Një autor që të befason me satirën dhe sarkazmën e tij therëse

Politika

Një autor që të befason me satirën dhe sarkazmën e tij therëse

Gjikë Kurtiqi Nga Gjikë Kurtiqi Më 11 maj 2019 Në ora: 14:14
Ballina e librit

Është fjala për Gëzim Lokën, autorin e këtij vëllimi të titulluar: “Një kandidat për hero”, që përgatitet për të hyrë në botim. Porsa e mora në dorë dhe fillova të lexoj dorëshkrimet e krijimeve në formë fejtoni, skice e pamfleti më tërhoqi dhe më befasoj stili, gjuha e pasur dhe e qartë, satira e thellë dhe fine me një mendim dhe mesazh të qartë për të shprehur të vërtetat e jetës që po jetojmë, të kohës së trazuar e të turbulluar me shumë dhimbje që e kemi quatur “kalimtare” se do të na çonte nga një sistem shoqëror e politik të përfolur e të anatemuar në një sistem tjetër politik më të demokratizuar, më të përparuar, do të na çonte “në Europën e Bashkuar e të dëshiruar”, të cilën populli ynë prej kohësh e ka emërtuar me një mbiemër tjetër që sot ne e kemi harruar... Kanë kaluar tridhjet vite dhe ne nuk po ja shikojmë akoma anët e “përparuara e të ndritura” këtij sistemi dhe kësaj bote, por po i shohim vetëm anët e shëmtuara, të pista, të nxirosura e të katranosura, siç janë krimet, korrupsionet, braktisjet e trojeve nga pronarët, të prindërve nga fëmijët, të shkollave nga nxënësit, të konflikteve të egra për pronat që shoqërohen me vrasje edhe plagosje brenda fisit e familjeve, ku vret vëllai vëllanë, djali babanë e nënën, burri gruan, fqinji fqinjin për një pemë në kufi, për një aneks në shtëpi, për një pëllëmbë ledhi në kufi…

Vëllimi fund e krye karakterizohet nga një frymë kritike e demaskuese për të shëmtuarën, regresiven e kësaj kohe. Ai ka vënë në shënjestër gjithë amoralitetin e kësaj kohe pa moral. Fejtonet, skicat dhe pamfletet denigrojnë e satirizojnë gjithë dukuritë negative të kohës e sistemit, duke shprehur kështu aspirata qytetare, frymëzuar nga ideale përparimtare të moralit njerëzor e shoqëror që mbetet i tille edhe sot, duke i rezistuar kohës “moderrne”, ku pronari është i lire që të punësuarin ta pushojë kur të dojë nga puna, por dhe i pushuari është i lire ta shajë mbarë e prapë pronarin. Autori Gëzim Loka nuk mund të heshtë kur vetë heshtja nuk hesht por ulërin, kur heshtja nuk është kapak floriri por është heshtje që bërtet, heshtje, që siç thotë autori: “… të hyn gjer nën lëkurë e ta bën mishin kokërr…”. Sa shumë flet një heshtje apostolike në një fshat të braktisur që dikur “në ajër vibronin tinguj/ Dhe vetë hareja merrte udhë/…ku: Rinia me fllad ditësh rinore/ Ku sup më sup u bëmë male”! E sot dhe malet kanë mbetur jetimë dhe pyjet bokërrimë të rrafshuar nga motosharra dhe të përvëluara nga flakët.

Vëllimi ka fejtone e pamflete të skalitura me mjeshtëri nga autori siç janë: “Dialog i Mallës me Runjën”, “Kur të ftojnë të futësh dorën në xhep”, “Kandidati për hero”, “Unë do të votoj për të shëndoshin”, “Kazani, tepsia, grazhdi etj.”, “Luga e ndryshkur e floririt”, “Sallam, sa(k)llam-derr”, “Mesazh perte vdekurin”, “Ura”, “Humanizmi i hijenave” e të tjera krijime që i japin vëllimit vlerat cilësore dhe e vënë lexuesin në medime.

Ky vëllim me fejtone e pamflete vjen pas katër botimeve të mëparëshmë të autorit: “Lura, perla e Europës”, publicistikë letrare-historike. “Ujvarë  shpirti” poezi, “Pafajësia e Pranverës”, tregime dhe “Viti zero”, ese që plotësojnë njeri-tjetrin dhe na e japin më të plotë figurën krijuese të Gëzim Lokës. Humori në këto vëllime kalon në satirë, satira në sarkazëm therëse për dukuritë dhe cilësitë regresive të kohës dhe të banorëve të saj. Në shënjestër të humorit autori ka vënë politikanin batakçi që punon e mendon vetëm për llogaritë bankare dhe xhepat e tij, gjykatësin dhe prokuronin që vendimet për drejtësi i japin zarfet e mbushura plot, mjekun që të rjep xhepat dhe lëkurën, tregëtarin dhe fajdexhiun që s’kanë të ngopur me gjakun e hallexhiut. Ja pra, këta personazhe mbushin këtë vëllim të Gëzim Lokës, vëllim që kam bindjen se do të mirëpritet nga lexuesi dhe do të shënojë një lartësi të re për Gëzim Lokën - Lura si krijues e lëvrues i gjinive të vështira të humorit e të satirës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat