Kryeziu: Kosova ka humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016

Politika

Kryeziu: Kosova ka humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016

Nga: N.H Më: 27 janar 2019 Në ora: 10:57
Taulant Kryeziu

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Kosova ka humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak mungesës së konsensusit të spektrit politik.

“Sa i përket procesit liberalizimit vizave, Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike. Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit i cili i ka kushtuar qytetareve te Kosovës tre vite bllokadë dhe izolim”, ka thënë Kryeziu.

Kryetari i Bordit të Institutit “EPIK” konsideron se  institucionet vendore nuk duhet të përmendin datat rreth çështjes së liberalizimit të vizave dhe në vend të kësaj ai ka propozuar fokusim në vazhdimin e përmbushjes së të gjitha 95 kritereve.

“Tani sa i përket vitit 2019, konsideroj se institucionet e Kosovës nuk duhet të përmendin datat rreth çështjes së liberalizimit të vizave dhe në vend të kësaj duhet të fokusohen në vazhdimin e përmbushjes së të gjitha 95 kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit”, ka thënë ai.

Tutje, ai thekson se vetëm nëse Kosova shënon progres të shtuar në këtë drejtim, mund ta kthej procesin e liberalizimit të vizave në agjendën e institucioneve të BE-së.

“Nëse Kosova shënon progres të shtuar në këtë drejtim, procesi i liberalizimit të vizave mund të kthehet në agjendën e institucioneve të BE-së dhe të progresoj në kuadër të gjashtë hapave procedural të mbetur për të siguruar lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës. Progresi do të nënkuptonte ndalimin e presionit politik mbi sistemin e drejtësisë dhe garantimin e një mjedisi pozitiv, transparent dhe kredibil të sistemit drejtësisë i cili bazohet në punën e njerëzve profesionist, apolitik dhe me integritet publik. Një qasje e tillë do të kthente besimin në sistemin e drejtësisë i cili është lënduar rëndë kohëve të fundit”, ka theksuar kryetari i institutit “EPIK”.

Krejt në fund, ai ka nënvizuar se vetëm një qasje e tillë serioze mund të jetë levë e presionit pozitiv që të bëhemi pjesë e zonës Shengen.

“Së dyti, sistemi i drejtësisë duhet të tregoj rezultatet konkrete në trajtimin e suksesshëm të rasteve të profilit të lartë të korrupsionit. Në kuadër shënimit të javës së luftës kundër korrupsionit të gjithë kemi parë mesazhe të qarta të Ambasadorëve të shteteve mike të Kosovës rreth nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë dhe rëndësisë të progresit në këtë fushë.  Vetëm qasje e tillë serioze mund të jetë levë e presionit pozitiv që Kosova mund ti bëjë vendeve anëtare ku dëshmohet qe kemi arrit te jemi storie e suksesit dhe meritojmë të jemi pjesë e zonës Shengen”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, kryetari i Bordit të Institutit “EPIK”, Taulant Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat