Njeriu i afërt i Rugovës demanton Thaçin: Presidenti Ibrahim Rugova nuk ka folur asnjëherë për ndryshim kufijsh

Politika

Njeriu i afërt i Rugovës demanton Thaçin: Presidenti Ibrahim Rugova nuk ka folur asnjëherë për ndryshim kufijsh

Nga: A.M. Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 14:40
Foto e viteve 2000 e publikuar nga Hamiti në Facebook. Muhamet Hamiti me Ibrahim Rugovën, Rexhep Ismajlin e Idriz Ajetin.

Muhamet Hamiti, ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova ka demantuar deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili ka thënë se idenë për korrigjimit të kufijve e ka marrë nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, akademik Nexhat Daci dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

“Për korrigjim së pari e kam lexuar nga presidenti Rugova, Nexhat Daci, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. Ideja ime origjinale është bashkëngjitja e Luginës me Kosovën”, ka theksuar Thaçi në konferencën e Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hamiti ka potencuar se, presidenti Rugova nuk ka folur asnjëherë për ndryshim kufijsh të Kosovës.

“Presidenti Ibrahim Rugova nuk ka folur asnjëherë për ndryshim kufijsh të Kosovës. Qëndrimi i tij permanent ka qenë Kosova e pavarur në kufijtë ekzistues, siç mund të vërtetohet lehtësisht nga paraqitjet e tij të shumta publike”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka theksuar se Thaçi po ia mvesh këtë ide tani Presidentit historik, pasi që  përpiqet të arsyetojë qëndrimin e vet për ndryshim të kufijve.

“Presidenti Thaçi po ia mvesh këtë ide tani Presidentit historik. Duke krijuar një iluzion retrospektiv, Thaçi po përpiqet të arsyetojë qëndrimin e vet për ndryshim të kufijve (‘korrigjim’ në gjuhën e tij), që, siç e di gjithë bota, dhe po e riafirmon udhëheqësia e Serbisë, është qëndrim zyrtar i Beogradit në fazën finale të bisedave Kosovë-Serbi”, ka deklaruar Hamiti për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka potencuar se asnjë parti politike serioze në Kosovë nuk e përkrah idenë e Serbisë për ndarje të Kosovës.

“Asnjë parti politike serioze në Kosovë nuk e përkrah idenë e Serbisë për ndarje të Kosovës, dhe as idenë e Thaçit për korrigjim/shkëmbim territoresh, që me gjasë, pos Vuçiqit e Daçiqit, e përkrah edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Askush tjetër me peshë në spektrin politik shqiptar në Kosovë e në Shqipëri”, ka përfunduar Hamiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat