Kosova në situatë të frikshme, analisti i njohur jep opsionet për daljen nga kriza

Politika

Kosova në situatë të frikshme, analisti i njohur jep opsionet për daljen nga kriza

Nga: G.B Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 22:19
Faton Abdullahu

Gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau”, ka shkruar se në qershor të këtij viti do të nënshkruhet marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku marrëveshja është ndarja në vija etnike, e cila është e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, megjithatë thuhet se implementimi i këtij plani mund të jetë një rrezik i madh.

Gazeta gjermane citon një dokument që paraqet skicën se si do të duket marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, për çka palët janë akoma në bisedime.

Por, sa mund të arrihet një marrëveshje e tillë brenda këtij viti, derisa Serbia thotë se nuk do ta vazhdojë dialogun pa heqjen e taksës, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se taksa nuk do të hiqet?

Njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova gjendet në krizë dhe për këtë fajtor është koalicioni PAN dhe nuk ka unitet edhe pse mos uniteti e dobëson dialogun.

“Kosova sot është në krizë të madhe politike. Kjo krizë tashmë është institucionalizuar. Fajin më të madh për këtë e ka Koalicioni PAN. Mosmarrëveshjet përbrenda këtij koalicioni janë kthyer tashmë në përçarje të pariparueshme dhe për interesa klanore, partiake e individuale ato nuk po tejkalohen. Nuk ka unitet as gjasa që ai të arrihet, edhe pse të gjithë akterët janë të vetëdijshëm se mungesa e unitetit para dialogut final me Serbinë po na e dobëson pozitën dhe kështu do të dalim humbës të mëdhenj”, është shprehur ai.

Sipas Abdullahut, në dialog po shkojmë pa u marrë vesh mes veti, pasi kemi dy qasje të kundërta, një për korrigjim kufijsh dhe një kundër korrigjimit të kufijve.

“Kështu si qëndrojnë punët ne po të shkojmë në dialog me Serbinë por pa dialoguar dhe pa u marrë vesh mes veti. Mund të konstatohet kështu sepse sot kemi dy qasje apo edhe projekt-propozime atë për ndryshimin e kufijve (Presidenti Thaçi) dhe atë që është kundër ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve (Ekipi shtetëror i negocimit)”, ka vlerësuar Abdullahu.

Këtë ai e sheh si të frikshme dhe që duhet të tejkalohet, përmes zgjedhjeve, e nëse nuk premton koha sipas letrës së Trump-it për dialog, atëherë duhet një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Kjo nuk është vetëm brengosëse, është edhe e frikshme për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Kjo duhet të tejkalohet urgjentisht. Mënyra më e ndershme e cila do të determinoj ndryshime pëprmbajtësore është shkuarja në zgjedhje. Nëse për këtë nuk premton koha, bazuar në sugjerimin e letrës së Trumpit për urgjencën e dialogut, atëherë duhet që kjo Qeveri të shpërbëhet dhe të konstituohet një Qeveri gjithëpërfshirëse bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Krejt këtë duhet bërë që të funksionalizohen institucionet tona, të legjitimohen ato, si premisë që të jemi unik në qëndrimet dhe vendimet tona përballë Serbisë dhe sfidave tjera”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat