Dërgimi i vendit në zgjedhje, akt patriotik

Politika

Dërgimi i vendit në zgjedhje, akt patriotik

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 4 shkurt 2019 Në ora: 08:01
Qeveria e Kosovës

Qeveria aktuale vazhdon të përballet me probleme të ndryshme, ndërsa ndër zgjidhjet për t’iu shmangur zgjedhjeve po shihet të jetë edhe ridizajnimi i kabinetit qeveritar.

Kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme janë shtuar për shkak të mos pajtueshmërisë nga koalicioni “PAN”, sa i përket vendimit të fundit për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës konsiderojnë se asnjë çështje e rëndësisë nacionale nuk do të zgjidhet nga koalicioni aktual, pos interesave të tyre individuale e klanore, andaj zgjedhjet e reja i shohin si të domosdoshme.

Ndërsa, nga ana tjetër, edhe njohësit e zhvillimeve politike në vend mendojnë se do të ishte fatkeqësi për Kosovën çdo harrnim i Qeverisë Haradinaj. Sipas tyre, është një akt patriotik nëse dikush ka fuqinë për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja.

Gecaj: Vendi është në rrezik nëse nuk shkon në zgjedhje

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, shprehet se vendi ka nevojë të madhe për zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, me këtë nomenklaturë qeverisëse ky vend mund të ecë vetëm mbrapa.

 “Vendi nuk është në rrezik të shkoj në zgjedhje, vendi është në rrezik nëse nuk shkon në zgjedhje. Me ketë nomenklaturë qeverisëse ky vend mund të eci vetëm drejt humnerës e kolapsit”, ka thënë Gecaj.

Tutje, zyrtari i LDK-së thekson se çështjet e rëndësisë nacionale nuk do të zgjidhen nga udhëheqësit aktual.

“Asnjë çështje e rëndësisë nacionale nuk do të zgjidhet nga këta, pos interesave të tyre individuale e klanore, si dhe trashjes së dhjamit tanimë mirë të formësuar”, ka përfunduar zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Kelmendi: Fatkeqësi për Kosovën çdo harrnim i kësaj qeverie

Image
Jeton Kelmendi

Analisti politik, Jeton Kelmendi, konsideron se çdo ndryshim i kabinetit qeveritar është një harrën dhe asgjë më shumë.

Kelmendi në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka drejtuar akuza në drejtim të Qeverisë Haradinaj, në lidhje me keqpërdorimin e parasë publike që kjo e fundit i ka bërë.

“Çdo riformatizim apo ndryshim i kabinetit qeveritar është një harrën e kësaj qeverie, prandaj kjo qeveri që kur e ka filluar, e ka filluar mbrapsht, dhe kështu i ka shkuar gjithë këtë kohë, duke e shpenzuar dhe duke e keqpërdorur në mënyrën më pa kritere paranë publike dhe në fakt duke dështuar në të gjitha proceset ndërkombëtare”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi nënvizon se do ishte fatkeqësi për vendin çdo harrnim i kësaj qeverie.

Krejt në fund, ai shton se shkuarja në zgjedhje do të mund ta ndalte edhe presidentin Thaçi nga pazaret e tij të liga me tokat e Kosovës.

“Do të ishte fatkeqësi për Kosovën çdo harrnim i kësaj qeverie edhe ashtu të shqyer. Mendoj se është akt patriotik nëse dikush ka fuqinë për ta dërguar vendin në zgjedhje. Nuk e di se çfarë mund të prodhojë, por, vet shkuarja në zgjedhje do të mund ta ndalte edhe presidentin Thaçi në pazaret e tij të liga me tokat e Kosovës”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, analisti Kelmendi.

Duhanaj: Kosova ka nevojë me shumë se kurrë me parë për unitet kombëtar

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj, shprehet se vendi ndodhët në një rrezik permanent nga vet shqiptarët.

Duhanaj për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo situatë ka ardhur pas shpalljes së pavarësisë dhe mbështetjes së madhe nga ana e ndërkombëtarëve.

“Kosova, jo vetëm tash është në rrezik permanent nga armiqtë e saj. Por, për fat të keq, sikur kjo nuk mjafton, Kosova po rrezikohet me shumë nga vetë shqiptarët. Opinioni duhet ta di se, krejt kjo situatë ka ardhur pas shpalljes së pavarësisë dhe mbështetjes së madhe ndërkombëtare për ne edhe ne kuadër të GJND (Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë). Pas këtyre sukseseve marramendëse askush se kishte besuar ndonjëherë që shqiptarët i keqpërdorën të gjitha kreditet e mira ndaj tyre, për t'u shndërruar në faktor destabilisues sot, për fat të keq, gjendja është krejtësisht ndryshe. As edhe aleatet me të mëdhenj, nuk na shohin pa dyshime. Kjo sepse i kemi tradhtuar në çdo hap dhe në çdo mundësi që na u ka dhënë”, ka thënë Duhanaj, për gazetën “Bota sot”.

Ai ka folur edhe për presidentin Thaçi, për të cilin shton se kreu i shtetit me sjelljet e tij duke promovuar ide të çmendura e ka futur Kosovën në rrugë pa krye.

“Presidenti me sjelljet e tij, modelin të cilin e njohim në politikat e brendshme, e që për fat të keq ka menduar se ashtu siç mashtron e shantazhon shqiptarët do ta bëjë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka shkatërruar të gjithë imazhin dhe simpatinë e mirë për ne. Tash, duke promovuar ide të çmendura e ka futur Kosovën në rrugë pa krye”, ka thënë ai.

Sipas tij, kryeministri Haradinaj ka bërë një gabim të madh, kur ka refuzuar ta udhëheqë dialogun me Serbinë.

“Kryeministri Haradinaj, edhe përkundër faktit që qëndron drejt karshi interesit madhorë kombëtarë, për mendimin tim, ka bërë një gabim të madh, kur ka refuzuar ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Është mandat i tij kushtetues dhe është dashtë ta marrë në dorë, qoftë edhe duke ja deleguar dikujt të besueshëm nga Qeveria. Taksa 100% ishte hap shumë i mirë dhe e ka faktorizuar Kosovën në ketë dialog. Edhe pse kemi shumë sugjerime nga miqtë ndërkombëtarë mendoj që nuk duhet të hiqet, pa u materializuar. Edhe atëherë të suspendohet përkohësisht”, ka thënë analisti politik.

Në fund, ai thekson se vendi ka nevojë me shumë se kurrë me parë për një unitet kombëtar.

“Nuk mendoj që problemi i Kosovës është kryeministri. Dhe, ata që thirrën në rrëzimin e tij, nuk e kanë për interes të vendit. Kosova ka nevojë me shumë se kurrë me parë për unitet kombëtar. Jam i bindur që edhe nëse hipotetikisht kryeministri Haradinaj do të dorëhiqej, prapë do të lindnin skenarë të tjerë përçarës. Ndoshta për ta arritur një unitet sadopak, apo të matej sinqeriteti dhe serioziteti i opozitës, do të propozoja që negociatat t'i udhëhiqte një përfaqësues nga dy partitë e mëdha opozitare, ndoshta edhe Kurti, i cili vuan jo pak nga protagonizmi”, ka përfunduar Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat