argument shumë i fortë në dobi të Kosovës

Të gjithë faktorët historikë, demografikë e dëshmojnë se Kosova gjithmonë ka qenë ilire (dardane) e shqiptare dhe nuk ka nevojë që në këtë shkrim të përqëndrohemi më tepër në këtë temë. Por, është edhe një faktor shumë i rëndësishëm, një faktor moral e ligjor që shkon në dobi të çështjes së Kosovës: keqtrajtimi, gjenocidi, përpjekjet e Serbisë ndër shekuj për shfarosjen, për çrrënjosjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. N’Amerikë, ku jetoj unë e besoj se e njejta gjë zbatohet edhe në vendet tjera përendimore: nëse prindërit i keqtrajtojnë fëmijët e tyre, abuzojnë me ta, atëherë shërbimet sociale i largojnë fëmijët nga prindërit e tyre dhe i vendosin në familje të tjera apo institucione perkatese per kujdesin e tyre. Prinderit mund te kontaktojne me femijet e tyre, vetëm kur fëmijët e arrijnë moshën e pjekurisë, dhe kjo me pëlqimin e tyre. E ç’kanë hequr shqiptarët nën dhunën serbe?! Atëherë, si disa shtete përendimore ende mundohen që ta lënë Kosovën nën sundimin serb. Kjo është kundër të gjitha parimeve njerëzore dhe vlerave morale të qytetërimit përendimor. Pra, Kosovën duhet larguar larg e më larg nga abuzuesi i saj gjenocidal, Serbia. Mjafton vetëm ky faktor për t’ia mbyllur gojën Serbisë dhe përkrahësve të tyre që e përkrahin “pronësinë” serbe të Kosovës.

Kali trojan i Serbisë

Serbia e ka shumë të vështirë të heqë dorë nga Kosova (më tepër për konsumin e saj të brendshem). Edhe pse në këtë çast historik ajo e ka humbur kontrollin e drejtpërdrejtë, ajo është duke u munduar që ta sigurojë praninë e saj përmes “Kalit trojan”, Listës serbe dhe Asociacionit të Komunave Serbe. Kosova deri dje ishte rob i Serbisë, ndërsa sot përmes Listës serbe është bërë peng i saj. Shumë nisma, shumë ligje janë duke u bllokuar nga Lista serbe,sepse udhëheqësit shkurtpamës, apolitik (jopolitik) e joatdhetarë shqiptarë për hir të ambicjeve të tyre të sëmura, etjes për pushtet,  e kanë futur Listën serbe në vallen politike ku po luhet me fatet e Kosovës, i kanë dhënë asaj një rol vendimmarrës që nuk e meriton. Në vend se të bashkohen me njëri -  tjetrin, ata e kërkojnë ndihmën e Listës serbe për ta mbajtur pushtetin, që ashtu – ashtu është i paralizuar. Është nevojë e domosdoshme dhe e përngutshme që të pengohet Lista serbe që të forcohet në kurriz të shqiptarëve, ndërsa Asociacioni kurrësesi nuk duhet lejuar që të ketë fuqi, autoritet ekzekutiv – kjo do të jetë vetëm një dorë e zgjatur e Serbisë për ta përgatitur terrenin për t’u ulur këmbëkryq në një të ardhme jo të largët. Dardha e ka bishtin prapa, thotë një fjalë e urtë e jona. Dhe këtë duhet ta dinë mirë udhëheqësit tanë.

Prandaj, nevojitet mençuri, pjekuri, durim në bisedimet me Serbinë duke shikuar vetëm interesat e Kosovës dhe të askujt tjetër. Duke shikuar sesi po na trajton BE-ja, nuk po dihet se kush është agresori e kush është viktima. Për këtë një pjesë të fajit e kanë edhe udhëheqësit tanë që me paaftësitë e tyre e deri diku edhe të komprometuar nuk po janë në gjendje që ta mbrojnë çështjen e Kosovës. Një fotografi mjaft domethënëse u publikua në “Bota sot” ku në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, Vuçiqi përpara kishte një grumbull me letra (dokumente, plane, propozime, djallëzira…), ndërsa Thaçi asgjë. Me duar në xhepa nuk mbrohet çështja e Kosovës, shteti i Kosovës. Duhet meë tepër përkushtim, seriozitet e atdhedashuri.

Filadelfia, 25 qershor, 2018

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat