Lajm i keq për Kosovën, vizita e Haradinajt në Gjermani nuk garanton liberalizimin e vizave

Politika

Lajm i keq për Kosovën, vizita e Haradinajt në Gjermani nuk garanton liberalizimin e vizave

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 7 qershor 2019 Në ora: 12:09
Foto ilustruese

Vizita e Kryeministrit Haradinaj në Gjermani, respektivisht takimi i tij me Kancelaren Angela Merkel, gjatë ditës së djeshme (e enjte), po shihet si mundësi e mirë për sqarimin e situatës në mes të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe për çështjen e vizave, shkruan “Bota Sot”.

Sejdiu: Liberalizimi mbetet sfidë e madhe për ne

Korab Sejdiu, deputet i pavarur në Kuvendin, për “Bota sot”, tha se është mirë që Gjermania po merr rol më aktiv lidhur me të ardhmen e Kosovës me paralelizëm të plotë me mbështetjen që Kosova ka prej SHBA-së.

Image
Korab Sejdiu

”Është për t’u përshëndetur fakti se Gjermania po merr rol më aktiv lidhur me të ardhmen e Kosovës, natyrisht, në paralelizëm të plotë me mbështetjen që Kosova gëzon nga SHBA-të.  Kjo mbështetje po shfaqet edhe me faktin se Kancelarja e këtij shteti ka ndarë kohën e saj të vlefshme për të pritur KM Haradinaj, dhe për të koordinuar hapat e radhës, veçanërisht para takimit në Paris”, tha Sejdiu.

Por, si rezultat i fatkeqësive politike në Kosovë, sipas Sejdiut, Kancelarja Merkel detyrohet të takojnë një kryeministër të një qeverie skandaloze, sepse krerët e tjerë institucional i kemi edhe më të padëshirueshëm – pra detyrohet të zgjedhë të keqen më të vogël. 

“Prandaj, rezultatet e kësaj vizite, dhe pozitës së Kosovës në botë në përgjithësi, do të ishin shumë më pozitive për Kosovën sikur ajo të përfaqësohej nga një kryeministër me integritet të panjollosur personal dhe politik.  Mbetet të përpiqemi që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt, para se të bëhet tepër vonë”, tha ai.

Sejdiu, shtoi se është e qartë që kohëve të fundit, pozicioni i Gjermanisë ka ndryshuar për të mirë lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave. 

“Kjo është një shenjë pozitive, por nuk mund të merret si diçka definitive, pasi që liberalizimi mbetet sfidë e madhe për ne, kryesisht si rezultat i hipokrizisë evropiane dhe qëndrimeve kundër liberalizimit të disa vendeve kyçe në BE, por edhe zaptimit të shtetit tonë nga krimi, që po përdoret pastaj si pretekst nga të gjithë ata që nuk na e dëshirojnë të mirën”, tha deputeti Sejdiu.

Megjithatë, Sejdiu, shtoi se është e domosdoshme që të ndodh rrëzimi i qeverisë Haradinaj.

“Ka qenë mirë që kjo qeveri të mos formohej fare qysh në fillim.  Prandaj, çdo ditë që kalohet pa e rrëzuar këtë qeveri, është edhe një goditje fatale ndaj të ardhmes së vendit tonë”, tha ai.

Murati: Të jemi optimist për vjeshtën

Image
Valon Murati

Kurse, Valon Murati, kryetar i partisë Lëvizja për Bashkim, për gazetën “Bota sot”, tha se takimi i kryeministrit të Kosovës me Kancelaren Merkel është një lajm i mirë për Kosovën, në planin e ngritjes së nivelit të marrëdhënieve dy palshe.

Sipas tij, Gjermania është një ndër aleatët e Kosovës dhe marrëdhëniet me të janë të një rëndësie të dorës së parë.

“Në momentin aktual ka ngecje të dialogut Kosovë-Serbi dhe një koordinim i Kosovës me aleatët tanë është shumë i rëndësishëm. Ky dialog është e pamundshme të përfundojë me një rezultat pozitiv pa përfshirjen e  shteteve kryesore evropiane dhe sidomos pa përfshirjen e SHBA-ve”, tha Murati.

Ai, shtoi se në anën tjetër, duket se ka një përkushtim të Gjermanisë sa i përket liberalizimit të vizave.

“Kosovës në këtë drejtim është duke iu bërë një padrejtësi e madhe dhe roli i Gjermanisë për të bindur shtetet e tjera skeptike edhe përkundër rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, mund të jetë qenësor”, ai.

Sipas tij, duke qenë se vendimi merret brenda Këshillit të BE-së, është vështirë të flitet për një datë të sigurt sepse shumë gjëra varen nga dinamikat e brendshme të shteteve anëtare.

“Duhet të jemi optimistë, që përkushtimi gjerman do të bëjë të mundur që të realizohet ajo që tha sot kryeministri Haradinaj. që vjeshta të jetë stina në të cilën Këshilli do të vendos pozitivisht për çështjen e liberalizimit të vizave”, deklaroi Murati.

Muja: Mbështetja gjermane nuk do të thotë liberalizim i vizave

Image
Armend Muja

Armend Muja, njohës i çështjeve politike, për “Bota Sot”, tha se vizita e Haradinajt në Gjermani ndërlidhet me katër tematika kryesore: 1. Dialogu Kosovës – Serbi, 2. Taksa 100% dhe 3. Asociacioni i komunave serbe. Kjo vizitë është si parapërgatitje për Samitin në Paris.

Muja, shtoi se Merkel do të vazhdojë të insistojë që taksa ndaj produkteve serbe të hiqet.

“Merkel vazhdon në kërkesën e saj për heqje të taksës ndaj produkteve serbe, fillimin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Në të njëjtën kohë ajo do të konfirmoj mbështetjen gjermane për liberalizim të vizave”, tha Muja.

Më tej, Muja theksoi se vizita e Haradinajt në Gjermani nuk ka të bëj me vizat ngase sipas tij fjalën e fundit për vizat e ka Franca.

“Mbështetja gjermane nuk do të thotë liberalizim i vizave. Kjo sepse përcaktues do të jetë qëndrimi francez”, tha Muja.

Dauti: Nga kjo vizitë pritet që të sqarohet edhe më tej pozita e Gjermanisë ndaj situatës në Ballkan

Image
Daut Dauti

Ndërkaq, njohësi i politikave evropiane, Daut Dauti, për “Bota Sot”, tha se vizita e Haradinajt do të shërbej për mbështetjen gjermane ndaj raportit Kosovë – Serbi.

“Nga kjo vizitë pritet që të sqarohet edhe më tej pozita e Gjermanisë ndaj situatës aktuale në Ballkan, përkatësisht raporteve Kosovë – Serbi. Një deklarim i qartë i politikës gjermane të ndihmonte edhe në sqarimin e mëtejmë të situatës së brendshme politike në Kosovë. Do të dihet cilat janë pozitat shqiptare dhe ato serbe në bisedimet e ardhshme”, tha Dauti.

Sipas Dautit, vizita e Haradinajt në Gjermani do të ndikoj në forcimin apo dobësimin e pozitës së Haradinajt dhe Thaçit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat