Skenari djallëzor i Thaçit dhe Haradinajt për të marrë merita në Samitin e Parisit

Politika

Skenari djallëzor i Thaçit dhe Haradinajt për të marrë merita në Samitin e Parisit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 maj 2019 Në ora: 08:01
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj pritet që në korrik të këtij viti të udhëtojnë në Samitin e Parisit, me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Atje, përveç liderëve të institucioneve të Kosovës, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit shtetit të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian.

Përkundër që shihet si një mundësi për shtyrjen përpara të dialogut Kosovë- Serbi, pengesë e saj po konsiderohet mungesa e unitetit brenda liderëve politik në Kosovë.

Përfaqësues të opozitës vlerësojnë se situata në të cilën ndodhet vendi, në veçanti në raport me dialogun me Serbinë, qëndrimet kaq kundërthënëse në mes kryeministrit dhe presidentit janë jo normale për një shtet normal.

Ndërsa, nga ana tjetër, njohës të zhvillimeve në vend, mendojnë se kryeministri Ramush Haradinaj, me këtë “kokëfortësi” po tenton që të sfidojë presidentin Thaçi, që edhe nëse rrëzohet nga Qeveria, ketë ta përdor si karrem të fushatës.

Rugova: Raportet Thaçi-Haradinaj e kanë dëmtuar shumë imazhin e Kosovës

Image
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se qëndrimet kaq kundërthënëse mes krerëve të vendit janë jo normale për një shtet normal.

“Vlerësoj se në situatën në të cilën ndodhet vendi, në veçanti në raport me dialogun me Serbinë, qëndrimet kaq kundërthënëse në mes kryeministrit dhe presidentit janë jo normale për një shtet normal”, konsideron deputeti i LDK-së.

Rugova me tej shprehet se këto veprime e kanë dëmtuar imazhin e vendit, ndërsa, ka theksuar se nuk pret asgjë konkrete nga ky samit.

“Këto raporte e kanë dëmtuar shumë imazhin e vendit në rrafshin ndërkombëtar. Nuk pres asgjë konkrete nga takimi në Paris, sikurse që nuk kam pasur pritje as nga Samiti i Berlinit”, shprehet Rugova.

Në fund, deputeti nga radhët e opozitës ka nënvizuar se dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është i pa mundur pa zgjedhje të reja në Kosovë.

“Ky dialog është i pamundur pa zgjedhje të reja në Kosovë, konsensus të gjerë dhe përfaqësim kushtetues të shtetit të Kosovës në këtë proces”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Millaku: Thaçi ka dhënë prova se dëshiron t’i shkojë deri në fund idesë serbe

Image
Drita Millaku

Ndërsa, edhe deputetja tjetër e opozitës, ajo nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se janë të vështira të parashikohen veprimet e Thaçit, pasi që, sipas saj, ky i fundit e ka dëshmuar se është konfuz dhe jo konsistent.

Sipas Millakut, presidenti Thaçi ka dhënë prova se dëshiron t`i shkojë deri në fund idesë serbe të shkëmbimit të territoreve.

“Mendoj se është shumë e vështirë të parashikohen veprimet e Hashim Thaçit pasi që është dëshmuar se ai është konfuz dhe jo konsistent. Jam e bindur se nuk ka unitet në mes të presidentit dhe kryeministrit pasi që Hashim Thaçi ka dhënë prova se dëshiron të i shkojë deri në fund idesë serbe të shkëmbimit të territoreve”, ka thënë Millaku.

Tutje, ajo ka deklaruar se pret nga Samiti i Parisit që t’i vihet kapaku idesë së shkëmbimit të territoreve.

“Prej Samitit të Parisit pres që t’i vihet kapaku idesë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë”, ka deklaruar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Gjithashtu mendoj se vetëm zgjedhjet e lira në Kosovë do të ishin siguri absolute për ta varrosur përfundimisht këtë ide dhe për të vënë në binare të sigurt dialogun duke mbrojtur kështu interesat fondamental të Kosovës .Pra, vetëm Lëvizja Vetëvendosje është gardiane e besueshme e interesit të Kosovës”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

“Kryeministri po e sfidon presidentin”

Image
Mustafë Kadriaj

Nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Mustafë Kadriaj, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kryeministri Haradinaj po tenton që të sfidojë presidentin, që edhe nëse rrëzohet nga kryeministria, të ketë si karrem për fushatë elekorale.

“Si Kosovë, është normale që duhet për të marrë pjesë në këtë samit, ndërsa janë edhe dy muaj që në Kosovë politika mund të ndryshoi brenda natës, por edhe nëse shkojnë tani e tutje kryeministri po tenton që të sfidojë presidentin që edhe nëse rrëzohet nga kryeministria këtë ta shfrytëzojë si karrem për fushatë. Mendoj që kryeministri aktual duhet të injorohet me këto teket e tij deri në një moment nëse parlamenti i jep votë të mosbesimit, por në asnjë rast të mos lutet që të tërhiqet taksa”, ka thënë Kadriaj.

Sipas tij, në Kosovë nuk ka parime, dhe se edhe ato që bëhen në emër të së mirës së qytetarit në fakt kanë prapavijën e faktorizimit të subjektit apo liderit të caktuar.

“E them këtë, sepse taksa tani e ka arrit efektin e vet politik dhe ekonomik, kështu qe kryeministri po tenton që të rri në pushtet me këtë kurs politik, prapë të shfrytëzoj taksen ndaj Serbisë për votë. Pra, këtu nuk ka parime, por edhe ndonjë veprim që bëhet në emër të së mirës së qytetarit në fakt ka prapavijën e faktorizimit të subjektit apo liderit të caktuar në këtë rast të kryeministrit aktual”, shtoi ai.

Në fund, ai thekson se nëse do të qëndrojë kjo qeveri deri në korrik kryeministri do të tentojë që të kthehet si hero nga Samiti i Parisit.

“Mendoj që qytetari tani e tutje e ka kuptuar profilin e kryeministrit aktual që nuk e kupton të vepruarit si lider që kur është interesi i vendit bie poshtë egoja personale, por që deri më tani qytetari dhe perspektiva e Kosovës është pre e tekeve të kryeministrit aktual. Nëse do të qëndrojë kjo qeveri deri në korrik, kryeministri do të tentojë që të kthehet si hero nga Samiti i Parisit, në mënyrë që të shfrytëzojë për fushatë dhe me ketë dua të theksoj se tek ne mund të ketë çdo gjë, por vetëm unitet politik nuk do të ketë asnjëherë”, ka përfunduar Kadriaj për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se takimi i Parisit vjen pas Samitit të Berlinit, që u mbajt më 29 prill me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës Emmanuel Macron.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat