Ish-gazetari që mbrojti Thaçin nga akuzat e Dick Martyt: Thaçi duhet i pari të dalë para gjyqit moral për vrasjet politike

Politika

Ish-gazetari që mbrojti Thaçin nga akuzat e Dick Martyt: Thaçi duhet i pari të dalë para gjyqit moral për vrasjet politike

Nga: G.B Më: 9 maj 2019 Në ora: 14:58
Hashim Thaçi

Së fundmi, ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se duhet të zbardhen vrasjet e 200 zyrtarëve të LDK-së dhe gazetarëve e anëtarëve të thjeshtë.

Berisha ka deklaruar se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duhet të shkojë në Hagë dhe të pastrohet.

“Raporti i Dick Martyt është i bazuar në dosje te prokurorit të Beogradit. Por të them dhe tjetrën, janë 200 anëtarë dhe drejtues të LDK-së të ekzekutuar pas lufte. E them dhe këtë unë. Janë 200, jo një, duke filluar prej drejtueseve kryesor, gazetar e anëtarë të thjesht. Ky është numri i saktë që po iu them unë, nëse se dini. Ky duhet të shkojë atje, të pastrohet, unë nuk di të këtë kryer ndonjë krim, për asnjeri s’di, por Gjykata u ngrit për raportin e Dick Martyt”, ka thënë Berisha.

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me këtë, publicisti dhe ish gazetari i luftës, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se presidenti Thaçi me idenë për korrigjim të kufijve i bëri vetes njollë të keqe, derisa tregon se kur ai u akuzua për trafik organesh, ishte i pari gazetar që u deklarua se është i gatshëm të fut duart në një palë pranga me të.

“Presidenti Thaçi me angazhimin e pistë për korrigjimin e kufijve të Kosovës i ka vetes njollë të keqe turpi dhe sido të shkojë karriera e tij politike ai e mbylli keq jetën e tij politike, gaboi rëndë dhe u shëmtua. Ky është dënimi më i madh që ia jep historia. Kur Thaçi u akuzua për trafik organesh e për shtëpinë e verdhë jam i pari gazetar që atë ditë i dola në mbrojtje dhe deklarova se jam gati që duart e mia të vihen në një palë pranga me duart e Hashim Thaçit”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, presidenti nuk u soll si president, por në postin e tij bën trafik titujt e gradash.

“Thaçi nuk u soll si president i Kosovës por gjithë kohën u soll si anëtar i LPK, si enveristet e dalë boje që bënin celula në perëndim dhe mashtrohen dhe vetë se çliruan Kosovën. Ai në postin e presidentit bëri trafik titujsh, gradash e nderesh, abuzoi me trafikun e titujve që ndante për vota”, ka vlerësuar ai.

Ndërsa, sa i përket akuzës për vrasjet politike, Shahu thotë se Thaçi duhet të dalë para gjyqit moral të Kosovës, bashkë me çetën e tij dhe t’i shkundë supet nga akuzat që nuk i takojnë.

“Sa i përket akuzës për vrasjet politike të pasluftës në Kosovë, i pari njeri që duhet të dalë para gjyqit moral të Kosovës, është Thaçi me çetën e tij. Pas gjyqit moral duhet të paraqitet në gjykatë dhe të shkundë supet e tij, ato akuza që nuk i takojnë t’i hedhë nga supet e tij, ato ku ka gisht komandimi tu dalë zot. Nëse nuk do ketë kurrë ndëshkim, do shkojë dhe Kosova si Shqipëria pa ndëshkuar kurrë krimet e partisë në luftë e fill pas luftës”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat