Serbia të kërkojë falje institucionale për krimet në Kosovë - Bota Sot
Serbia të kërkojë falje institucionale për krimet në Kosovë

Politika

Serbia të kërkojë falje institucionale për krimet në Kosovë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 maj 2019 Në ora: 18:54
Foto ilustruese

Shumë reagime pati për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjës, por pavarësisht kërkesave që ajo të hiqet, e njëjta vazhdon të mbetet në fuqi.

E së fundmi, diplomati gjerman Wolfgang Ischinger ka bërë thirrje ndaj Kosovës, që të heqë taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe të marrë menjëherë në këmbim liberalizimin e vizave.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ai tha se tani është e qartë se ndarja etnike e territorit nuk duhet të diskutohet.

"Tani të gjithë e dinë pak më mirë se çka nuk është e dëshirueshme. Por si të shkohet më tej? Çfarë duhet të fitojë Serbia (ta njohë Kosovën)? Rrugën e përshpejtuar të anëtarësimit në BE? Por është e qartë - pa njohje - nuk ka anëtarësi! Dhe Kosova duhet të heqë menjëherë taksat dhe të marrë liberalizimin e vizave", ka shkruar Ischinger.

Millaku: Liberalizimi i vizave bëhet vetëm atëherë kur luftohet korrupsioni

Image
Drita Millaku

Se a duhet të hiqet taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës, në mënyrë që të merret liberalizimi i vizave, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk duhet të hiqet taksa, pasi liberalizimi fitohet kur luftohet korrupsioni, gjë që qeveria nuk mund ta bëjë.

“Nuk duhet të hiqet taksa sepse me taksë ne nuk kemi kërkuar liberalizim të vizave. Liberalizimi i vizave bëhet vetëm atëherë kur luftohet korrupsioni, e kjo qeveri nuk mund ta luftojë sepse vet janë të korruptuar. Të gjithë e dinë se kusht për heqjen e vizave janë luftimi i korrupsionit dhe të ketë rend dhe zbatueshmëri të ligjit”, është shprehur ajo.

Sipas Millakut, nëse hiqet taksa për viza do të tregojmë se jemi shtet i papjekur.

“Nëse hiqet taksa për viza, atëherë ne do të tregonim se jemi shtet i papjekur dhe joserioz. Edhe pse unë mendoj se taksa është vendosur për konsum të brendshëm politik”, ka deklaruar deputetja Millaku për “Bota sot”.

Gecaj: Duhet të veprohet konform interesit të vendit

Image
Bajram Gecaj

Ndërsa, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” ka thënë se liberalizimi i vizave nuk është në dorën e Ischinger, por në vullnetin e Këshillit të BE-së.

“Unë nuk e besoj fare që liberalizimi i vizave është në dorën apo ndikimin e ËolfgangIschinger. Kjo është një çështje që tanimë është plotësisht në vullnetin e Këshillit të BE-së”, është shprehur ai.

Sipas Gecajt, çështja e taksës nuk duhet të na konfrontojë me miqtë ndërkombëtarë.

“Megjithatë, unë e kam përsëritur në vazhdimësi se çështja e tarifës (taksës) është një çështje e cila nuk guxon në asnjë mënyrë të na konfrontojë me miqtë e provuar ndërkombëtarë të Kosovës. Edhe pse e pa-analizuar mirë kur ishte aprovuar, rendi e do që kjo tani të analizohet mirë dhe të veprohet konform interesit të vendit, e jo kokëfortësisë, inateve apo interesave politike individuale apo grupore”, ka thënë Bajram Gecaj për “Bota sot”.

Lepaja: Duhet të merren garancione që Serbia nuk është e kohës së Millosheviqit

Image
Fadil Lepaja

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se në mënyrë që të hiqet taksa, duhet të merren garancione që Serbia nuk është e kohës së Millosheviqit dhe që ka forcë të distancohet nga krimet.

“Më me u heq taksa duhet  të merren garancione që Serbia e tanishme vërtetë ka ndërruar dhe nuk është ajo e kohës së Millosheviqit dhe se e njëjta ka forcë  të distancohet prej krimeve dhe politikës serbe ndaj Kosovës në shekullin e kaluar”, ka vlerësuar Lepaja.

Sipas tij, Serbia do të duhej të kërkonte falje për krimet dhe të shprehet e gatshme për marrëdhënie të reja me Kosovën mbi frymën evropiane.

“Orientimi evropian i Serbisë do të duhej të nënkuptonte qartë këtë ndryshim përmes një kërkim faljeje institucionale për krimet e shtetit serb në Kosovë si dhe të deklarojë gatishmërinë për marrëdhënie të reja me Kosovën mbi bazën e frymës dhe normës evropiane”, ka thënë Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Konform kësaj, ai thotë se BE duhet të dëshmojë se parimet janë të rëndësishme dhe se në qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk ka anshmëri që bie ndesh me këto parime.

“Konform kësaj BE do të duhej të dëshmonte se parimet janë të rëndësishme dhe se në qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk ka anshmëri që bie ndesh me këto parime, rrjedhimisht si hap i parë logjik do të ishte liberalizimi i vizave dhe kërkesa që në rrugën e tyre evropiane Serbia dhe Kosova të ndihmojnë njëra tjetrën e jo të pengohen e të luftohen”, ka deklaruar Fadil Lepaja.

Haradinaj në përpjekje për të bërë histori me qëndrime populiste

Image
Mustafë Kadriaj

Kurse, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ka vlerësuar se në gjendjen në të cilën gjendet Kosova, më së paku mund të ketë shpresë.

“Në situatën në të cilën ndodhet Kosova, më së paku shpresë mund të ketë, duke marrë parasysh me një kryeministër i cili të krijon përshtypjen që nuk ka njeri që dëgjon as ndërkombëtarë, personalitete vendore dhe kombëtare dhe më absurdja, as këshilltarët e vet që i paguan për të marrë këshilla nga ata, e mos të flasim duke mos i përfillur, as partnerët e koalicionit e aq më pak opinionin nga shoqëria civile dhe njohësit e çështjeve të caktuara”, ka thënë ai.

Sipas Kadriajt, presioni për ta hequr taksën në këmbim të vizave nuk ka kuptim, as politik e as ekonomik.

“Poashtu edhe presioni perëndimor për të larguar taksën tani në këmbim qëtë hiqen vizat nuk ka më kuptim, as politik e aq më shumë ekonomik, e theksoj sepse Bashkimi Evropian vetëm është duke marrë kohë sepse mbi bazën e parimit tëkrijimit të Bashkimit Evropian nuk mund t’i jepet liberalizimi një shteti i cili nuk i ka zgjidhur problemet me fqinjët e tij që kjo e penalizon Kosovën, që ende është larg një marrëveshje me Serbinë dhe njëherësh mos njohja nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian është edhe një hap larg liberalizmit”, është shprehur ai më tej.

Sa i përket argumentit ekonomik, në këtë kohë njerëzit po largohen nga Kosova.

“Ndërsa argumenti ekonomik pse më nuk është me interes për Kosovën në këtë kohë sepse nuk ka përfitime ekonomike sepse fuqia punëtore njëherësh kapitali njerëzor po largohen me viza pune bashkëpunimi tregtar është në disavantazh për Kosovën sepse jemi të mbipopulluar nga importi dhe investitorët nuk kanë fare interesim për t’i vërshuar në Kosovë për shkak të mos kushteve ekonomike, juridike dhe politike, në vend që për investitorin nuk krijojnë besueshmëri për të investuar”, ka vlerësuar ai më tej.

Kadriaj propozon që në këtë situatë zgjidhja do të ishte organizimi i një konference në nivel të asaj të Rambujesë, që të definohen kufijtë me Serbinë dhe statuti final i një marrëveshje mes dyja shteteve.

“Duke u bazuar në problemet që janë grumbulluar dhe që në situatën çfarë jemi ka pak gjasa mos me thënë fare e vetmja zgjidhje dotë ishte organizmi i një konference në nivel të Rambujesë që të definohen kufijtë me Serbinëdhe statuti final me një marrëveshje ndërkombëtare duke marrë të dy shtetet si Kosova dhe Serbia që mos të pengojnë njëra tjetrën në asnjë iniciativësi rajonale evropian dhe ndërkombëtare kjo nuk do të thotëqë të dyja shtetet të lidhin raporte diplomatike duke mandatuar ambasadorët por paqe afatgjate sepse kjo gjendje dotë rëndojëçdo ditë perspektivëne Kosovës”, ka deklaruar ai.

Por, derisa kryeministri nuk është joshur nga kjo ofertë në Samitin e Berlinit, që ta heq taksën, ka pak shpresa që të hiqet.

“Si përfundim përderisa kryeministri aktual nuk është tërhequr edhe në Samitin e Berlinit me ofertën nga Merkel dhe Macron kapak shpresa vetëm çka do të krekoset politikisht duke tentuar që të bëjë histori me qëndrimin populist por aspak diplomatik dhe të një burrështetasi”, ka përfunduar MustafëKadriaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...