Të bllokuar dhe të izoluar, jemi më evropianë sesa vetë unioni - Bota Sot
Të bllokuar dhe të izoluar, jemi më evropianë sesa vetë unioni

Politika

Të bllokuar dhe të izoluar, jemi më evropianë sesa vetë unioni

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 11 maj 2019 Në ora: 12:09
Foto ilustrim

Në Kosovë, ditën e enjte, është shënuar “Dita e Evropës”, me një numër të madh të aktiviteteve.  Kjo ditë është festë shtetërore dhe ditë pushimi, ani pse Kosova është i vetmi vend i Evropës Juglindore, qytetarët e së cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza dhe e fundit që ka marrë premtime për përfshirjen në procesin e stabilizim-asocimit në Bashkimin Evropian, shkruan “Bota sot”.

Ndryshe, “Dita e Evropës”, është një nga njëmbëdhjetë festat zyrtare në Kosovë,  që sipas ligjit për festat zyrtare, kjo ditë shënohet me ditë pushimi.

Kjo ditë, në vendet e Evropës shënohet duke e vendosur flamurin e Evropës. Ndërkaq nga ky vit, 9 Maji është bërë festë zyrtare dhe ditë pushime edhe në Luksemburg.

Por, a duhet të jetë ditë pushimi 9 maji në Kosovën e cila ende nuk është integruar në Bashkimin Evropian dhe nga e cila pritet shumë punë për ta arritur këtë cak?

Image
Dhurata Hoxha

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, ka folur Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Ajo ka thënë se, vlerat integruese, janë vlera që dëshmohen nga puna, përkushtimi, angazhimi gjithëpërfshirës i të gjitha institucioneve, qytetarëve, por edhe ndërmarrjeve private.

“Pra, parimet dhe vlerat integruese arrihen më shpejt me punë se sa me pushim. Një ditë pune, nëse llogariten me orë, dalin të jenë miliona orë punë, të humbura. Prandaj, edhe vendet e BE-së, këtë ditë e shfrytëzojnë për punë”, shprehet ajo.

Mirëpo Ministrja Hoxha, paralajmëron se vitin tjetër 9 maji do të jetë ditë pune.

“Kjo festë, si shenjë mirënjohjeje ndaj BE-së, e sjellur nga qëllimet më të mira, besoj të korrigjohet dhe vitin tjetër të punojmë në këtë ditë, sepse procesi i integrimit kërkon shumë punë.  Procesi integrues është proces përafrimi i Kosovës me vlerat e BE-së, në legjislacion, me praktikat më të mira që ofron ky bashkim. Këtu, pres që ndjeshëm të kemi lëvizje përpara në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, ambient të pastër, ndërmarrje konkurruese me prodhime vendore, arsim cilësor, shëndetësi të avancuar dhe gjithë të mirat që disponojnë vendet brenda BE-së”, ka potencuar ajo.

Tutje, Ministrja Hoxha ka thënë se, po punohet që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm dhe brenda kapaciteteve institucionale.

“Ne jemi duke punuar që anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm dhe brenda kapaciteteve tona institucionale. Gjithsesi, ne duhet të aplikojmë edhe për të arritur te statusi i vendit kandidat në BE, por dhe të bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës. Por këto varen padashtas edhe nga rrethanat jashtë kompetencës tonë. Ne çmojmë parimet e kësaj organizate, mbinacionale, si demokracinë parlamentare, të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe sundimin e ligjit, por, anëtarësimi  varet edhe nga procedurat dhe shkaqet tjera, frenuese nga disa anëtarë të kësaj organizate. Gjithsesi, ne do ta kryejmë punën tonë si pjesë e vlerave të kësaj organizate dhe parimeve mbi të cilat është krijuar dhe punon", ka thënë Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Zemaj: Qytetarët e Kosovës këtë ditë e festojnë më shumë si dëshirë sesa si realitet

Image
Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Integrime Evropiane,  Armend Zemaj, ka thënë se kur është caktuar si datë feste më shumë ka qenë simbolika e përafrimit me BE-në dhe treguesit e rrugës evropiane për Kosovën, sesa një datë e cila të duket e imponuar duke treguar se ne jemi më shumë evropianë sesa vetë unioni.

“Ky tregues që sot Kosovën e gjen të izoluar edhe në festën e BE-së vazhdon të jetë përgjegjësi për institucionet tona në këtë mashtrim optik, njëherësh tregon edhe vetë kompleksitetin që ka vetë BE-ja për të pranuar në gjirin e vet shtete dhe kombe të reja të cilat nuk janë akoma pjesë e BE-së”, u shpreh Zemaj.

Ai shtoi se festimi i saj është shumë më i zbehur kur elementi kryesor, që është lëvizja e lirë, nuk është arritur dhe qytetarët e Kosovës këtë ditë e festojnë me shumë si dëshirë sesa si realitet.

Sa i përket Këshillit të Evropës, Armend  Zemaj, për “Bota sot”, tha se Kosova ende nuk është pjesë e këtij mekanizmi, dhe kjo, sipas tij, nënkupton edhe aspektin e të mosqenurit anëtar i sistemit të drejtësisë, i cili realisht përfshin Gjykatat e Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku për Kosovën është pozicion i dobësuar dhe kjo pamundësi aktuale paraqet përjashtim prej vendeve të tjera të Ballkanit, duke e pamundësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe proceset tjera të cilat afrojnë  Kosovën në strukturat evropiane.

“Kosova dhe institucionet e saj duhet me shumë angazhim konkret se sa pjesëmarrje periferike dhe për mbulesa politike, të cilat janë vënë më shumë në interes të individëve të caktuar politik”, përfundoi zëvendës kryetari i parë i Komisitonit të Integrimit, Armend Zemaj.

Pajaziti: Ka pasur iniciativa që kanë qenë për ndryshim të ligjit, rreth ditëve të pushimit

Image
Zenun Pajaziti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe anëtar i Komisionit per Integrime, Zenun Pajaziti, në një prononcim për “Bota sot”, tha seçështja e festave ka qenë dhe është zgjedhur me ligj dhe duhet të respektohet.

“Mendoj që vendosja e këtyre festave dhe e Ditës së Evropës  në ditë pushimi, ka qenë në kohën kur ne e kemi bërë ligjin, dhe se ka qenë një entuziazëm më i madh edhe për proceset integruese dhe për Evropën, prandaj ka qenë njëfarë unanimiteti që kjo ditë të jetë edhe ditë feste edhe ditë pushimi”, u shpreh Pajaziti.

Pajaziti tregoi se ka pasur inciativa që kanë qenë për ndryshim të ligjit, rreth ditëve të pushimit për festat, dhe se  kanë qenë të mira por nuk kanë arritur të ndryshojnë këtë ligj, për shkak të tendencave tjera që të futen edhe ditë të tjera për pushim.

Sipas tij, nuk ka qenë e mundur të arrihet edhe një konsenzus më “modest” me pushimet.

“Shumë shpejt duhet të ketë iniciativë në Qeveri dhe pastaj të vijë edhe në parlament që të trajtohet ky projektligj për festa zyrtare,është shumë e tepërt të ketë kaq shumë ditë pushimi në kohën kur na duhen shumë punë në vend. E ndaj mendimin me të gjithë të tjerët që thonë se nuk do të duhej të ishte ditë pushimi, do të duhej të festohet, por jo me pushim”, u shpreh ai.

Ndërsa, sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas Pajazitit, i gjithë procesi integrues i vendit tonë dhe i anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare është duke u përcjellë me vështirësi të mëdha.

 “Anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk do të duhej të ishte pengesë nga vendet që na kanë njohur dhe do të duhej të punohet më shumë nga ana jonë edhe nga institucionet dhe të ketë një konsenzus politik pozitë-opozitë, në takimet e rregullta  në Bruksel dhe Strasburg, në mënyrë që anëtarësimi jonë të jetë sa më i shpejtë”, tha tutje Pajaziti.

Po ashtu,  sa i përket agjendës së anëtarësimit të Kosovës, ai tha se është një detyrë e Qeverisë dhe se, ai shpreson të mos ketë pengesa si për liberalizimin e vizave, sepse padrejtësisht Kosovës i janë vendosur kritere shtesë edhe politike në vend të atyre teknike.

“Këshilli i Evropës do të duhej të ishte mundësi e mirë për vendin tonë që  t’i prezantojmë atje vlerat tona, dhe se procesi para anëtarësimit tonë në BE duket se është ende larg, dhe ky këshill të jetë njëfarë mënyre një derë të na inkurajojë dhe për të përshpejtuar proceset integruese atje”, përfundoi deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti.

Berisha: Dita e Evropës është vënë në kalendarin e festave, si rezultat i gëzimit e euforisë

Image
Anton Berisha

Kurse, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se Dita e Evropës është vënë në kalendarin e festave, si rezultat i gëzimit e euforisë por edhe falënderimit kur është shpallur pavarësia. Po ashtu, sipas Berishës, është shpresuar se Kosova do të ecte më shpejtë në proceset integruese.

“Tash, mendoj se është koha të shqyrtohet, jo vetëm këtë, por edhe festa të tjera, në arsyeshmërinë e pushimit. Besoj, se duhet hequr ndonjë prej tyre ose së paku të adoptohen. Në disa shtete evropiane punohet në këtë datë”, ka thënë ai.

Berisha përfundoi se nuk mund ta parashikojë, ngase ka një varësi të ndërsjellë. Ai tha se për momentin nuk e kanë qartësuar mirë.

Zeka: Nuk na ka mbetur tjetër, veç edhe synetit t’i bëjmë  festa shtetërore

Image
Milaim Zeka

Deputeti i Nismës Socialdemokrate dhe anëtari i Komisionit për Integrim Evropian, Milaim Zeka, për “Bota sot”, tha se Dita e Evropës është turp për Kosovën dhe se kjo ditë nuk duhet të festohet.

“Nuk na ka mbetur tjetër, veç edhe synetitë t’i bëjmë  festa shtetërore. Unë jam pro asaj që në Kosovë të bëhet një ditë feste për dëshmorët, Dita e Lirisë, që duhet të vendoset 12 Qershori, kur ka hyrë NATO-ja në Kosovë”, u shpreh ai.

Zeka përfundoi se festat e tjera nuk janë të rëndësishme, si dhe, sipas tij, festa të tilla si Dita e Evropës,  duhet të largohen nga kalendari i festave shtetërore.

Tahiri : Republika e Kosovës sot nuk është anëtare e asnjë organi e institucioni të BE-së dhe askund nuk prezantohet me emrin e saj kushtetues e me simbolet shtetërore

Image
Ramush Tahiri

Ramush Tahiri, analist i çështjeve politike, për këtë çështje, tha se Dita e Evropës nuk ka asnjë arsye të shëndosh dhe të mirëqenë që të festohet në Kosovë, përveç, siç tha ai, që të pushohet kot dhe të mos punohet.

“ Republika e Kosovës e pati për më shumë se 15 vjet misionin më të madh evropian qeverisës, mbikëqyrës, ndihmës. etj., por që rezultatet janë shumë modeste, për të mos thënë se janë më të vogla se sa do t’i kishin vetë kosovarët po të ishin të lirë e sovran ta qeverisnin veten që nga çlirimi më 1999”, tha Tahiri.

Në anën tjetër, Tahiri shtoi se Serbia që ishte okupatore dhe që shkaktoi shumë dhunë dhe armiqësi edhe me sllovenët edhe me kroatët edhe me boshnjakët edhe me shqiptarët ka arritur shumë përpara Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe ka ma shume se një dhjetëvjetësh që ka liberalizim vizash për qytetarët e Serbisë ndërsa kosovarët mbetën të izoluar dhe të mbyllur.

“Evropa kundërshton edhe sot hapjen e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe sa herë ka marrëveshje reagon Komisioni Evropian dhe i kthen duke e kushtëzuar Shqipërinë me kinse kontroll efikas të kufirit dhe jo me një menaxhim të integruar të kufijve që është normë e Bashkimit Evropian në bashkëpunimin ndërmjet shteteve”, u shpreh tutje ai.

Tahiri përfundoi se Republika e Kosovës sot nuk është anëtare e asnjë organi e institucioni të BE-së dhe askund nuk prezantohet me emrin e saj kushtetues e me simbolet shtetërore.

Gashi: Kosova është i vetmi vend nga rajoni që nuk është pjesë e tij

Image
Kenan Gashi

Kenan Gashi, analist dhe drejtor ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare AVONET, u shpreh se 9 maji në Evropë shënohet në përkujtim të Deklaratës Schumanit të vitit 1950.

 “Dita e Evropës festohet duke ekspozuar flamurin e Evropës, prandaj edhe tek ne do të duhej të festohej duke e ekspozuar flamurin e Evropës, si dhe mendoj se nuk do të duhej të ishte ditë pushimi ngase nuk është në asnjë vend evropian”, tha Gashi.

Ai shtoi se është shumë i bindur se kjo datë duhet të hiqet nga kalendari i festave zyrtare në Republikën e Kosovës.

Ndërsa, për Këshillin e Evropës, Gashi u shpreh se është një prej institucioneve më të rëndësishme në Evropë dhe është organizata kryesore në Evropë për të drejtat e njeriut, në të cilën bëjnë pjesë pjesë 47 shtete anëtare.

 “Duhet të përmendet fakti se Kosova është i vetmi vend nga rajoni që nuk është pjesë e tij. Së pari duhet të theksohet fakti se ky proces bëhet përmes aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës është më shumë teknik dhe Gashi.

Ai përfundoi se tani për tani, mendon se nuk ka një moment të favorshëm për aplikim dhe anëtarësim për vendin tonë, si dhe, sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ka pasur mundësi të bëhet në periudha të mëhershme pasi që votat shumicë nga shtetet anëtare të KE-së kanë qenë në mbështetje të Kosovës.

Kosova feston këtë ditë, por, për qytetarët e BE-së kjo është vetëm një ditë e zakonshme pune.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...