Hija e Speciales, dosjet e Beogradit dhe projekti i rrezikshëm për ndarjen e Kosovës

Politika

Hija e Speciales, dosjet e Beogradit dhe projekti i rrezikshëm për ndarjen e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 2 maj 2019 Në ora: 11:12
Ilustrim

Ditë më parë, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk është i denjë për ta drejtuar dialogun me Serbinë, për shkak të punës së Gjykatës Speciale, ku ai mund të jetë në mesin e të akuzuarve.

Berisha ka deklaruar se, ndonëse nuk beson në akuzat e senatorit Zviceran, Dick Marty, Thaçi nuk duhet të jetë pjesë e dialogut pa u pastruar nga Gjykata Speciale, sepse një gjë e tillë do të përbënte konflikt interesi.

“Ajo që është e vërtetë, është se Beogradi ka dosje të cilave lloje të duash, të luftës, të paraluftës dhe të pasluftës. Kjo është qind për qind e vërtetë. Kusht themelor është përjashtimi i tij nga çdo proces negociatash se është në konflikt të plotë interesi. Ai është peng dhe nuk ka pse territoret e Kosovës të jenë peng për shkak të tij. Ajo që kam unë dijeni, gjykata është ngritur dhe gjersa ky të pastrohet nga gjykata ky s`ka të drejt si peng i dosjeve të negociojë për Kosovën”, ka nënvizuar Berisha.

Por, a mund të ketë puna e Gjykatës Speciale ndikim në zhvillimin e dialogut me Serbinë, ashtu siç ka thënë Berisha?

Presioni i Gjykatës Speciale

I të njëjtit mendim me ish kryeministrin Berisha, është edhe prof. dr. Enver Bytyçi.

Sipas tij, Thaçi është angazhuar për ndryshimin e kufijve të Kosovës, nën presionin serb dhe dosjes së Beogradit.

Image
Enver Bytyçi

“Ka shumë mundësi që një pjesë të informacioneve që Beogradi ka për krimet e ish-komandantëve në Kosovë gjatë e sidomos pas luftës t`i ketë marrë përmes Baton Haxhiut. Dhe tani është Batoni ai që e kërcen Thaçin për ta kyçur atë thellë në aksionin e Serbisë për shkatërrimin e shtetësisë së Kosovës. Pra presioni me gjykatën Speciale në Hagë është përdorur tashmë përmes formave të ndryshme, jo për dialogun që do të vijë, por për përmbylljen e dialogut sipas projektit serb të shkëmbimit të territoreve, më saktë për ndarjen e Kosovës”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Gashi: Pse Serbia t`i akuzojë ata që kërkojnë korrigjimin e kufijve në favor të saj?

Ndërsa, avokati Tomë Gashi ka thënë për "Bota sot" se është vërtetuar se të gjitha bisedimet mjerisht të quajtura zyrtarisht edhe nga Brukseli në mes Beogradit e Prishtinës, e jo në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës të Serbisë si dy shtete,  kanë qenë të gjitha shumë të dëmshme për Kosovën, dhe në favor të Serbisë.

“ Këto bisedime po bëhen sikur të ishin interne, brenda një shtetit të vetëm të Serbisë, e cila ende e ka Kosovën në kushtetutën e saj, si pjesë integrale të saj dhe deri sa nga kinse bisedimet të filluara si teknike, kështu deklarohej pala e Kosovë, tani më haptas pranohet që janë politike dhe ku në lojë është edhe sovraniteti territorial i Kosovës”, ka potencuar ai.

Image
Tomë Gashi

Në anën tjertër, Gashi ka potencuar se akuza ndaj tyre, së paku deri sa të përfundojnë negociatat me Serbinë nuk do të ketë nga Gjykata Speciale në Hagë

“Gjykata Speciale është formuar me kërkesë të Serbisë dhe duke e ditur që Serbisë nuk i konvenon ngritja e akuzave kundër udhëheqësve të shtetit të Kosovës emrat e të cilëve përmenden edhe në raportin e Dick Martit, akuza ndaj tyre së paku deri sa të përfundojnë negociatat me Serbinë nuk do të ketë nga Gjykata Speciale në Hagë. Pse Serbia t`i akuzojë përmes Gjykatës Speciale ata që haptas kërkojnë korrigjimin e kufijve në favor të Serbisë në dëm të Kosovës”, ka thënë avokati Gashi.

Të kushtëzuar nga Specialja

Kurse, për analistin Skender Zogaj, themelimi i Gjykatës Speciale është bërë me hamendësime të mëdha, sepse sikur të kishin funksionuar institucionet shtetërore të Kosovës, kjo gjykatë nuk do të themelohej fare.

Image
Skender Zogaj

“Kjo nuk ka ndodhur, prandaj është dashur të krijohet Gjykata speciale me shpresën e funksionalizimit të drejtësisë dhe të luftimit të krimit duke i zbardhur veprat dhe kryerësit e krimeve. Por, ka përpjekje që Gjykata speciale të pengohet prandaj bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar, se që të kapërcejë kriza politike dhe shtetërore e Kosovës duhet të bëjë trysni më të fortë ndaj liderëve më të lartë që institucional. Gjykata speciale është instrumenti kryesor që do të mund të ndikoj, sepse, të gjitha proceset brenda shoqërisë së Kosovës janë të kushtëzuara nga strukturat e krimit të organizuar që kanë kapur institucionet. Nga Gjykata Speciale varet gjithçka, ku çelësi janë bisedimet, dhe jo vetëm shqiptaro serbe por edhe shqiptaro-shqiptare, sepse Kosovën është duke e ngulfatur mungesa e konsensusit politik dhe institucional, që synim ka pushtetin dhe aspak shtetin”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Mehmeti: Po dërgojnë në bisedime njerëz të shantazhuar

Edhe analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se Gjykata Speciale është më tepër politike se sa vërtet synon të vendos drejtësi.

Sipas tij, duke ditur se bisedimeve u prinë njerëz të dyshuar se janë përfshirë në vepra kriminale, është e logjikshme që të ketë edhe presione.

Image
Faton Mehmeti

“Faktikisht me Gjykatën Speciale në derë që i ndjek si hije, Gjykata Speciale i shërben edhe Serbisë edhe Bashkësisë ndërkombëtare që t’i kujtojë Hashimit dhe të tjerëve që nëse nuk bëni si themi ne, atëherë ju pret burgu. Andaj, kjo për Kosovën është e rrezikshme, pasi po dërgojnë në bisedime njerëz të shantazhuar, të cilët për të mbrojtur veten janë të gatshëm të bëjnë lëshime në dëm të vendit”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Shahu: Nuk dua të besoj se politika e kufijve funksionon me pazare krimesh

Ndërkaq, publicisti Rexhep Shahu, ka thënë se krimet që mbesin të pandëshkuara apo të fshehta janë dregëza të këqija për shoqërinë.

Image
Rexhep Shahu

“Nuk përjashtohet politika askund, por dua ta besoj se me pëlqen të jetë kështu dhe nuk do të ketë as duhet të ketë, të bëhet apo të jepet drejtësi me kushte. Po ashtu nuk dua të besoj se politika e kufijve funksionon me pazare krimesh. Dua ta besoj mirësinë e drejtësinë e fuqive të mëdha, që i dhanë lirinë e pavarësinë Kosovës dhe u pajtuan me çmimin që pagoi Kosova me jetë shqiptarësh”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat