Ethet për të parin e LDK-së, kandidatët përballë kritereve të vështira

Politika

Ethet për të parin e LDK-së, kandidatët përballë kritereve të vështira

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 19 mars 2019 Në ora: 10:35
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës është në prag të zgjedhjeve të brendshme për të parin e kësaj partie. Kryetari i saj aktual, Isa Mustafa, po e përfundon mandatin e tij duke lënë gjurmë si ish kryeministër i Kosovës.

Ndonëse, kjo parti ka kuadro të mira  për ta marrë timonin e LDK-së, pesë emrat që veçohet që mund të jenë si serioz për ta udhëhequr LDK-në janë Lutfi Haziri, Agim Veliu, Vjosa Osmani, Kujtim Shala dhe Anton Quni. Mospajtimet e Lutfi Hazirit me Vjosa Osmanin për disa çështje të Kosovës, e bëjnë edhe më interesante këtë garë.

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa në një përgjigje të shkurtër për gazetën “Bota sot” ka folur për procesin zgjedhor të LDK-së për kryetar të kësaj partie.

Mustafa: LDK është konfirmuar se është parti e hapur

Image
Besian Mustafa

Ai thotë se procesi tani sapo ka filluar dhe zyrtarisht askush nuk ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së dhe se ato shpallen në Kuvendin e LDK-së.

“Procesi zgjedhor në LDK tani sapo ka filluar dhe zyrtarisht askush nuk ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së. Kandidaturat zyrtarisht shpallen në Kuvendin e LDK-së”, ka treguar Mustafa.

Ai thotë se zgjedhjet do të rrjedhin në procedura të plota demokratike zgjedhore dhe se ka potenciale të kuadrove.

“Për të gjitha zhvillimet do të ju njoftojmë me kohë. LDK është konfirmuar se është parti e hapur, ka potenciale të kuadrove dhe do të zhvillojë procedura të plota demokratike zgjedhore”, është shprehur zëdhënësi i LDK-së për “Bota sot”.

Abdullahu: Kandidatët duhet të plotësojnë disa kushte

Image
Faton Abdullahu

E analisti politik, Faton Abdullahu, duke folur për “Bota sot” lidhur me këtë temë, ka thënë se konkurrenca për kryetar të LDK-së do të jetë e fortë, mirëpo ka edhe disa kushte që duhet të plotësohen nga ata që duan të hyjnë në garë.

“Konsideroj se ka disa kushte të cilat lideri i ardhshëm i LDK duhet t’i plotësoj me doemos. Ato nuk janë të pakta as të lehta për tu përmbushur kur dihet se ka edhe procedura jo të thjeshta dhe gara do të zhvillohet në konkurrencë të madhe. Në rend të parë mendoj se kusht primar është që një lider i ardhshëm i LDK-së duhet të jetë i pranueshëm edhe nga anëtarësia e gjerë dhe qytetarët por edhe nga strukturat partiake. Nëse nuk mund t’i plotësoj këto kushte dikush që është në këtë garë kjo do të thotë se ka mangësi të cilat mund të mos determinojnë unitet të mjaftueshëm që është premisë bazike për ta prodhuar lideri i ardhshëm i LDK-së. Element tjetër i rëndësishëm është se me këto zgjedhje duhet të krijohen rrethana të reja për të sjell ide të reja. Kjo konsideroj se është shumë e rëndësishme”, është shprehur ai.

Abdullahu mendon se LDK është para një shpërthimi të madh pozitiv që i duhet Kosovës dhe idetë e reja janë të domosdoshme për ta bindur qytetarin e Kosovës se alternativë kualitative në raport me koalicionin aktual do të jetë LDK.                                                                               

“Mendoj se LDK është para një shpërthimi të madh pozitiv që i duhet Kosovës dhe idetë e reja janë të domosdoshme për ta bindur qytetarin e Kosovës se alternativë kualitative në raport me koalicionin aktual do të jetë LDK. Idetë e reja mund të vijnë nga një grup i mirë i LDK-së i cili në garën fer mund të ofroj edhe diçka të rëndësishme për këtë parti - ndërlidhjen ndërmjet gjeneratave. Edhe kjo është vitale. Partitë tjera në Kosovë nuk janë të vjetra për nga kohëgjatësia e veprimtarisë dhe nuk e kanë të shprehur këtë problem. LDK e ka. Prandaj dikush që ka prirje për ta bërë me punë dhe ide ndërlidhjen ndërmjet gjeneratave duke mos i dëmtuar ato, as idetë e reja do të ketë përparësi në garën për lider”, thekson ai.

Nexhat Haziri favorizon Lutfi Hazirin

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri thotë për “Bota sot” se, zgjedhjet e brendshme në LDK janë në interes për të gjithë Kosovën, jo vetëm për atë parti. Ai mendon se sa herë LDK-ja është gjendur në ''momentin e ligë" të saj, vendi ka pasur tronditje të mëdha.

“Padyshim se zgjedhjet e brendshme të LDK-së paraqesin një interesim të lart jo vetëm brenda anëtarësisë së kësaj partie por edhe në opinionin e gjerë kosovarë për faktin se është partia më e madhe dhe më e vjetra në vend dhe të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi, mbajnë vulën e kësaj partie, udhëheqës i se cilës për shumë vite ishte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Sikur më është e thënë apo edhe e shkruar që fati i Kosovës të lidhet me fatin e LDK-së. Sa herë LDK-ja është gjendur në ''momentin e ligë" të saj, vendi ka pasur tronditje të mëdha. Andaj ky proces zgjedhor brenda LDK-së, është shumë i rëndësishëm jo vetëm për këtë subjekt politik por edhe për Kosovën”, ka potencuar Haziri.

Duke folur tutje, ai mendon se Lutfi Haziri është favorit për t’i fituar zgjedhjet e brendshme të LDK-së. Ndër tjera, ai pret që zgjedhjet në LDK do të jenë demokratike.

“Shohë se tani janë dhënë në opinion edhe kandidaturat për kryetar të LDK-së, së paku emrat që po qarkullojnë në opinion, ndër ta unë e shohë si favorit z. Lutfi Hazirin, për disa nuanca nga kandidatët e tjerë. Ajo që më bënë për ta favorizuar z. Haziri, është provoja e tij e gjatë në politikë dhe në strukturat udhëheqëse të LDK-së, dhe kjo e bën atë që gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor në LDK, ka aftësinë e bashkimit rreth vetes personalitetet më kohë të gjatë në LDK dhe që kanë akoma ndikim të madh, por edhe të prurjeve të reja të cilat i kanë dhënë një forcë të madhe LDK-së. Unë pres që në LDK të ketë një proces zgjedhor demokratik i cili do t’i përmbushë pritjet jo vetëm të anëtarësisë së kësaj partie por edhe të qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar tutje ai.

Ndryshe, në një sondazh të gazetës “Bota sot”, Vjosa Osmani ka fituar bindshëm kundrejt Lutfi Hazirit në pyetjen se cili do ishte kandidati i duhuri për ta udhëhequr LDK-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat