Zëvendësministri tregon objektivat e Qeverisë për ndaljen e migrimit

Politika

Zëvendësministri tregon objektivat e Qeverisë për ndaljen e migrimit

Nga: D. B Më: 14 janar 2019 Në ora: 10:55
Vesel Makolli

Një numër i madh i të rinjve nga Kosova, që paraprakisht ishin pajisur me viza pune, ditë më parë morën rrugën për në Kroaci, me qëllim që të gjejnë vende pune dhe një jetë më të mirë. 

Interesimi i të rinjve për ta lënë Kosovën vije për shkak se Institucionet e vendit nuk bënë asgjë që ata të mos e braktisin vendin e tyre.

Situata nuk ka ndryshuar thuajse fare nga fundi i vitit 2014 kur shumë qytetarë në mënyrë masive morën rrugën për në Hungari, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.

Vesel Makolli, zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, mendon se rasti i Dardanës kjo nuk ka të bëj me ikjen e përgjithshme nga Kosova.

Ai ka thënë për “ Bota sot” se sipas informatave zyrtare që posedon këtu kemi të bëjmë me disa persona që kanë viza pune dhe të cilët pas festave, në fund vitit kthehen në vendet e tyre të punës.

“Ky rast nuk ka të bëjë fare me rastin e vitit 2014, andaj mjetet e informimit nuk duhet që t`i zmadhojnë gjërat dhe të krijojnë huti në opinion. Ka dallim esencial në mes të këtyre personave që udhëtojnë me vizë pune, dhe atyre nga viti 2014, të cilët nuk kanë poseduar kurrfarë dokumentacioni, por nga një eufori dhe shumë dezinformata që në atë kohë u krijuan, duke ia mësyrë vendeve të perëndimit”, ka thënë Makolli, duke shtuar se jemi duke jetuar në kohën e demokracisë dhe në Evropën e bashkuar, ku kufijtë shtetëror janë më shumë vetëm simbolik, dhe qytetaret janë të lirë të lëvizin dhe të gjejnë punë në cilëndo pjesë të saj.

Sipas tij, Institucionet e vendit duhet të punojnë për një zhvillim sa më të madh ekonomik të vendit, pasi kjo nënkupton edhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Arritja e këtyre objektivave bëhet me stabilizimin e brendshëm politik dhe institucional, luftimin e korrupsionit dhe pengesave tjera, si dhe krijimin e klimës së përshtatshme, për thithjen e investimeve të jashtme. Qeveria jonë punon permanent për ti arritur këto synime, se vetëm një zhvillim i mirëfilltë ekonomik krijon kushte që rinia jonë të realizojë ëndrrat e tyre, në shtetin e vet”, është shprehur Vesel Makolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat