Kali i Trojës, brenda propozimit të Thaçit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Politika

Kali i Trojës, brenda propozimit të Thaçit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 qershor 2019 Në ora: 20:30
Hashim Thaçi

“Fundja, ideja e Shqipërisë së Madhe vije nga koha e Rankoviqit dhe UDB-së. Me këtë ide të shpifur serbe tentohej, shpesh me shumë sukses, që të komprometohet lufta për liri e barazi. Kjo ndodhi edhe në demonstratat e vitit 1981. Edhe aty u infiltruan bashkëpunëtorët e shërbimit serb e sovjetik, duke futë kërkesa e parulla marksiste dhe për Shqipëri të Madhe, të cilat Serbia i shfrytëzoi mirë për represion mbi shqiptar dhe për rrenim të autonomisë”, ka thënë Sali Rexhaj.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, së fundit është shprehur hapur se një nga synimet e tij është dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Kjo tezë e tij, vije pas “dështimit” të asaj për bashkim të Kosovës Lindore.

Thaçi po konsideron se tashmë po krijohen edhe rrethanat e reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë si zgjidhjen më të mirë.

“E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Evropian, Por po krijohen rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij”, tha Thaçi.

Deklaratat e presidenti aktual, nga analistët politikë po shihen si pjesë e retorikës, dhe pa një plan të qartë për tu realizuar.

Themeluesi i Partisë Parlamentare të Kosovës ka thënë se deklaratat dhe angazhimet e të parit të vendit për ndryshim kufijsh mbi baza etnike, për Shqipëri të Madhe, janë thellësisht të dëmshme për shtetin e Kosovës, dhe forcimin e shtetit dhe integrimin tonë në organizata perëndimore.

Ndërsa, analistët dhe njohësit e zhvillimeve në vend, mendojnë se teza e Thaçit për bashkim kombëtar është për të larguar vëmendjen e publikut nga akuzat ndaj tij.

Rexhaj: Thaçi nuk ishte as për pavarësi të Kosovës

Njëri ndër themeluesit dhe ish-anëtari i Partisë Parlamentare të Kosovës, Sali Rexhaj, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe në të kaluarën ishte nën ndikimin e propagandës së Enver Hoxhës, i cili shtypjen e popullit e mbulonte me romantizëm kombëtar.

Ndërsa, ka zbuluar se para fillimit të luftës ky i fundit nuk ishte as për pavarësi të Kosovës, shkruan gazeta “Bota sot”.

Image
Sali Rexhaj

“Thaçin e njoh që nga viti 1989 në kohën sa ishte student. E di shumë mirë se si funksionon. Ai ishte pjesë e ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, por si anëtar i LPK-së ai nuk kishte qëndrim të qartë për sistem shumëpartiak dhe ekonomi të tregut. Nuk ishte as për pavarësi të Kosovës, por si të gjithë marksistët ishte nën ndikim të propagandës se Enver Hoxhës, i cili shtypjen e popullit atje e mbulonte me romantizëm kombëtar. Kjo lëvizje, për dikë e re, e Thaçit është brenda llojit. Një gjë të tillë e bëri edhe babai ideologjik i tij, Adem Demaçi i cili në vitin 1997 doli me një ide absurde dhe thellësisht antishqiptare për një Ballkani”, ka thënë Rexhaj, për gazetën “Bota sot”.

Ai konsideron se kjo ide sikurse, ajo e Bajram Kosumit, është e kotë, dhe nuk ka lidhje me zhvillimet në Evropë, dhe me rregullimet shtetërore dhe funksionimin e BE-së.

“Ide të tilla shfaqi para disa muajsh edhe Bajram Kosumi, një nder ultramajtistët e skenës politike në Kosovë. Edhe ai propozoi një Konfederate mes Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit te Zi. Këta këto ide i qesin ashtu kotë, sepse lidhje nuk kanë me zhvillimet në Evropë, me rregullimet shtetërore dhe funksionimin e BE-së. Thaçi nuk me befason fare. Edhe pasi doli UÇK-ja në skenë, deri në korrik të vitit 1998, krahu i LPK-së kishin si qëllim të luftës bashkimin kombëtar. Këtë e pat deklaruar edhe Jakup Krasniqi, zëdhënësi i tyre në atë kohë. Ai tha se do ta bashkojnë edhe Çamërinë, me çka nxiti reagime të ashpra të qarqeve të vendosjes. Ishte një deklaratë shumë e rrezikshme, por Kupa (Jakup Krasniqi), e lëpiu këtë deklaratë pas disa ditësh. Rrejti se është keqinterpretuar”, tha ai.

Ai shpjegon se angazhimet e Thaçit për ndryshim kufijsh mbi baza etnike, për Shqipëri të Madhe, janë thellësisht të dëmshme për shtetin e Kosovës.

“Këtu duhet thënë qartë, këto deklarata e këto angazhime të Thaçit për ndryshim kufijsh mbi baza etnike, për Shqipëri të Madhe, janë thellësisht të dëmshme për shtetin e Kosovës, dhe forcimin e shtetit dhe integrimin tonë në organizata perëndimore, BE e NATO në radhë të parë. Fundja, ideja e Shqipërisë së Madhe vije nga koha e Rankoviqit dhe UDB-së. Me këtë ide të shpifur serbe tentohej, shpesh me shumë sukses, që të komprometohet lufta për liri e barazi. Kjo ndodhi edhe në demonstratat e vitit 1981. Edhe aty u infiltruan bashkëpunëtorët e shërbimit serb e sovjetik, duke futë kërkesa e parulla marksiste dhe për Shqipëri të Madhe, të cilat Serbia i shfrytëzoi mirë për represion mbi shqiptar dhe për rrenim të autonomisë”, ka thënë ai.

Sipas Rexhajt, nga momenti i lansimit të këtyre tezave nga ana e të parit të shtetit, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje.

“Prej se doli Thaçi me këto ide, nuk kemi asnjë njohje të re. Është tmerrësisht e dëmshme që Thaçi si president të vihet në shërbim të mohimit të shtetit, këtu ai e ka shkelur kushtetutën me të dy këmbët. Çdo gjë që po bënë Thaçi në vitin e fundit, është në favor të Serbisë e Rusisë. Nga takimi në Bratislavë, Vuçiq u deklarua hapur se duhet të ndahet Kosova. Pra, e mori autorësinë e kësaj ideje të vjetër serbe. Ide të cilën ne që merremi me çështje kombëtare dhe çlirim e ndërtim të shtetit të Kosovës që shumë kohë, e kemi mirë të njohur. Është shume keq që Thaçi e Rama u vunë në shërbim të kësaj ideje serbe e ruse. Por, gjithashtu është shumë mirë se me plebishit u refuzua nga kosovarët dhe nga BE në krye me Gjermanin e Francën, por edhe nga SHBA. Tani Thaçi ka mbetur i vetëm me Ramën dhe pak njerëz tjerë pa ndikim dhe të parëndësishëm”, ka nënvizuar Rexhaj.

Njëri ndër themeluesit e PPK-së është i mendimit se e gjithë kjo do të merr fund shumë shpejtë.

“Mendoj se me ide për Shqipëri të Madhe Thaçi e Rama mendojnë se shantazhohet BE-ja. Ky është gabim shumë i madh. Së pari këtë ide e plasojnë për t’i mbuluar dështimet e tyre, dhe se dyti BE-ja nuk shantazhohet kurrë. Politikanët e qeveritë atje kanë tjetër kulturë. Shantazhimi të ata nuk pinë ujë. Edhe Vuçiqi po mendon se BE-ja shantazhohet duke mbajt lidhje të mira me Rusinë, por kjo lojë merr shumë shpejtë fund. Është e mundur se këtë ide absurde Ramës e Thaçit ua dha Vuçiqi”, ka shtuar ai.

Maxharraj: Thaçi po mundohet ta mbulojë humbjen e Veriut me bashkimin kombëtar

Prof. dr. Binak Maxharraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se presidenti i vendit ka është një ndër figurat më kontroverse.

Maxharraj ka thënë se Thaçi për shtatë vite sa i zgjati dialogu nuk e vizitoi asnjëherë Preshevën.

“Hashim Thaçi është një ndër figurat më kontroverse i cili edhe vet evokon. Ky njëri e ka humbë rrugën, ju kanë ngatërruar rrugët. Ka mbet i ngujuar në udhëkryqin e tij. Ia nisi më ndarjen e Kosovës, më shkëmbimin e territoreve, sikur ato të ishin të tijat. Për shtatë vite sa i zgjati dialogu nuk e vizitoi asnjëherë Preshevën, e as nuk tentojë ta futë në dialog si temë Luginën”, ka thënë Maxharraj.

Ai mendon se humbja e Veriut është e pashmangshme, ndërsa si dhe në çfarë masë do të ndodhë mbetet të shihet.

Image
Binak Maxharraj

“Për të marrë Luginën duhet të japësh diçka. Kjo është si në treg, nuk mund të marrësh pa dhanë diçka. Krejt këtë ai e bëri për ta mbuluar humbjen e Veriut. Humbja e Veriut është e pashmangshme. Si dhe në çfarë masë do të ndodhë mbetet të shihet. De-fakto humbja e Veriut ka nisë që në vitin 2000, atë ditë kur Hashim Thaçi më Kadri Veselin i ndaluan me dhunë shqiptarët të kthehet në shtëpitë e tyre, me ndihmën e KFOR-it francez, por edhe të agjenturave franceze, ku Thaçi është anëtar. Duke e parë së Veriu po rrëshqet nga dora Thaçi u kisha në një aventurë tjetër të bashkimit kombëtar, ide kjo shumë e vjetër që nga rilindësit e këndej”, ka potencuar ai.

Më tej ai ka shpjeguar se pse Thaçi po mundohet ta mbulojë humbjen e veriut me bashkimin kombëtar.

“Të flasësh tani në këto rrethana gjeostrategjike dhe politike është diçka absurde, diçka qe nuk hahet. Por, jemi mësuar me Thaçin kontrovers dhe të humbur. Humbjen e veriut presidenti tani po mundohet ta mbulojë me bashkimin kombëtar. Ky njëri aq shumë ka humbë rrugën sa që as vet nuk po din së çka po dëshiron dhe nga po shkon. Është i humbur krejtësisht. Në fund, rezultati i tij si një mediokër që është do të këtë fatal për të dhe popullin e Kosovës, sepse Kosovës do t’i merren pjesë tokë në Veri, kurse Lugina e Preshevës do të mbetët aty ku është edhe sot. Ky pra do të jetë përfundimi i këtij Don Kishotit”, ka theksuar ai.

Shahu zbulon qëllimin e Thaçit

Ndërsa, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Rexhep Shahu, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se teza e presidenti Thaçi është një ide sa për të larguar vëmendjen e publikut nga akuzat ndaj tij.

Image
Rexhep Shahu

“Thaçi e ka nxjerrë këtë tezë për më mbet në Pazar, se si president nuk ka punë tjetër veç të luaj derën, e më shpërnda dekorata në interes të partisë tij. Teza e bashkimit kombëtar është këngë me çifteli që këndon tani Thaçi për me largu vëmendjen e publikut nga akuzat ndaj tij”, ka thënë njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Shahu tutje ka deklaruar se nëse presidenti Thaçi e ka seriozisht, atëherë ky i fundit duhet të organizojë referendum.

“Nëse ai do ta kishte seriozisht tezën e bashkimit, në dorë e ka pasur dhe e ka që ta bëjë referendumin në Kosovë për bashkimin me Shqipërinë, ta imponojë Edi Ramën që të bëjë dhe Shqipëria referendum bashkimi. Përrallat e bashkimit janë “tallava” patriotike, bashkimi bëhet nuk thuhet”, ka deklaruar Shahu, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat