Vrasësit e Xhemailit, Enverit, Bardhylit e Bekimit, ende jashtë grilave, Prokuroria heshtë

Politika

Vrasësit e Xhemailit, Enverit, Bardhylit e Bekimit, ende jashtë grilave, Prokuroria heshtë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 3 maj 2019 Në ora: 08:07
Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, Enver Maloku dhe Xhemail Mustafa

Liria e shprehjes, medias dhe informacionit janë të drejta që janë të rrënjosura në mënyrë të prerë në kornizën ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare. Të drejta të tilla janë themelore për të siguruar që qytetarët të jenë të informuar, të japin informacion, të mësojnë në lidhje me proceset e rëndësishme që ndikojnë në jetën e tyre, dhe përfundimisht për të siguruar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga zyrtarët publik.

Sot(e premte 3 maj) shënohet dita ndërkombëtare e lirisë së medias, ndërsa kjo datë Kosovën e gjen me shume raste të pazbardhura të gazetarëve të vrarë, përfshirë edhe gazetarë të gazetës “Bota sot”.

Gazeta kombëtare “Bota sot”, është atakuar më së shumti për shkak të guximit që e ka pasur ndër vite për të thënë dhe për të hulumtuar mbi të vërtetën. Fatkeqësisht, zbardhja e së vërtetës u ka kushtuar edhe me jetë gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të gazetës “Bota sot”.

Vrasjet e gazetarëve

Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, Enver Maloku, Xhemail Mustafa,  janë katër gazetarët përkatësisht bashkëpunëtorët e gazetës “Bota sot”, të cilët humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës.

Por, gjithë kjo kohë e kaluar nuk solli zbardhjen e asnjëres prej këtyre vrasjeve. Për rrjedhojë, familjet e gazetarëve të vrarë janë ende me plagë të hapura për shkak të mosveprimit të prokurorisë në zbardhjen e rasteve, ndërsa liria e medias në Kosovë vazhdon të mbetet e cunguar!

Kjo ngecje e prokurorisë për të hapur pista të reja në drejtim të zbardhjeve të këtyre rasteve, nuk garanton as sot siguri për gazetarët.

Në kornizën ndërkombëtare për ligjin e mediave, që në të futet liria e shprehjes si bazë e gazetarisë, për një informim të drejtë për njerëzit, në Kosovë, megjithatë, nuk respektohet shumë. Kemi shumë raste që vet figurat politike në Kosovë, kërcënojnë mediat dhe gazetarët individualisht.

Organizata “Reporterët pa Kufij” në raportin më të ri e ka renditur Kosovën në vendin e 75 në botë sa i përket lirisë së shtypit.

Sipas kësaj organizate, situata politike në Kosovë është bërë gjithnjë më e tensionuar dhe e paqëndrueshme, si pasojë përafrimit të Serbisë fqinje me Bashkimin Evropian, gjë që e la Qeverinë e Kosovës në izolim diplomatik.

Prokuroria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nga gazeta “Bota sot” se cilët janë hapat  që ka marrë në zbardhjen e rasteve të gazetarëve të vrarë. Ky institucion nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen elektronike të dërguar nga gazeta.

Mushkolaj: Mos zbardhja e vrasjes së gazetarëve do të jetë gjithmonë një barrë e rëndë për shoqërinë

Image
Imer Mushkolaj

Lidhur me këtë, Kryetari i këshillit të mediave të shkruara, Imer Mushkolaj, ka thënë për “Bota sot” se, gazetarët në Kosovë përballen nga presionet politike apo grupe të caktuara të interesit, e kjo ndikon në lirinë e mediave.

Sipas tij, nuk mund të ketë liri të mediave në Kosovë, përderisa nuk ndodh zbardhja e vrasjeve të gazetarëve në Kosovë. Mushkolaj tregon se ka presion të vazhdueshëm në prokurori për t’u zbardhur këto vrasje.

“Në anën tjetër ne në Kosovë kemi një problem të madh, për shkak se kemi një numër të gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur, e që ende nuk janë zbardhur dhe pavarësisht përpjekjeve edhe të AGK-së, këshillit të mediave etj, për t’iu bërë presion në prokurori dhe në gjykata që të zbardhen këto raste, nuk janë zbardhë, e në mesin e tyre janë edhe dy kolegë nga gazeta “Bota sot” për autorët e vrasjes për të cilët nuk dihen, por ka edhe 12 të tjerë nga komuniteti serb edhe shqiptarë të cilët janë vrarë apo zhdukur këtu, qoftë gjatë luftës apo pas saj dhe nuk është bërë asnjë hap konkret për të zbardh vrasjen e tyre. Deri sa kjo nuk ndodh, natyrisht se nuk mund të themi se në Kosovë ka liri të mediave të shprehjes çfarë duhet të jetë, pasi mos zbardhja e vrasjes së gazetarëve do të jetë gjithmonë një barrë e rëndë për shoqërinë, por edhe për prokurorinë”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Mushkolaj thotë se edhe kushtet e punës së gazetarëve, ndikojnë që ata të mos e kryejnë si duhet punën e tyre, ku thekson se një numër i madh i tyre nuk kanë kontrata të punës.

“Natyrisht se edhe Kosova i ka problemet e veta, e ato janë qoftë me mungesën në raste të caktuara të lirisë së gazetarëve për të raportuar, për shkak të presioneve që mund të jenë nga politika apo grupe tjera të interesit, por po ashtu problematike mbeten edhe grupe që kanë të bëjnë me pozitën sociale të gazetarëve, në kuptimin që fatkeqësisht ka shumë gazetarë që punojnë pa kontrata të punës, që paguhen pak dhe në këtë mënyrë kjo ndikon që ata të mos e kryejnë punën ashtu siç duhet”, ka theksuar Mushkolaj.

Hasani: Gazetarët janë të mbrojtur me ligj

Image
Nait Hasani

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës, që është edhe kryetar i komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani, ka thënë për “Bota sot” se, mediat në Kosovës janë të lira. Çuditërisht, ai mendon se janë më të lirat se në çdo vend tjetër të Evropës.

“Mediat në Kosovë sot janë të lira dhe më të lira se në çdo vend të Evropës dhe në shume vende tjera. Liria në disa raste është keqpërdor dhe liria e tepërt në media duke abuzuar me lirinë”, potencon Hasani.

Ai thotë se pa përgjegjësi, nuk ka liri të mediave, ndërsa si kryetar i atij komisionit, tregon se Kosova si shtet është e avancuar me ligje dhe miratimeve të tyre, e po ashtu thotë se edhe gazetarët janë të mbrojtur me ligj.

“Po në ditën e lirisë se mediave, uroj liri të plotë me përgjegjësi të mediave. Pa përgjegjësi s’ka liri të mediave. Liria e mediave do tëthotë dhe përgjegjësi e fjalës së lirë. Me ligje si Kosovë jemi të avancuar më shumë në miratimet e ligjeve dhe në zbatueshmëri, e po ashtu gazetarët janë të mbrojtur me ligj”, ka nënvizuar deputeti i PDK-së.

Krasniqi: Prapa vrasjeve të gazetarëve qëndrojnë njerëz të fuqishëm të politikës

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa analisti Faik Krasniqi, duke folur për lirinë e mediave, ka thënë për “Bota sot” se profesioni më i rrezikshëm në Kosovën e pasluftës, ka qenë dhe është gazetaria.Ai dyshon se pas vrasjeve të gazetarëve, qëndrojnë njerëz të fuqishëm të politikës.

“Në Kosovën e pasluftës, profesioni me rrezikshmërinë më të madhe ka qenë ai i gazetarit. Kemi pasur vrasje të disa gazetarëve. Por, më e keqja që asnjë nga këto vrasje nuk janë zbardhur, gjë që na bën të dyshojmë se prapa këtyre vrasjeve qëndrojnë njerëz të fuqishëm të politikës, sepse sikur të mos kishin gisht politikanë me peshë në skenën politike të Kosovës, jam më se i bindur që ato do të ishin zbardhur deri më tash”, vlerëson Krasniqi.

Përderisa nuk zbardhen vrasjet e gazetarëve, Krasniqi mendon se nuk mund të flasin që kemi liri të medias, pasi që me këtë fakt ndihen të kërcënuar të gjithë gazetarët.

“Deri sa nuk zbardhen këto vrasje dhe ata që urdhëruan vrasjen e këtyre gazetarëve, asnjë gazetarë nuk është i sigurt ta ushtrojë lirshëm profesionin e tij, sepse gjithmonë do ta ndiejnë veten të kërcënuar nga elemente të politikës. Prandaj s'mund të flasim që kemi liri të medias”, u shpreh Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat