Pasardhësit e Millosheviqit non-grata në Kosovë - Bota Sot
Pasardhësit e Millosheviqit non-grata në Kosovë

Politika

Pasardhësit e Millosheviqit non-grata në Kosovë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 10 maj 2019 Në ora: 19:36
Behgjet Pacolli dhe Ivica Daçiq

Mohimet e krimeve të luftës në Kosovë nga zyrtarët e Serbisë, po vazhdojnë. Por, nuk janë të vetmit, pasi që një gjë të tillë e bëjnë edhe politikanë serbë të cilët veprojnë në Kosovë. Dy nga ta, edhe janë shkarkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ata ishin ministra në Qeverinë e Kosovës. Ish ministri i Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, kishte thënë se “shkak agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”, kurse ish zëvendësministrja e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pati deklaruar se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

Ndërsa, ditë më parë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka marrë vendim që të shpallë “Non-Grata” të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë.

Këtë vendim Pacolli e ka marrë pasi që Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e ka mohuar masakrën e Reçakut.

Vendimi i Pacollit

Ministri Pacolli, njoftimin për këtë vendim e bëri publike përmes një postimi në profilin e tij zyrtarë në Facebook, ku përveç tjerash, ka shkruar se arsyeja pse Daçiq dhe fashistë të tjerë në Serbi mohojnë krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare dështoi në sjelljen para drejtësisë të atyre që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë.

“I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Recak nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, IvicaDaçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviçit në vitet ’90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve. Arsyeja pse Daçiq dhe fashistë të tjerë në Serbi mohojnë krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare dështoi në sjelljen e atyre para drejtësisë që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë. Nuk kishte kurrë një de-nazifikim të Beogradit. Drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë nuk do të arrihet kurrë nëse drejtësia vazhdon ta fsheh gjithë ato krime nën qilim. Nëse nuk ka dënim për krimet e Beogradit të kryera në Kosovë nuk do të ketë kurrë pajtim dhe këta fashistë në Beograd do të vazhdojnë të mohojnë krimet që kanë kryer.

Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij zyrtarë në Facebook.

Millaku: Këto vendime është dashur të merren më herët

Image
Drita Millaku

Përkundër kësaj, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, e quan Pacollin si ministër të dështuar, duke shtuar se në qeverinë e Kosovës punojnë pa koordinime.

“E para punë është se Behgjet Pacolli si ministër i jashtëm është i dështuar. Fatkeqësia e kësaj qeverie është se nuk veprojnë me politika grupore, por punojnë kokë në vete, dhe pa koordinim.”, ka thënë ajo për “Bota sot”.

Sa i përket vendimit të Pacollit, deputetja e VV-së është shprehur se këto vendime është dashur të merret më herët, si dhe ka kërkuar që krimet e luftës të ndëshkohen.

“Këto vendime është dashtë marrë moti. Është e vërtetë se krimet nuk vjetrohen, por sa më gjatë të lihen krimet pa u ndëshkuar dëshmitarët po vdesin e ne do të kemi më të vështirë, për këtë është dashtë që krimet e luftës të fillojnë të ndëshkohen. Tani për serbet nuk është hera e parë që dëgjohen andaj edhe reagimet e tyre nuk duhet të na habisin”, ka potencuar Millaku për “Bota sot”.

Për më tepër, ajo ka deklaruar se qëndrimet e Kosovës duhet të jenë serioze, e jo politika biznesore.

“Qëndrimet tona karshi Serbisë duhet të jenë serioze dhe të qarta, jo politika biznesore, por serioze dhe argumentuese , sepse gjenocidi dhe okupimi është bërë nga okupatori serb”, ka theksuar deputetja e VV-së.

Krasniqi: Shpallja e zyrtarëve serbë non-grata, e pasuksesshme

Image
Islam Krasniqi

Ndërsa, analisti politik, Islam Krasniqi, e ka quajtur vendimin e Pacollit të qëlluar, por ka theksuar se vendimet e tij nuk kanë peshë, pasi që nuk ka fuqi të merr vendime të rëndësishme.

“Vendimet i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli është i qëlluar, vendim i cili është dashur të praktikohen nga çdo qeveri, mirëpo mos të harrojmë së vendimi e z. Pacolli nuk kanë ndonjë peshë, pasi që atë askush nuk e pyet asgjë, dhe nuk e ka fuqinë që të merr vendime të rëndësishme”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Krasniqi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës disa herë ka provuar që ti shpallë non-grata zyrtarët serbe, por pa sukses.

“Qeveria e Kosovës disa herë ka provuar që individ nga klasa politike serbe ti shpallë persona të padëshiruar apo non-grata, mirëpo pa sukses, dy herë i ka larguar dy zyrtar serb nga Kosova, mirëpo i ka kushtuar policisë së Kosovës, sepse disa u dënuan me arsyetimin së kanë përdorur dhunë ndaj sigurimit të Vulinit, dhe disa të tjerë akoma presin para gjykatave të Eulexit, gjersa klasa politike ka paluar kryet dhe nuk bën zë”, ka deklaruar Krasniqi per “Bota sot”.

Politika e tanishme serbe nuk dallon fare me politikën e Millosheviqit

Image
Faik Krasniqi

Kurse, analisti politik, Faik Krasniqi, në një bashkëbisedim është shprehur se politikanët shqiptarë nuk kanë të drejtë të vizitojnë Kosovën Lindore, një gjë e tillë duhet që të praktikohet edhe Kosovë për zyrtarët serb të cilët mohojnë krimet e Serbisë të kryera ndaj shqiptareve gjatë luftës në Kosovë.

“Zyrtaret e lartë shtetërore të Kosovës nuk lejohen nga Serbia që të shkojnë për vizita atje, respektivisht në Kosovën Lindore që popullohet me shumicë shqiptare. Atëherë, pse të lejohen zyrtaret e larte serbë që ta vizitojnë veriun e Kosovës që popullohet me shumicë serbe. Aq më pak që këta zyrtare serbe mohojnë krimet e Serbisë të kryera ndaj shqiptareve gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai ka deklaruar se udhëheqësit e tanishëm të Serbisë janë pinjoll të politikës së Millosheviqit, për më tepër , ka thënë se paralajmërimi i Pacollit është i vonuar.

“Politika e tanishme serbe nuk dallon fare me politikën e Millosheviqit. Nëse i shikojmë se kush janë udhëheqësit kryesore të Qeverisë serbe, shohim që gjithë këta janë pinjoll të asaj politike, që madje kishin edhe poste të larta në kohen millosheviqiane. Edhe pse e vonuar, duhet t'u ndalohet çdo zyrtari serbe ta vizitojë Kosovën!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...