Fushatë paraelektorale e PDK-së me çështjen e krimeve të luftës

Politika

Fushatë paraelektorale e PDK-së me çështjen e krimeve të luftës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 22 prill 2019 Në ora: 10:08
Abelard Tahiri dhe Enver Hoxhaj

Gjatë javës së kaluar, Qeveria e Kosovës ka autorizuar Ministrinë e Drejtësisë që të hartojë një ligj i cili penalizon mohimin e krimeve e kryera gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Për këtë çështje, kanë mbajtur takim edhe konferencë për media, zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, dhe ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri për të diskutuar për këtë iniciativë ligjore dhe për hartimin e ligjit kundër mohimit të krimeve të ndodhur në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se mohimi i krimeve është një krim i dyfishtë dhe se për draftimin e këtij ligji do të bazohen në përvojat evropiane.

“Mohimi i krimeve që shteti serb ka bërë në Kosovë është një krim i dyfishtë, është ofendim ndaj familjeve, ndaj shtetit dhe shoqërisë së Kosovës, dhe në draftimin e këtij ligji natyrisht që do të marrim për bazë përvojat më të mira evropiane, si në kulturën evropiane ligjore, në kulturën politike evropiane janë parandaluar raste të tilla të mohimit të krimeve”, ka thënë ai në konferencë për media.

Kurteshi: PDK ka votuar kundër njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale

Sa i përket kërkim faljes nga Serbia Hoxhaj është shprehur se “çështja e pajtimit e kërkim faljes duhet të jetë kërkesë e jona e përhershme në tavolinë dhe asnjëherë nuk duhet të hiqet nga tavolina”.

Image
Sami Kurteshi

Këtë nismë të Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë një konference për media e ka kritikuar deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi i cili ka thënë se, PDK-ja ka votuar kundër njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale dhe ka votuar për Gjykatën Speciale, tani po provon kinse të bëjë diçka karshi krimeve të Serbisë.

“Janë po këta persona, veçanërisht Abelard Tahiri, që në rolin e Ministrit të Drejtësisë edhe sot bën përpjekje për të penguar integrimin e “Gjykimit në mungesë” për kriminelët e luftës në Kosovë”, ka deklaruar Kurteshi në konferencën për media.

Burjani: Iniciativa më shumë politike se sa ligjore

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehure se krimet do të duhet të dënohen, por një ligj i tillë nuk zbatohet jashtë Kosove.

Image
Blerim Burjani

Ai mendon se ky ligj është një nismë morale dhe se do të mbetet vetëm një copë letre.

“Krimet duhet dënuar, ligji i tillë edhe po të nxjerrët nuk zbatohet jashtë Kosove, ky ligj cilësohet iniciative prej asaj quhet morale e ajo do të mbetet një cope letër, të gjithë e din që mohimi i krimeve serbe në Kosovë, përmes urrejtës nacionale është vepër penale”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Burjani tregon se shteti ynë ka legjislacion të përparuar në sferën e nxitjes se urrejtjes dhe këto ligje mund të dënohen individë të cilët nuk distancohen apo i mohojnë krimet e luftës.

“Pra thjesht është nismë morale sepse Kosova ka legjislacion të përparuar në sferën e nxitjes se urrejtjes, thjesht janë iniciativa më shumë politike se sa ligjore, kur ka ligje të mjaftueshme shteti i Kosovës për të dënuar persona në Kosovë apo individ që nuk distancohen nga krimet e luftës, apo që mohojnë krimet, përderisa Serbia mbetet e pa prekur me këtë ligj,”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu Burjani ka thënë se me kodin penal të Kosovës dënohen personat të cilët i mohojnë krimet, po ashtu edhe me kushtetutën ndalohet nxitja e urrejtjes.

“Mohimi i krimeve njerëzore është vrasje e serishme, pra është e dënueshme edhe kodin penal të Kosovës, ndalimin e urrejtës nacionale e ndalon edhe Kushtetuta e shtetit”, ka theksuar Burjani.

Po ashtu, ai ka potencuar se nga Serbia do të duhet të kërkohet dënimi i kriminelëve dhe kompensim material e ekonomik për viktimat dhe pronat e shkatërruara në Kosovë gjatë kohës së luftës.

“Kërkim falje nuk duhet kërkuar nga Serbia, por dënimin e krimineleve vrasës si dhe kompensimin material ekonomik për viktimat dhe pronat e shkatërruara në Kosovë”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

Krasniqi: Kuvendi duhet të ngrit diskutimin për kërkim falje nga Serbia

Image
Islam Krasniqi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, e ka quajtur të qëlluar këtë nismë, por mendon se është e mangët pasi që brenda saj do të duhet të ekzistoi ligji për largimin nga institucionet e shtetit.

“Kjo është nismë e qëlluar e cila është dashur të përfundonte para 20 viteve, mirëpo një fjalë popullore thotë “më mirë vonë se hiq”. Kjo nismë është e mangët, se brenda saj duhet të ekzistojë edhe largimi nga institucionet e shtetit të gjithë atyre që nuk e njohin shtetasin e Kosovës, e jo të bëjnë fushat kundër pavarësisë së Kosovës e të paguhen nga taksat e qytetarëve të saj”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Krasniqi mendon se Kuvendi i Kosovës do të duhet që të ngrit diskutim për kërkim familje nga Serbia për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj popullit civil shqiptarë.

Por, ai kritikon ligjvënësit se pasi që nuk i respektojnë vendime të cilat i nxjerrin nga seancat e Kuvendit.

“Kuvendi duhet të ngrit diskutimin për kërkim falje nga Serbia për krimet dhe gjenocidin që ka kryer ndaj popullatës civile shqiptare, mirëpo Kuvendi është bërë si një vend i lojërash ku luajnë fëmijët, sepse vendimet e veta si respekton asnjëherë, dhe presin nga të tjerët”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

Duhanaj: Duhet të bëhet edhe ligji që ndalon përdhosjen e vlerave të luftës

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, e ka quajtur nismën ligjore që ndalon mohimin e krimeve të luftës të qëlluar dhe sipas tij, është e patolerueshme që kushdo që ka oreks fashist të shkelë mbi dinjitetin e viktimave.

“Nisma ligjore e cila synon të ndalojë mohimin e krimeve të luftës në Kosovë është shumë e qëlluar.

Për mendimin tim edhe pse është e vonuar duhet të bëhet sepse është e patolerueshme që kushdo që ka oreks fashist të shkelë mbi dinjitetin e viktimave”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai mendon se pjesë e këtij ligji duhet të futet edhe ndalimi me ligj i fyerjeve që u bëhen figurave dhe vlerave dhe simboleve kombëtare

“Pos kësaj mendoj që është tejet me rëndësoj që në kuadër të këtij ligji të duhet të jetë e amandamentuar edhe ndalimi me ligj i fyerjeve që u bëhen figurave dhe vlerave dhe simboleve kombëtare. Çdo fyerje, çdo mohim i sakrificës dhe vlerave të këtij kombi martir, duhet mbrojtur dhe sanksionuar me ligj”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat