‘Kriza’ në koalicionin qeverisës, flasin nga opozita: Vetëm zgjedhje të reja, nuk ka zgjidhje tjetër

Politika

‘Kriza’ në koalicionin qeverisës, flasin nga opozita: Vetëm zgjedhje të reja, nuk ka zgjidhje tjetër

Nga: N.H Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 22:31
Deputetët e LDK-së

Përfaqësues të opozitës në Kosovë thonë se koalicioni aktual qeverisës është në krizë dhe kjo po reflektohet edhe në ditët e fundit. Organizimi i zgjedhjeve të lira, sipas tyre, është rrugëdalja e vetme.

Është shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky koalicion është i dëmshëm për vendin, andaj, sipas tij, vetëm zgjedhjet e parakohshme do të prodhonin një qeveri legjitime.

Image
Avdullah Hoti

“Vendi gjendet në një situatë kaotike. E gjitha kjo për pasojë të një koalicioni jo parimor dhe pa vizion për ta udhëhequr vendin. Ka plot situata që dëshmojnë se ky koalicion është i dëmshëm për vendin, andaj vetëm zgjedhjet e reja do të prodhonin një qeveri legjitime, të aftë për të udhëhequr vendin drejt proceseve euro-integruese”, ka thënë Hoti.

Tutje, shefi i GP të LDK-së ka nënvizuar se nuk ka zgjidhje tjetër përpos zgjedhjeve të parakohshme.

“Nuk ka zgjidhje tjetër. Ndryshe do të thellohet kriza”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se më shumë se asnjëherë tjetër, partnerët e koalicionit, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, janë parë të nervozuar me njëri-tjetrin edhe në përvjetorin e 11-të të pavarësisë së Kosovës.

Acarimin, kryeministri Haradinaj nuk ka mundur ta përmbajë kur Veseli foli në seancën solemne për pavarësi, për çështje që lëkundin bashkëpunimin e tyre në koalicion.

Haradinaj bëri disa ofendime me gjasë mund t’i jetë referuar Kadri Veselit, me të cilin u pa i nervozuar gjatë tërë seancës. “Ma qenef mashkull në jetë...”, u dëgjua të thotë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat