Vrasja e Bardhyl Ajetit, krim i organizuar nga nëntoka mafioze shqiptare

Politika

Vrasja e Bardhyl Ajetit, krim i organizuar nga nëntoka mafioze shqiptare

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 3 qershor 2019 Në ora: 07:58
Gazetari i gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti

Më 3 qershor të vitit 2005, derisa gazetari i gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti po shkonte rrugës për në Gjilan, më saktësisht në fshatin Bresalc, u qëllua me armë zjarri, ku fillimisht mbeti i plagosur, ndërsa, për shkak të plagëve të rënda ndërroi jetë në Milano të Italisë, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.

Vrasja e gazetarit të mirënjohur, pavarësisht se janë bërë 14 vite, vazhdon të mbetet edhe me tej një mister i pazbuluar për drejtësinë në vend.

Publicisti Ajeti u vra nga dora tinëzare, në përpjekje për ta vrarë fjalën e lirë, shkruan gazeta “Bota sot”.

Familjarët e të ndjerit thonë se Gjykata Speciale ka mbetur shpresa e vetme dhe e fundit e tyre për zbardhjen e vrasjes së Bardhylit dhe të gjitha vrasjeve tjera politike të kryera pas përfundimit të luftës.

Ndërsa, përfaqësues të partive politike dhe njohës të fushës së drejtësisë konsiderojnë se vrasjet enigmatike të intelektualeve, veprimtareve të LDK-së, kryetarëve të komunave, deputetëve, komandantëve të shquar dhe gazetarëve që me guxim shkruanin për të vërtetën e hidhur pas çlirimit të vendit, vazhdojnë të mbesin njollë e zezë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Gazeta “Bota sot”, ka provuar të marrë informacione edhe nga Prokuroria e shtetit, se deri ku kanë shkuar hetimet për vrasjen e gazetarit të saj, mirëpo këta të fundit nuk kanë qenë të qasshëm.

Nëna e Bardhyl Ajetit: Kam frikë se do t’i mbylli sytë pa e ditur se kush ma vrau Bardhylin

Nexharije Ajeti, nëna e gazetarit të mirënjohur Bardhyl Ajeti mes lotëve ka folur për përvjetorin e 14-të të vrasjes së djalit të saj.

Nën lot, ajo thotë se tashmë i ka humbur të gjitha shpresat për zbardhjen e vrasjes së Bardhylit, shkruan gazeta “Bota sot”.

“Kam humbur të gjitha shpresat që do të gjenden vrasësit e djalit tim. 14 vite më parë ma vranë Bardhylin tim dhe askush nuk u gjet sepse ai e donte Kosovën e lirë ku e vërteta thuhet dhe shkruhet”, thotë nëna e Bardhylit për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ajo rrëfen se si e pret me derën e hapur Bardhylin, që si shtatlartë e guximtar i madh, të hyjë tek shtëpia që ta përqafojë edhe një herë.

“Gjithmonë e pres të hapet dera dhe të hyjë Bardhyli i qeshur, shtatlartë e guximtar ta përqafojë dhe ti them “çfarë ke shkruar sot”.

Në fund, nëna e gazetarit të gazetës “Bota sot”, thotë se gjithnjë e ka mendjen tek ai, ndërsa, tregon se jeton me frikën se do t’i mbyllë sytë pa e ditur se kush ia vrau djalin e saj.

“Djalin tim, Bardhylin, të gjithë e donin përveç kriminelëve dhe bandave të nëntokës. Atë dhe shkrimet e tij nuk i donin, sepse po të ishte gjallë Bardhyli këta hiena kurrë nuk do të ishin në krye të vendit. Po i shtyjë ditët e jetës dhe zemrën e shpirtin e kam tek ai. Kam frikë se do t’i mbylli sytë pa e ditur se kush ma vrau Bardhylin tim”, përfundoi Nexharije Ajeti, nëna e Bardhyl Ajetit.

Fitim Ajeti, vëllai i Bardhylit: Dihet botërisht se kjo ka qenë vrasje puro-politike

Ndërsa, edhe vëllai i gazetarit Bardhyl Ajeti, Fitimi thotë se vrasja e të vëllait vazhdon të mbetet mister i pazgjidhur, derisa konsideron se dihet botërisht se kjo ishte një vrasje puro-politike për interesa të ngushta të grupeve të caktuara klanore.

“U bënë 14 vite nga atentati për vdekje ndaj vëllait tim, Bardhyl Ajetit. 14 vite pas, kjo vrasje vazhdon të mbetet mister i pazgjidhur dhe dihet botërisht se kjo ka qenë vrasje puro-politike për interesa të ngushta të grupeve të caktuara klanore. Vëllai im shquhej si gazetar dhe redaktor i guximshëm i gazetës kombëtare “Bota sot”, dhe aktivist i njohur i LDK-së, guxim ky që i kushtoi me jetë”, thotë Fitimi për gazetën “Bota sot”.

Fitimi deklarohet i habitur se si askush nga institucionet lokale e qendrore nuk e ka guximin të flasë rreth vrasjes së gazetarit dhe redaktorit më të guximshëm që ka pasur Kosova.

“Por, vite pas atentatit për vdekje askush nga institucionet tona lokale dhe qendrore, nuk ka marrë dhe vazhdojnë të mos marrin guxim që të paktën dy rreshta t’ia kushtojnë këtij përvjetori që i mori Kosovës gazetarin dhe redaktorin më të guximshëm, heroin e fjalës së lirë”, thotë ai.

Mes tjerash, Fitimi pyet se pse prokuroria dhe shteti po heshtin, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e vrasjes së Bardhylit.

“Prokuroria, shteti, kriminelët heshtin. Askush nuk jep përgjigje pse, dhe më qenësorja nga kush e vra Bardhylin. Forcat e krimit ende është e madhe dhe e pranishme në shoqërinë e Kosovës. Kjo vrasje nuk ka ndodhur rastësisht, por ka qenë veprimtari e organizuar e nëntokës shqiptare e cila ka qenë nën ndikimin e qarqeve të caktuara dhe në shërbim të interesave material të grupeve mafioze. Ky ka qenë qëllimi i vrasjes së Bardhylit i cili donte të ua hiqte maskën kriminelëve dhe ta thoshte vetëm të vërtetën, gjë e cila i kushtoi me jetë”, thotë mes tjerash Fitimi.

“Gjykata Speciale shpresa e vetme”

Tutje, ai thekson se Gjykata Speciale ka mbetur shpresa e vetme dhe e fundit e familjes për zbardhjen e vrasjes së Bardhylit.

Derisa, krejt në fund nënvizon se organet e drejtësisë në vend janë nën kontrollin e grupeve të ngushta mafioze, dhe se nga ato nuk pritet të bëhet asgjë.

“Zotimi për zbardhjen e vrasjeve politike ka qenë fraza kryesore në fushata elektorale e të gjitha partive politike, por me përfundimin e fushatave gjithmonë është zbehur shpresa e familjes tonë që një ditë do dalin para drejtësisë autorët e të gjitha vrasjeve politike”, thotë me tej ai.

“Organet vendore nuk kanë bërë asgjë sepse janë nën kontrollim e grupeve të ngushta mafioze dhe nuk pritet të bëjnë asgjë ndërsa ato të EULEX-it bënë vetëm pak, vetëm filluan dhe e ndërprenë sepse ato dolën që ishin të korruptuara nga krimi i organizuar. Gjykata Speciale ka mbetur shpresa e vetme dhe e fundit e familjes tonë për zbardhjen e vrasjes së Bardhylit tonë dhe të gjitha vrasjeve tjera politike”, përfundoi Fitim Ajeti për gazetën “Bota sot”.

Rugova: Vrasjet e pasluftës njollë e zezë e sistemit gjyqësor të Kosovës

Image
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se vrasjet e pasluftës në vend vazhdojnë të mbesin njollë e zezë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe e ndërgjegjes shoqërore në përgjithësi.

“Vrasjet enigmatike të intelektualeve, veprimtareve të LDK-së, kryetarëve të komunave, deputetëve, komandantëve të shquar dhe gazetarëve që me guxim shkruanin për të vërtetën e hidhur pas çlirimit të vendit vazhdojnë të mbesin njollë e zezë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe e ndërgjegjes shoqërore në përgjithësi”, thotë Rugova.

Sipas deputetit të LDK-së dështimi i organeve të drejtësisë vendore e ndërkombëtare hapë dilema se mos urdhërdhënësit kanë futur kthetrat edhe në sistemin e drejtësisë.

“Përveç dështimit të organeve të drejtësisë, si ndërkombëtare dhe atyre vendore mos zbardhja e këtyre krimeve makabre hapë edhe dilema të tjera se mos urdhërdhënësit e këtyre krimeve i kanë futur kthetrat edhe në sistemin e drejtësisë”, shtoi ai.

Rugova shprehet i sigurt se e drejta gjithmonë do të ngadhënjejë, dhe se shpata e drejtësisë do i godet fuqishëm kriminelët.

“Por, jam shumë i sigurt se e drejta gjithmonë ngadhënjen, dhe se shpata e drejtësisë do i godet fuqishëm kriminelët dhe urdhër dhënësit e tyre, sepse rrugë tjetër nuk ka për ndërtimin e një shteti ligjor dhe demokratik”, tha në fund Rugova për gazetën “Bota sot”.

Miftaraj: Nuk ka vullnet për të zbardhur vrasjet e gazetarëve

Image
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për gazetën “Bota sot”, thotë se liria e shprehjes dhe shtypi i lirë janë parakushte për një shtet demokratik, që është edhe aspiratë e Republikës se Kosovës.

“Fatkeqësisht, viteve të fundit në vazhdimësi Kosova është duke shënuar regres në këtë fushë, ku përfshihet edhe mungesa e sigurisë së gazetarëve dhe medias për të ushtruar profesionin në mënyrë të pavarur dhe të lirë. E kur kësaj i shtohet edhe fakti se edhe pothuajse më shumë se një dekadë nuk zbulohen kryesit e vrasjes së gazetarëve, ushtrimin e profesionit të gazetarisë e bën edhe më të vështirë dhe më të rrezikshme.

Kësisoj, sipas Miftarjat, njëjtë sikurse kjo qeveri edhe qeveritë e kaluara dhe as sistemi i drejtësisë nuk kanë pasur vullnet dhe interes që ta zbardhin të vërtetën e vrasjes së gazetarëve

“Fatkeqësisht, as kjo qeveri, sikurse edhe qeveritë e kaluara dhe as sistemi i drejtësisë nuk kanë vullnet dhe interes për të zbardhur vrasjet e gazetarëve që kanë ndodhur për më shumë se 14 vite”, thotë ndër të tjera ai.

Mushkolaj: Mos zbardhja e vrasjes së gazetarëve do të jetë gjithmonë një barrë e rëndë për shoqërinë

Image
Imer Mushkolaj

Ndërsa, kryetari i këshillit të mediave të shkruara, Imer Mushkolaj, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se gazetarët në Kosovë përballen nga presionet politike apo grupe të caktuara të interesit.

Sipas Mushkolajt, nuk mund të ketë liri të mediave në Kosovë, përderisa nuk ndodh zbardhja e vrasjeve të gazetarëve në Kosovë. Mushkolaj tregon se ka presion të vazhdueshëm në prokurori për t’u zbardhur këto vrasje.

“Në anën tjetër ne në Kosovë kemi një problem të madh, për shkak se kemi një numër të gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur, e që ende nuk janë zbardhur dhe pavarësisht përpjekjeve edhe të AGK-së, këshillit të mediave etj, për t’iu bërë presion në prokurori dhe në gjykata që të zbardhen këto raste, nuk janë zbardhë, e në mesin e tyre janë edhe dy kolegë nga gazeta “Bota sot” për autorët e vrasjes për të cilët nuk dihen, por ka edhe 12 të tjerë nga komuniteti serb edhe shqiptarë të cilët janë vrarë apo zhdukur këtu, qoftë gjatë luftës apo pas saj dhe nuk është bërë asnjë hap konkret për të zbardh vrasjen e tyre. Deri sa kjo nuk ndodh, natyrisht se nuk mund të themi se në Kosovë ka liri të mediave të shprehjes çfarë duhet të jetë, pasi mos zbardhja e vrasjes së gazetarëve do të jetë gjithmonë një barrë e rëndë për shoqërinë, por edhe për prokurorinë”, është shprehur ai.

Kryetari i këshillit të mediave të shkruara me tej thotë se edhe kushtet e punës së gazetarëve, ndikojnë që ata të mos e kryejnë si duhet punën e tyre, ku thekson se një numër i madh i tyre nuk kanë kontrata të punës.

“Natyrisht se edhe Kosova i ka problemet e veta, e ato janë qoftë me mungesën në raste të caktuara të lirisë së gazetarëve për të raportuar, për shkak të presioneve që mund të jenë nga politika apo grupe tjera të interesit, por po ashtu problematike mbeten edhe grupe që kanë të bëjnë me pozitën sociale të gazetarëve, në kuptimin që fatkeqësisht ka shumë gazetarë që punojnë pa kontrata të punës, që paguhen pak dhe në këtë mënyrë kjo ndikon që ata të mos e kryejnë punën ashtu siç duhet”, thotë ai.

Zogaj: Është koha e fundit që të ndryshoj gjendja dhe të dihet e vërteta

Image
Skënder Zogaj

Ndërkaq, nga ana tjetër analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se vrasja e Bardhyl Ajetit, dhe e shumë figurave të tjera është një dhembje e madhe për Kosovën.

Ai thekson se është elementare zbulimi i vrasjeve për një vend që pretendon të jetë pjesë botës së civilizuar.

“Vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti dhe e shumë figurave të tjera të njohura është dhembje e madhe si për familjarët e tyre ashtu edhe për shoqërinë dhe institucionet shtetërore, të cilat është dashur të mos heshtin, por të angazhohen për zbardhjen e vrasjeve, sepse, është obligim elementar për një vend që pretendon të jetë pjesë botës së civilizuar”, deklaroi analisti Zogaj.

Zogaj deklaron se heshtja e vrasjeve të personaliteteve si gazetari Bardhyl Ajeti, edhe më shumë e zbehin besimin dhe autoritetin ndaj shtetit dhe pushtetarëve.

“Pra, institucionet e Kosovës duhet të zgjohen dhe të japin kontributin e tyre për zbardhjen e vrasjeve, sepse, heshtja e vrasjeve të personaliteteve si gazetari Bardhyl Ajeti e zbehin besimin dhe autoritetin ndaj shtetit dhe pushtetarëve. Është koha e fundit që të ndryshoj gjendja dhe të dihet e vërteta”, u shpreh Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat