Dikur i dogji flamurin, tani Thaçi hoqi edhe stemën e Rugovës

Politika

Dikur i dogji flamurin, tani Thaçi hoqi edhe stemën e Rugovës

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 26 shkurt 2019 Në ora: 07:58
Presidenti dr. Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi

Së fundi jemi dëshmitar të heqjes së stemës nga vula e presidentit aktual të Kosovës. Kjo stemë e trashëguar nga Presidenti Rugova simbolizonte më së miri qenien tonë si shqiptarë të Kosovës. Kjo stemë është përdorur si stemë zyrtare e presidenti të vendit nga të gjithë pasuesit e Presidentit Rugova. Heqja e saj nga Hashim Thaçi nuk përben ndonjë risi duke ditur profilin e tij prej një intriganti dhe njeriu pa vlera as kombëtare dhe njerëzore, por gjithsesi shpërfaq më së miri urrejtjen e tij patologjike ndaj superioritetit të Rugovës.

Kjo sëmundje shqiptare vazhdon të na përcjellë brez pas brezi, mos pranimi i meritave të tjetrit. Mungesën e aftësisë për të qenë si tjetri mundohemi ta kanalizojmë në rrugën e mohimit, por që faktet janë kryeneçe dhe ato mohojnë përpjekjet e kujtdo që tenton që realitetin ta demantoj. Nga ky veprim i Thaçit edhe një herë del në pah fytyra e tij prej intriganti, njeriu që para pak ditësh u përul tek varri i Rugovës duke folur fjalë të mira për të, duke përmendur atë për gjoja ndryshim të kufijve-këtë po e marr në sensin e referimit, derisa në njërën anë e lavdëron në anën tjetër lufton çdo gjë që Rugova la në postin e Presidentit. Natyrisht se meritat s`mundet dot t`ia mohoj, por vulën e hoqi. E hoqi sepse s`ka çfarë të bëj tjetër kundër Rugovës, se po të mundet edhe e bën.

Çdo ditë e më tepër po kuptohet arsyeja pse Rugova nuk i besonte këtij njeriu, që nuk e bëri asnjëherë kryeministër. Parashikimi i tij prej profeti e dinte se ky njeri është i rrezikshëm për vendin dhe nuk i shërben Kosovës por interesave të huaja. Së fundi këmbëngulja e Hashimit për korrigjim kufijve vetëm sa e përforcon arsyen e Rugovës që nuk i besonte këtij njeriu. Ishte pikërisht Hahsim Thaçi njeriu që nxiti dikur shokët e tij që të digjnin Flamurin e propozuar nga Presidenti Rugova, që kishte të gjitha elementet e shqiptarit të Kosovës nëpër periudha të historisë së tij. Ajo ngjarje skandaloze që rezultoi pastaj me ardhjen e një flamuri, që me gjithë respektin, nuk përafrohet fare me atë të presidentit Rugova.

Janë po të njëjtit njerëz që i bënë atentat, po të e njëjtit njerëz që gjuajtën me armë ditën kur ndërroi jetë Presidenti, e janë po të njëjtit njerëz që po i falin tokë Serbisë për të shpëtuar veten nga krimet. E po të njëjtit njerëz janë që punojnë ditë e natë për veten e tyre, duke sjellë Kosovës dhimbje dhe humbje të shpresës. Andaj, s`më habit fare sjellja e fundit e Hashimit, njeriut që erdhi në pushtet me intriga, me intriga po vazhdon të mbetët në pushtet. Por , fundi i tij s`do të jetë i mirë dhe as i lavdishëm.

Nuk i heq Rugovës asgjë nga merita heqja e vulës. Përdorimi i saj nga Hashimi nuk e nderon fare Rugovës, por si presidenti i vendit do të duhet të mos bënte veprime të tilla, së paku të vazhdonte maskimin se gjoja e respekton Rugovën, edhe pse të gjithë e dimë sa e ka respektuar, aq s edhe i bëri atentat. Gjithsesi, inferioriteti i Thaçit ndaj Rugovës është shumë i madh, aq sa edhe po të jeton 1000 vjet nuk e arrin dot.

Të gjithë e njohim Thaçin edhe Rugovën, me këtë të fundit që ka zënë vend në histori të Kosovës si arkitekt i pavarësisë, ndërsa Hashimi do kujtohet në mesin e Esat Pashëve, që fatkeqësisht nuk janë të paktë në historinë e shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat