Ramush Tahiri flet për përplasjet Thaçi – Haradinaj

Politika

Ramush Tahiri flet për përplasjet Thaçi – Haradinaj

Nga: G.B Më: 6 mars 2019 Në ora: 20:05
Ramush Tahiri

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj, po vazhdojnë përplasjet për taksën dhe idenë e korrigjimit të kufijve.

Lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se përplasjet janë normale.

“Përplasjet dhe kundërshtimet publike ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Kosovës, janë dukuri normale edhe në shtetet e tjera, që i kanë dallimet e mëdha apo të vogla dhe që i kanë konceptet e ndryshme edhe kundërshtuese për një serë çështjes që janë me interes dhe që janë konkrete apo parimore. Interesi përcaktohet si grupor, shoqëror, kombëtar edhe shtetëror”, ka vlerësuar Tahiri.

Sipas tij, mospajtimet e tilla në vende demokratike zgjidhen me mirëkuptim, ndërsa thotë se kontradiktat ndërmjet Thaçit e Haradinajt janë të vjetra dhe në këtë kohë po shfrytëzohen për tu vënë në pah.

“Mospajtimet e tilla, në vendet demokratike zgjidhen me harmonizim, me mirëkuptim, me heqjen dorë të njërit personalitet apo institucion nga pikëpamjet, vendimet apo nga qëndrimet e tija ose kjo zgjidhet nëpërmjet vendimmarrjes në Parlament. Zakonisht kur këto dallime bëhen publike atëherë edhe hyjnë apo janë në procedura të zgjidhjes institucionale dhe animimi i opinionit bëhet për argumentim dhe për presion demokratik. Të gjithë e dinë se kontradiktat ndërmjet Ramush Haradinajt dhe të Hashim Thaçit janë shumë të vjetra dhe se në këtë kohë po shfrytëzohen për tu vënë në pah, nga pozitat e funksioneve të zgjedhura institucionale, dhe ndikimit në media publike dhe të tjera si dhe gjatë manifestimeve e ceremonive zyrtare”, ka theksuar politologu Tahiri.

Ai thotë se këto polemika mes tyre duhet të zgjidhen duke pushuar me akuza e kundër-akuza në publik, pasi janë një shembull i keq, po i përçajnë qytetarët dhe po japin porosi të ndryshme edhe te faktori ndërkombëtar, që është nivel i ulët i përfaqësimit.

“Polemikat dhe mospajtimet President e Kryeministër konsideroj se duhet të zgjidhen me rrugë institucionale duke pushuar me akuza e kundër-akuza në publik sepse po japin një shembull të keq të jo sjelljes shtetërore, po i përçajnë qytetarët, po japin porosi të ndryshme të miqtë dhe te faktori ndërkombëtar dhe te shtetet individuale me të cilat Kosova ka marrëdhënie diplomatike. Kjo po tregon një nivel tejet të ultë të përfaqësimit dhe një mungesë kulture shtetërore, por edhe të një papërgjegjësie”, ka deklaruar Ramush Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat