Krasniqi: Thaçi ka një hall të madh

Politika

Krasniqi: Thaçi ka një hall të madh

Nga: N.H Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 22:45
Hashim Thaçi

Nga shkëmbimi i territoreve, ideja e presidentit Thaçi tashmë ka marrë një tjetër frazë, atë për korrigjim të lehtë të kufirit.

Lidhur me ketë, analisti politik, Faik Krasniqi, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti aktual është njeriu më i ngatërruar në skenën politike.

Ai ka dilema se cilit president t’i besojmë, derisa përmend tri frazat e ndryshme të të parit të shtetit lidhur me idenë për korrigjim të kufijve.

“Presidenti Thaçi është njeriu më i ngatërruar në skenën politike. Herë flet për shkëmbim territori, here për korrigjim të kufijve, e herë thotë që Kosova Lindore apo Lugina e Preshevës siç po e quajnë, do t'i bashkohet Kosovës pa i dhënë Serbisë asgjë. Kjo e fundit, është një tregim përralle me mbret. Cilit Hashim Thaçi tash t'i besojmë? Atij që flet për shkëmbim territori, atij që pak kohë më parë thoshte që Kosova Lindore do të na bashkëngjitët pa i dhënë Serbisë asgjë, apo këtij Hashim Thaçit që tash ka ndryshuar frazën në korrigjim të kufijve? Çdo marrëveshje që prek Trepçën e Ujmanin është marrëveshje e dëmshme për Kosovën, sepse aty është pasuria e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Ai mes tjerash ka thënë se edhe Sllobodan Millosheviq do e pranonte shtetin e Kosovës, nëse Trepça dhe Ujmani do t’i takonin shtetit të Serbisë.

Image
Faik Krasniqi

“Edhe Millosheviqi do e pranonte Kosovën shtet nëse Trepça dhe Ujmani do t’i takonte Serbisë, pa e shkrepur asnjë plumb dhe pa i humbur mbi 15 mijë qytetarë. Pas dy dekadash dhe kur jemi shtet i pavarur dhe sovran të pranojmë një marrëveshje të tillë, duhet të jemi njerëz shumë të poshtër që nuk e duam vendin tonë”, ka thënë mes tjerash analisti politik.

Krasniqi thekson në fund, se kreu i Kosovës ka një hall të madh që këto pasuri të Kosovës po dëshiron t'i falë Serbisë.

“Por, ky President ka një hall të madh që këto pasuri të Kosovës po dëshiron t'ia falë Serbisë. Ose ka ndonjë premtim që nuk do preket nga Gjykata Speciale, nëse e bënë një marrëveshje në dëm të Kosovës, ose ky njeri është agjent ruso-serb dhe punon për interesa të tyre. Ndoshta edhe paraluftës ka qenë i tillë, i kamufluar nën uniformën e UÇK-së, dhe pas luftës nën petkun e politikës. Një njeri pa këto halle nuk do të punonte kundër interesave të shtetit dhe popullit të tij”, ka përfunduar Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se presidenti Thaçi që nga korriku i vitit 2018, kur ka folur për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut final, i ishte referuar idesë së tij vetëm me fjalën “korrigjim të kufijve”, ndërsa ditëve të fundit ai e ka futur një fjalorin e tij termin “korrigjim i lehtë” kur flet për korrigjimin e kufijve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat