Ura e tradhtuar - Bota Sot
Ura e tradhtuar

Politika

Ura e tradhtuar

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 8 janar 2019 Në ora: 07:50
Ura e ibrit

Tash kur punimet e urës së Ibrit kanë gati një vit që kanë përfunduar, ajo vazhdon të jetë e mbyllur.

Bashkimi Evropian i cili kishte financuar me më shumë se 1 milion euro projektin për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër, ajo ende nuk është liruar për qarkullim të lirshëm të veturave.

Lidhur me hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, kemi dëgjuar shumë adresa të fajtorëve. Ish kryenegociatorja Edita Tahiri, kishe thënë se mos hapja e urës së Ibrit është dështim i BE-së, ndërsa kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri kishe fajësuar Goran Rakiçin për vazhdimin e bllokimit të urës së Mitrovicës. Bahtiri kishte premtuar se në hapjen e urës së Ibrit, do të performonte këngëtarja me famë botërore, Shakira.

“Bota sot” ka dërguar pyetje me shkrim në komunën e Mitrovicës për t’u informuar se cilat janë të rejat nga hapja e urës, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Barani: Çështja e urës nuk mund të jetë pjesë e dialogut

Kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, ka komentuar rreth kësaj çështjeje për “Bota sot”, duke thënë se kjo është një problem më i madh se sa mendohet. Ai thotë se telat gjemborë në urë nuk i ka vendos, me 26 qershor 1999 as Kosova e as Serbia por ushtria franceze dhe sigurisht jo pa marrëveshje me BE.

Image
Hali Barani

“Sa i përket planit për lëshimin e urës është problem pak më i madh se sa mendohet. Telat gjemborë në urë nuk i ka vendos me 26 qershor 1999 as Kosova e as Serbia, por ushtria franceze dhe sigurisht jo pa marrëveshje me BE. Besoj se çështja e urës nuk mund të jetë pjesë e dialogut”, ka thënë ai.

Barani më tej ka shtuar se nëse përkrahet nisma që ka marr kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ajo mund edhe të realizohet.

“Unë jam i bindur se nëse përkrahet nisma që ka marr kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ajo mund edhe të realizohet por me përkrahjen e qeverisë së Kosovës dhe kryetarit të Kosovës. Kur e them këtë kam parasysh se dy komuna i kanë bërë shqiptarët dhe këta mund të kthejnë prapë një komunë, e posaçërisht në këtë kohë që pjesa e okupuar ka mbetur pa kryetar. Shqiptarët e kanë bërë dhe prapë besoj se mund ta zhbëjnë por edhe me përkrahjen e BE-së”, ka nënvizuar Barani.

Makolli: Ngecja e lëshimit të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, lojë e serbëve

Image
Vesel Makolli

Vesel Makolli, zyrtar në qeverinë e Kosovës, tha për “Bota sot” se ngecja e lëshimit të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, nuk ka të bëjë aspak me anën Jugore të Mitrovicës gjegjësisht me faktorin shqiptar, por është lojë e serbëve. Gjithashtu, ai fajëson edhe faktorin ndërkombëtar.

“Ngecja e lëshimit të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, nuk ka të bëjë aspak me anën Jugore të Mitrovicës gjegjësisht me faktorin shqiptar, por kryekëput është lojë e komunitetit serb të Kosovës sidomos të pjesës veriore nga lumi Ibër. Po ashtu, ndikim të madh ka edhe faktori ndërkombëtar, i cili nuk po bënë trysni të duhur te ana serbe për t’iu përmbajtur marrëveshjeve ndërkombëtare, për hapjen e urës. Nuk është hera e parë që pala serbe nuk i përmbahet asnjë marrëveshjeje, por bile shpesh edhe bënë shkeljen e tyre”, është shprehur Makolli.

Ai mendon se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të vendoset në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Të gjitha mosmarrëveshjet apo kontestet që janë, e që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës dhe që ndikojnë në funksionalizimin normal të shtetit në çdo pjesë të territorit të tij, duhet të vihen në tavolinën e bisedimeve. Në kohen e fundit kemi pas shume lëvizje diplomatike, si në vend ashtu edhe nga faktori ndërkombëtare, andaj ka indikacione që do të kemi lëvizje të theksuar në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e monitoruar nga SHBA dhe BE, e me këtë marrëveshje do të zgjidheshin çështjet kruciale, e kjo do të thotë se me automatizëm do të zgjidhej edhe çështja e urës mbi lumin Ibër”, theksoi Makolli për “Bota sot”.

Lepaja: Kjo ndërlidhet edhe me kontrabandën e mallrave

Image
Fadil Lepaja

E njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja ka thënë se çështja e urës është pasqyrë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çështja e urës është pasqyrë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Serbët e shtrojnë si çështje të sigurisë ndërsa pala kosovare si çështje të lirisë së lëvizjes. Çdo ndryshim në këto marrëdhënie reflektohet në urë, edhe pse kjo ndërlidhet edhe me kontrabandën e mallrave serbe në Kosovë”, ka thënë Lepaja.

Derisa liria e lëvizjes ishte dhe është pjesë e dialogu ura vetvetiu është pjesë e këtij dialogu, është shprehur Fadil Lepaja.

“Derisa liria e lëvizjes ishte dhe është pjesë e dialogu ura vetvetiu është pjesë e këtij dialogu, por zgjidhja e këtij problemi ndërlidhet edhe me çështjen e asociacionit kështu që edhe në të ardhmen shumëçka nga marrëdhëniet tona do të shihet pikërisht në urë”, ka nënvizuar ai.

Paçarada: Nëse hapet ura, bëhet kaos i biznesit

Image
Agron Paçarada

Qytetari i Mitrovicës, Agron Paçarada ka thënë se dialogu me Serbinë s’ka të bëjë me këtë çështje. Ai shprehet se shumica e deputetëve enden andej çdo javë, sepse sipas tij, ata i kanë interesat me naftë dhe gjësendet ushqimore.

“Çështja e hapjes së urës së Ibrit nuk ka të bëjë me dialogun në Bruksel. Kjo është më tepër një lojë biznesi. Shumica e deputetëve, enden këndej çdo javë, sepse i kanë interesat me naftë dhe gjësendet ushqimore kryesisht”, ka thënë Paçarada.

Ai mendon se nëse hapet ura e Ibrit, do të jetë një kaos i biznesit.

“Por, çdo kush mundet të vij e të vizitojë pjesën që ne e quajmë “Mahalla e Boshnjakëve”. Full është me mallra serb, boshnjak, shqiptar. Shit blerje gjithandej. Nëse hapet ura, bëhet kaos i biznesit, humbin ata të cilët e mbajnë gjalle për momentin, sepse konkurrenca do t’i rrëzoj”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...