“Xhavit Haliti ka vjelë në mënyrë dinake meritat e UÇK-së dhe të FARK-ut”

Politika

“Xhavit Haliti ka vjelë në mënyrë dinake meritat e UÇK-së dhe të FARK-ut”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 23 janar 2019 Në ora: 14:23
Foto ilustrim "Bota sot"

“Deklarata e Xhavit Halitit nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësi e politikave të tij që kanë pasur për qëllim çdo herë që të përçaj zakonisht grupet guerile edhe gjatë luftës edhe pas luftës, pra ka qenë njeriu kyç që ka luajtur rolin më negativ në çështjen e bashkëpunimit e partive politike në Kosovë”, thotë publicisti Gazmend Islami për gazetën “Bota sot”.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit ish anëtar i LPK-së, Xhavit Haliti në një deklaratë të tij ka thënë se, nuk ka asnjë argument se ka ekzistuar FARK-u (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës), gjatë luftës  kundër Serbisë.

“Nuk ka asnjë argument që ka pasur FARK. Mirë që kanë luftuar por FARK nuk ka pasur, ata që kanë luftuar, në rregull. Po s’ka pasur punë, unë e di më mirë se çdokush se çfarë ka qenë FARK-u”, është shprehur Xhaviti.

Kjo deklaratë e tij ka ngjallur reagime të mëdha të opinionit, e në veçanti te njerëzit që e njihnin luftën dhe ata që bënin pjesë në të.

Ramabaja: FARK ishte kategori kushtetuese në bazë të kushtetutës së Kaçanikut

Miku i afërt i kolonel Tahir Zemajt, ish majori Nazif Ramabaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se FARK ishte kategori kushtetuese në bazë të kushtetutës së Kaçanikut 7 shtator 1990. Ai thotë se dëshmia më e mirë që ka ekzistuar FARK-u, është betimi që është dhënë edhe nga ai vetë para kolonelit Ahmet Krasniqit.

Image
Majori Nazif Ramabaja

“Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës ishin kategori kushtetuese në bazë të kushtetutës së Kaçanikut 7 shtator 1990 dhe ligjit për Mbrojtje të v.1993. Se a ka ekzistuar FARK-u në luftë dhe a ka dëshmi, janë bërë publike shumë herë, por për t’i demantuar ata të cilët thonë se s’ka fakte po u a bëjë me dije se betimin e kem dhënë pran komandantit të shtabit suprem të forcave të armatosura të Republikës së Kosovës kolonel Ahmet Krasniqi”, është shprehur majori.

Tutje Ramabaja thotë se ka shumë dëshmi të tjera, ndërsa i dërgon mesazh Halitit se vetë ai ka qenë pjesëtar i FARK-ut dhe këtë majori e thotë me bindje të madhe.

“Dëshmi janë xhirimet e bëra më 21 qershor 1998 në Papaj, me të cilat opinioni është i njohur dhe paraqitjen e kolonel Ahmet Krasniqit para ushtarëve dhe oficerëve duke ja dorëzuar flamurin e luftës kolonel Tahir Zemajt dhe uruar betimin e dhënë si komandant i shtabit suprem i FARK-ut. Është e njohur për të gjithë ata të cilët kanë njohuri ushtarake se oficerët në komandimin dhe udhëheqjen e operacioneve shfrytëzojnë hartat topografike në të cilat planifikojnë operacionet luftarake. Krejt në fund për të qenë i qartë ja përkujtoj edhe njëherë Xhavit Halitit se unë jam pjesëtar i FARK-ut deklarativisht e them këtë pa kurrfarë presioni, por me dëshirë dhe bindje të madhe, a s’të duket kjo dëshmi nga një epror i karrierës i cili deklarohet publikisht se ishte pjesë e FARK-ut”, ka nënvizuar Ramabaja.

Majori tutje thotë se, Haliti me bashkëpunëtorët e tij nuk e kanë pranuar asnjëherë deklaratën e pavarësisë së 2 korrikut 1990.

“S’është për t’u habitur për deklarimet e Halitit të bëra dhe mohimin e ekzistencës së FARK-ut kur kem parasysh se ai dhe argatët e tij të Lëvizjes asnjëherë se keni pranuar deklaratën e pavarësisë 2 korrikun 1990, as 7 shtatorin kushtetutën e Kaçanikut, por as referendumin e vitit 1992, një gjë është e qartë se themelet e pavarësisë së Kosovës janë ngritë mbi këto akte deshe apo s’deshe ta pranojë ky është problem i tij personal, por jo edhe i shoqërisë sonë dhe forcave progresive përparimtare”, potencoi majori.

Islami: Haliti ka pasur qëllim çdoherë që të përçaj zakonisht grupet guerile

Lidhur me deklaratën e ish anëtarit të LPK-së Xhavit Haliti, se nuk ka argumente se ka ekzistuar FARK-u në Kosovë, ka reaguar edhe publicisti Gazmend Islami.

Ai në një prononcim për “Bota sot” i quan deklarata përçarëse ato të Halitit, duke thënë se po të mos ekzistonte FARK-u, nuk do të mbahej as marrëveshja e Oslos e cila kishte nxjerrë 12 pika. Sipas Islamit, në 12 pikat e marrëveshjes së Oslos parashihej që fillimisht lufta ndaj Serbisë të bëhej nën ombrellën e UÇK-së, e pastaj kur lufta të bëhej e hapur, të kalonte nën udhëheqjen e FARK-ut.

“Deklarata e Xhavit Halitit nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësi e politikave të tij që kanë pasur për qëllim çdo herë që të përçaj zakonisht grupet guerile edhe gjatë luftës edhe pas luftës, pra ka qenë njeriu kyç që ka luajtur rolin më negativ në çështjen e bashkëpunimit e partive politike në Kosovë. Deklarata e tij se nuk ka ekzistuar FARK-u, janë krejtësisht të pavërteta për arsye se po të mos ekzistonte FARK-u nuk do të kishte mundësi që të mbahej takimi i Oslos, takim ky që ka nxjerrë 12 pika që dëshmojnë se ka pasur dy grupacione luftarake që ishte UÇK dhe FARK që udhëhiqej nga koloneli Ahmet Krasniqi. Marrëveshja e Oslos ishte e tillë që lufta ndaj Serbisë të bëhej nën ombrellën e UÇK-së, e që përfshihej sigurisht edhe FARK-u, mirëpo kur lufta të bëhej e hapur, ajo të kaloj nën udhëheqjen e FARK-ut. Pra ky është edhe dallimi i asaj se çfarë kanë folur në Oslo”, është shprehur Islami.

Sipas tij, mosimplementimi i marrëveshjeve të Oslos, ka të bëjë me udhëheqësit e LPK-së.

Image
Gazmend Islami

“Mirëpo, pa dashur që të hymë në detaje veç e veç, dimë veç të themi se, dinakëria e Xhavit Halitit është ajo që ka ndarë apo më mirë të themi nuk e kanë implementuar marrëveshjen e Oslos e cila marrëveshje ka 12 pika, dhe në këto pika është marrë vesh që të ketë vetëm një trup të përbashkët, të vazhdohet me dy fronte të përkrahet lufta dhe nga momente të caktuar nga UÇK të merret vendimi që këto të operojnë nën formatin e FARK-ut, por fatkeqësisht nuk kanë mundur asnjëherë që të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë dhe arsyeja e vetme është që njerëzit kryesor të LPK-së, siç ishin Xhavit Haliti, Hashim Thaçi, Azem Syla e Kadri Veseli, pra çdo herë kanë pasur prapavijën e tyre që t’i eliminojnë strukturat udhëheqëse të FARK-ut në mënyrë që këta të mos ndihen të rrezikuar për pushtetin e ardhshëm që lakmonin ta kishin pas luftës. Kjo ngjallë edhe dyshimet e vrasjes së Ahmet Krasniqit dhe dyshimet e shumta që Xhavit Haliti është koka e të keqes në Kosovë dhe mund ta them me përgjegjësi të plotë se Xhavit Haliti asnjëherë nuk e ka takuar komandantit legjendar Adem Jashari e as komandantin e parë të UÇK-së, Zahir Pajazitin”, tha Islami.

“Xhavit Haliti ka vjelë në mënyrë dinake meritat edhe të UÇK-së dhe FARK-ut”

Islami tutje shton se në Kosovës kanë vepruar dy zona kryesore, ajo e Llapit që udhëhiqej nga komandanti i parë i UÇK-së, Zahir Pajaziti dhe ajo e Drenicës që udhëhiqej nga komandanti legjendar Adem Jashari.

“Pra, nëse bëjmë një analizë të gjithë kësaj, mund të nxjerrim që gjatë veprimtarisë së UÇK-së brenda Kosovës që ishin dy zona kryesore që operonin, pra zona e Llapit dhe zona e Drenicës, e Llapit ishte që udhëhiqej nga Zahir Pajaziti dhe përfshinte gjysmën e Kosovës, mirëpo klika e LPK-së ishte jashtë këtyre strukturave dhe nuk kishte të bënte asgjë me veprimtarinë që bënte UÇK-ja brenda territorit të Kosovës. Pra, dua të them se Xhavit Haliti ka vjelë në mënyrë dinake meritat edhe të UÇK-së që ishin brenda Kosovës, e gjithashtu edhe meritat e FARK-ut që kanë vepruar brenda Kosovës siç ka qenë Sali Çekaj etj”, ka nënvizuar Islami.

Deklarata e tij ka ngjallur reagime, e një nga ata zëra është edhe ish gazetari i luftës, Rexhep Shahu, i cili vepronte në Kukës të Shqipërisë gjatë asaj kohe.

Shahu për “Bota sot” kritikon Xhavit Halitin me ironi për atë deklaratë duke thënë se, nëse Haliti nuk ka qenë asnjëherë në Kukës, Has e Tropojë, nëse ai nuk ka sy, atëherë FARK-u nuk ka ekzistuar.

Shahu: Ushtarët e FARK-ut kanë qenë realitet

Shahu thotë se ai vetë i ka parë qindra ushtarë të FARK-ut, është përshëndetur me ta para se të hynin në luftë në Kosovë dhe se janë plotë të tillë me emra e mbiemra. Këtë deklaratë të Halitit, Shahu e quan turpëruese.

Image
Rexhep Shahu

“Nëse Xhavit Haliti nuk ka qenë asnjëherë në Kukës, Has e Tropojë, nëse Xhavit Haliti nuk ka qenë kurrë në Kolsh e në Kalimash të Kukësit, në Tropojë, nëse Xhaviti nuk i ka pas sytë me vete, veshët me vete por ka qenë qorr e shurdh atëherë nuk ka pas FARK. Unë i kam parë me sytë e mi qindra e qindra trupa të FARK-ut dhe më vjen turp të bëj logje sot me lloj lloj Xhaviti. I kam parë me sytë e mi, i kam prekë me duar, jam përshëndetë kur hynin në luftë në Kosovë. Janë njerëz me emra e mbiemra, janë plotë ushtarë dhe është krim i rendë dhe i poshtër të thuash se nuk kanë qenë, nuk ka pas FARK. Qindra e qindra ushtarë të FARK-ut kanë qenë legalë dhe nuk kanë qenë ilegalë si Xhaviti nëpër Kukës. Ushtarët e FARK-ut kanë qenë realitet, kanë qenë të grupuar, stërviteshin në Kolsh e Kalimash, nuk rrinin skutave me Xhavitat, kanë qenë legalë, institucionalë, përgatiteshin dhe hynin në luftë nuk endeshin kafeneve si Xhavitat”, është shprehur Shahu.

Sipas tij, nëse nuk ka ekzistuar FARK-u, nuk ka ekzistuar as Xhavit Haliti, por hija dhe fantazma e tij. Gjithashtu, Shahu tregon një rast me ushtarët e FARK-ut.

“Më vjen shumë keq e turp të mohohet lufta, kontributi, pjesëmarrja e ushtarëve të FARK në luftë. Nëse nuk ka ekzistuar FARK, trupat e FARK, ushtarët e FARK, nuk ka ekzistuar kurrë Xhavit Haliti por hija e tij, fantazma e tij. Kur mohohet sot kontributi i ushtarëve të luftës, i ushtarëve të FARK-ut që janë gjallë, vajmedet çfarë do të bënin Xhavitat pas 50 vjetëve. Unë shkoja dy tre herë në javë në Kolsh, rrija me ushtarët e FARK-ut në qendrën e tyre të stërvitjes. Një natë dhjetori 1998 mbi 10 kamionë ushtrie vuri në dispozicion të trupave të FARK-ut që ishin në Kolsh gjenerali Kudusi Lame dhe trupat e FARK-ut udhëtuan nga Kukësi në Tropojë e nga Tropoja në Vlahen dhe hynë në Kosovë në rajonin e Suharekës. Unë i kam parë me sytë e mi dhe unë u besoj syve të mi më shumë se përrallave të Xhavitave. Ky është vetëm një detaj, por janë dhjetëra e dhjetëra histori me ushtarë të FARK-ut”, ka treguar Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat