Haradinaj një politikan i momentit, miqësia me SHBA-në e përjetshme

Politika

Haradinaj një politikan i momentit, miqësia me SHBA-në e përjetshme

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 30 janar 2019 Në ora: 11:59
Ramush Haradinaj

Është konstatuar se janari është muaji më depresiv i gjithë vitit. E kush më shumë se sa qytetarët e Republikë së Kosovës, e ka ndjerë barrën e rëndë të janarit këtyre ditëve.

Viti nisi me lajmin e hidhur për mos liberalizimin e vizave dhe vazhdoi me grevat në arsim, shëndetësi dhe sektorë të tjerë publik. 

Qeveria e Kosovës është duke u përballur me një krizë të ashpër shoqërore e politike.  Taksa ndaj produkteve serbe, që u vendos në nëntor të vitit të kaluar, po vazhdon të hasë në kundërshtime të shumta ndërkombëtare dhe vendore.

Qeveria Haradinaj, është vënë para dy zgjidhjeve të vështira: Heqjen e kësaj takse dhe përmbushjen e kërkesës së partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtar të Kosovës ose mbajtjen e kësaj takse, duke përmbushur egon patriotike ndaj Serbisë dhe duke rënë në kundërshtim me kërkesat e SHBA-së, Gjermanisë e BE-së.

Edhe kërkesa e qeverisë për njohjen e Kosovës nga Serbia në këmbim të heqjes së taksës, është e çuditshme dhe shkon deri në absurditet. Çfarë i duhet Kosovës njohja e Serbisë, kur e kanë njohur më shumë se 100 shtete.

Pse duhet të lidhet fati dhe e ardhmja e Kosovës me njohjen nga Serbia e nuk duhet të lidhet me diplomacinë dështake të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Arritja e një marrëveshjeje finale me Serbinë është obligim ndërkombëtar i Kosovës.

Dialogu duhet të vazhdojë të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetet nga SHBA.

Çdo veprim në kundërshtim me këtë, do ta vështirësonte edhe më tutje perspektiven euro-atlantike të Kosovës.

Me kërkesat për vazhdimin e mbajtjes së taksës, kryeministri Haradinaj po e zhvleftëson ekipin negociator që u votua në Kuvend nga deputetët e koalicionit PAN.

Këtë ka filluar ta vërej edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila si duket po e pret momentin e volitshëm për ta braktisur Haradinajn, natyrisht siç ka bërë me Qeveritë e kaluara.

Duke u thirrur në partneritetin ndërkombëtarë, politikanët e Kosovës, e sidomos ata nga PDK gjithmonë kanë ditur të bëjnë kalkulime në disfavor të partive kundërshtare, përfshirë këtu edhe ato me të cilat ka pasur koalicion.

I njëjti fat po e pret edhe Haradinajn, i cili po këmbëngulë për mbajtjen e taksës, edhe nëse e njëjta do t`i kushtojë Kosovës, me “ftohje” të marrëdhënieve me SHBA-në.

Kosova nuk ka kohë të humbë, sikurse i humbi dy vite deri në votimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e zi, ku Haradinaj hoqi dorë nga kundërshtimi i marrëveshjes së nënshkruar nga Thaçi në Vjenë dhe të njëjtën e votoi me një ndryshim pa peshë juridike.

Vendime të mëdha nuk konsiderohen ato që i prishin Kosovës raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E nëse arrihet kjo, atëherë do të flas populli me votën e tij. Për shqiptarët Amerika është e shenjtë, e Haradinaj veç një politikan i momentit...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat