Krerët shtabistë të LPK-së: “Hajna, profiterë e kriminelë” edhe me armë

Politika

Krerët shtabistë të LPK-së: “Hajna, profiterë e kriminelë” edhe me armë

IDRIZ ZEQIRAJ Nga IDRIZ ZEQIRAJ Më 10 maj 2019 Në ora: 13:33
Xhavit Haliti dhe Hashim Thaçi

Dështimi i marrëveshjes në Oslo të Norvegjisë, ndërmjet LPK-së dhe FARK-ut, me protagonistë Adem Demaçin e Xhavit Halitin me shokë, nuk ishte i rastësishëm. Zyrtarët social-komunistë të Tiranës, në konspiracion me Serbinë, donin statusquon në Kosovë. Të një mendjeje ishin edhe disa uzurpues të dhunshëm të Kryesisë së re të LPK-së.

Sabotimi i luftës, tashmë, kishte filluar. Tirana zyrtare, në ujdi me LPK-në, kërcënuan ushtarakët e FARK-ut, me largim nga territori i Shqipërisë. Komandanti Suprem i FARK-ut, Ibrahim Rugova, inkurajoi ushtarakët të rezistonin, pavarësisht rrezikut. Dhe, ashtu vepruan, edhe pse ekzekutuan Ministrin e Luftës. Një besëprerje në shtëpi, që e dënon edhe Kanuni!

Blerjet e para të armëve ishin private, nga armatimi i rrëmbyer, përgjatë trazirave të vitit 1997. Një vit më vonë, kur lufta kishte filluar në Kosovë, Shqipëria filloi shitjen e armatimit nga depotë ushtarake. LPK-ja mori primatin e kontratës, sepse nga kjo përfitonin edhe zyrtarët e lartë, që ngroheshin nga flakët e Shqipërisë së përkallur. "Kishte gjetur tenxherja kapakun!" Idolët e palëve të kontraktuar ishin Enveri e Stalini, "hajna, profiterë e kriminelë", siç i përkufizon, mençurisht e saktësisht, Komandant Quni. Të parët ishin sprovuar në krime, të dytët, shegertë të zellshëm, për t`i arrirë e tejkaluar ustallarët e tyre.

Armatimi paguhej nga Fondi i Qeverisë në Mërgim. FARK-u kërkoi furnizimin me armatim nga kjo blerje. LPK-ja shfrytëzoi nevojën akute të FARK-ut për armë dhe vuri haraçin shtesë. Koordinator i caktua Nasim Haradinaj, i ndihmuar nga një shoqërues nga Tropoja.

Në replikat në mes të Nasimit dhe Fisnikut (Ismaili), pavarësisht relativizimit të pjesëmarrjes në luftë, në fakt, ata ishin të dy në krye të detyrës. Hyrje-daljet, në dhe nga Kosharja të Nasimit, ishin në funksion të misionit të koordinatorit, ndërmjet të Shtabit të "Rogner-it" me FARK-un në Koshare. Dhe, këtë nuk e them pse Nasimi është djali i mikut tim të rinisë, Smajl Haradinaj, një idealist i përkushtuar i çështjes kombëtare. Por, është fakt i pamohueshëm se, në këtë funksion, ka qenë i suksesshëm.

Por, as Fisit nuk i mungon sinqeriteti. Ai u nis me hy ndër armë, por, rasti, aftësia e vuri në teknikën e luftës dhe ishte mjaft i suksesshëm.

Shitja e armëve nuk u pëlqye nga amerikanët, rezidentë në Tiranë. Edhe kryeministri Majko, ishte për dhënie të armatimit gratis, falas. Megjithatë, LPK-ja vazhdonte ta gëzonte haraçin e dhunshëm. Kjo bëhej në koluaret e "Rogner-it!"

Fillimisht, shantazhi me bllokimin e armëve, për FARK-istët e Kosharës, ishte real. Andaj duhet besuar edhe Nasimi, kur thotë se Rrustemi (Berisha) dhe Agimi (Ramadani), më ofruan postin e Komandantit të Kosharës. Për oficerët e karrierës, nuk kishte rëndësi posti, por ardhja e armatimit. Dhe, Nasimit nuk i mungon sinqeriteti, për t`ia "ditur hallin vetit". Dhe, këtë fisnikëri, duhet vlerësuar ke Nasimi. Fundja, ishin 16 ushtarakë të karrierës. Dhe, lufta bëhej nga ushtarakët profesionistë, të cilët kishin studiuar në Akademinë Ushtarake Jugosllave, në ranglistën evropiane.

Rrjedhimisht, armatimi ka qenë i bollshëm dhe adekuat, për një përballje të suksesshme, deri në fitore, me forcat elitë serbe.

Për sa i përket krahasimit të Koshares, me Operacionin "Shigjeta", të cilin Xhavit Haliti e quan "më të suksesshëm se sa Kosharja", është trillim e gënjeshtër e qëllimshme. Sepse "Shigjeta" ka dështuar, ende pa shigjetuar! Humbja spektakulare, 26 ushtarë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur, në start, nisje për aksion, në pritën armike serbe, nga të dy shpatet e Lugështajës së Gorozhubit, flasin për nguti amatoreske, në përgatitjen e një operacioni serioz. Inati, smira dëmton, së pari, vet atë që lanson përralla paushalle, pastaj ndotë edhe mjedisin, me mashtrime e falsifikime enorme. Vazhdon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat