Peng i Beogradit dhe Moskës, epoka e Federica Mogherinit drejt fundit - Bota Sot
Peng i Beogradit dhe Moskës, epoka e Federica Mogherinit drejt fundit

Politika

Peng i Beogradit dhe Moskës, epoka e Federica Mogherinit drejt fundit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 maj 2019 Në ora: 15:26
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksander Vuçiq

Një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e përfaqësueses së BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherinit, nuk është aspak e sigurt, vlerësojnë njohës të çështjeve politike.

Sipas tyre, shefja e BE-së për politikë të Jashtme, e ka dëshmuar hapur që është në anën e Serbisë.

Bunjaku Rexhepi: Pa SHBA-në nuk mund të ketë marrëveshje

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë për “Bota sot” përvojat e hidhura të së kaluarës me ndërmjetës Evropian në mes Kosovës dhe Serbisë, tregojnë se as Federica Mogherini nuk do të mund të ndërmjetësojë në ndonjë marrëveshje eventuale.

“Pa përfaqësuesit nga SHBA-ja në këtë proces nuk besoj se mund të këtë diçka konkrete, aq më tepër që edhe Serbia nuk është e interesuar të kontribuojë pozitivisht e besa edhe përfaqësuesit tanë nuk janë unik në qëndrime. BE-ja duhet ta këtë të qartë se Kosova ka ende plagë të hapur me Serbinë dhe një marrëveshje në mes dy shteteve fqinje, krijon siguri në Ballkan dhe hap rrugë për integrim në procese dhe familjen Euro-atlantike”, ka thënë deputetja Bunjaku-Rexhepi.

Ndërsa, deputeti i Nismës, Milaim Zeka, ka thënë se çdo marrëveshje është e sigurt kur aprovohet nga parlamentet e dyja vendeve.

Image
Milaim Zeka

“Mogherini apo kushdo tjetër, është vetëm gjyqtarë në një ndeshje futbolli Kosovë-Serbi, lojën e luajmë ne”, ka thënë se deputeti Zeka.

Makolli: Duhet unitet

Image
Vesel Makolli

Kurse, sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli, ka pohuar se urrejtja dhe pabesia e palës serbe ndaj shqiptarëve është e kultivuar me shekuj, pasi historikisht populli shqiptar i ka luftuar okupuesit qofshin ata romak, serb apo otoman.

Sipas tij, pala e Kosovës përpos që duhet të jetë unike duhet të ketë shume kujdes për garancitë që duhet t`i marr në lidhje me marrëveshjen eventuale.

“Në kontekst të kësaj as Mogherini dhe as BE-ja nuk janë garantuesit të sigurt. E vetmja garancë është përfshirja e drejtpërdrejt e SHBA-së bashkë me aleatet, të cilët kishin me qenë në gjendje të implementojnë marrëveshjen eventuale. Pala Serbe është e ndikuar drejtpërdrejt nga ana e Rusisë, pasi që i vetmi shtet me ndikim rus në Evropë ka mbetur Serbia, e pala ruse nëpërmjet kësaj tenton ta rikthej ndikimin e saj në ketë pjesë të globit. Duke i pasur për bazë këto të gjitha SHBA-ja bashkë me aleatet e saj janë garant për implementimin e marrëveshjes eventuale Kosovë- Serbi dhe për bllokimin e ndikimit rus në këtë pjesë të Ballkanit”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli.

Bytyçi: Epoka Mogherini ka marrë fund

Image
Enver Bytyçi

Kurse, njohësi i çështjeve politike, profesor Enver Bytyçi, ka thënë se një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës me Mogherinin tashmë është e pamundur.

“Ndonëse zëdhënësja e Mogherinit deklaroi se shefja për Politikë të Jashtme të BE-së do të vijojë përpjekjet për një marrëveshje të tillë, kjo duket krejt e pamundur. Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë do të vijojnë në Paris me datën 1-2 korrik nën kryesinë e Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. Kjo do të thotë se praktikisht Mogherini nuk ka e nuk do të ketë asnjë rol në dialog. Përpjekjet e saj për të ruajtur pozicionin e mëparshëm janë përpjekje për të devijuar produktin e këtij dialogu. D.m.th janë përpjekje shtesë për ti ardhur në ndihmë idesë se Serbisë së Madhe. Duket qartë se ajo ndjehet peng në Beograd e në Moskë. Dhe si peng i këtyre dy kryeqyteteve përpiqet të realizojë shërbimin e fundit të mundshëm ndaj tyre”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, ndërmjetësimi i Frederica Mogherinit në dialog çoi në bllokimin e tij, pavarësisht investimit të madh që ia bënë asaj shqipfolësit tradhtarë të çështjes së Kosovës e çështjes shqiptare, Hashim Thaçi, Edi Rama, Baton Haxhi Stanishiqi dhe Gent Cakaj.

“Ndoshta nuk do të ecë dialogu si duhet edhe nën kryesimin e Merkel dhe Macron. Por as atëherë Mogherini nuk do të jetë kandidate për ta vazhduar e drejtuar atë. Epoka Mogherini ka marrë fund, edhe pse Thaçi, Rama dhe Vuçiq do të donin ta kishin atë në krye të tavolinës së bisedimeve. Për më tepër Mogherini nuk do të jetë më në detyrën që ka. Ajo do të ikë nga posti i rëndësishëm në Bruksel me turpin e dështimit spektakolar në dialogun Kosovë-Serbi. Megjithatë unë shoh se në raundin tjetër nga fillimi i shtatorit të këtyre bisedimeve do të jenë palë dhe SHBA-të Brukseli dhe Moska mund të jenë vëzhgues të këtij dialogu. Mogherini kurrë më nuk do të ketë as statusin e vëzhguesit, as rolin e këshilluesit” ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Enver Bytyçi.

Zogaj: Pala e Kosovës e cila që nga fillimi e ka nisur dialogun me hile

Image
Skender Zogaj

Kurse, analisti politik Skender Zogaj ka thënë se rroli ndërmjetësues i Federica Mogherinit në dialogun e Kosovës me Serbinë padyshim që ka qenë shumë i rëndësishëm mirëpo, për fat të keq jo frytdhënës, aq sa është pritur dhe ka qenë i mundshëm.

Sipas tij, këtë e vërtetojnë marrëveshjet e arritura që nuk janë implementuar fare dhe kjo tregon se ky ndërmjetësim është i pafuqishëm dhe nuk mund ta çojë procesin përpara.

“Për të mos i hy në hak përpjekjeve të Mogherinit, duhet të theksojmë se në rolin e saj ndërmjetësues ka pasur ndikim shumë të madh negativ pala e Kosovës e cila që nga fillimi e ka nisur dialogun me hile, duke nënçmuar procesin dialogues, që iu ka besuar zonjës Edita Tahiri e cila ka vajtur si në ‘ kënagjeq’, duke deklaruar rrejshëm, se po shkonte për bisedime teknike e në fakt kishte të bënte me bisedimet më të komplikuara politike e diplomatike të Ballkanit. Prandaj që aty nis e keqja dhe dialogu shumë vjeçar mbeti shterp. Mogherini ua ka ofruar palëve karotën, por tash duhet të futët në ndërmjetësim dora e fortë dhe të përdoret hosteni ndaj të dy palëve, që ta kuptojnë se nuk guxojnë të mos merren vesh dhe se marrëveshjet nuk guxojnë të mos i realizojnë”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Pas samitit të Berlinit, një dinamikë e shpejtë drejt marrëveshjes

Image
Nexhat Haziri

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se nuk ka asnjë mundësi për të arritur ndonjë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Federica Mogherinit, për faktin se BE po përgatitet të hyjë në procesin zgjedhor për parlamentin evropian dhe ky proces e bën të pamundshëm arritjen e ndonjë marrëveshje.

Sipas tij, pas këtyre zgjedhjeve, kur pritet të dalin edhe institucionet e reja të BE-së, nuk është e sigurt që Federica Mogherinit, do të mbajë ndonjë detyrë të re në këto institucione.

“Përtej kësaj ndërmjetësimi Federica Mogherinit në procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka prodhuar asgjë, vetëm sa ka tensionuar marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara në mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, nëse mund të flasim për mundësit e arritjes së ndonjë marrëveshje, në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet ti referohemi Berlinit, por pa përjashtuar edhe rendësin apo rrolin edhe të Brukselit dhe Uashington në këtë proces, që tashmë pas Samitit të Berlinit do të shihet një dinamikë më e shpejtë, më e qartë sa i përket perspektivës së procesit të dialogut Kosovë-Serbi”, është shprehur opinionisti Haziri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...