“Shqipërinë bëje, ose vdis” - Bota Sot
“Shqipërinë bëje, ose vdis”

Politika

“Shqipërinë bëje, ose vdis”

Nga: N.Sh Më: 12 qershor 2019 Në ora: 09:12
Pamje nga çlirimi i Kosovës

Më 12 qershor 1999, përkatësisht njëzetë vite më parë, trupat e NATO-s hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Por, pas njëzetë vitesh, cila është e vërteta për çlirimin e Kosovës?

Padyshim që figura qendrore mbetet presidenti Ibrahim Rugova, njeriu pa të cilin lëvizja politike për liri, nuk do të kishte shpresë atëherë dhe as kuptim sot. Pavarësisht që në debatet që hapen gjërat tentohen të mjegullohen në një mënyrë tjetër, është e pakontestueshme se ai krijoi rrethanat dhe raportet për ndërhyrjen e NATO-s, e cila si thuhet u bë për shkaqe humanitare.

Historia e Kosovës dhe përpjekjeve të saja për liri është shekullore dhe kontinuale gjatë periudhave të ndryshme kishte heronjtë e vetë.

Një dimension dhe artikulim të ri Kosova mori në vitet e 90-ta, kur në mënyrë arbitrare Serbia suspendoj autonominë e Kosovës në vitin1989 dhe riokupoj me dhunë vendin tonë.

Kosova shtet i pavarur dhe sovran është produkt i një kombi të bashkuar në momentet kyçe të historisë së tij.

Shqiptarët e Kosovës, me luftërat e tyre heroike kundër kundërshtarëve shumë herë më të fortë ushtarakisht, historinë e kombit shqiptar të shekujve XIX dhe XX e stolisën me gjakun e tyre të derdhur rrëke.

Simpatia për një rezistencë të organizuar politike, të cilën e mundësonte penda e ndritur e intelektualëve të Kosovës, një rezistence civile të bazuar në refuzimin estetik të dhunës fashiste serbe, e të cilën e udhëhiqte një lider i pranuar dhe karizmatik si Ibrahim Rugova, riktheu vëmendjen dhe simpatinë e botës demokratike në gjirin e shpresave të lirisë së një kombi të shtypur e të përbuzur padrejtësisht.

Kjo periudhë e rezistencës kombëtare, ngjizi themelet e pavarësisë së shtetit të Kosovës. Pa kulturën e organizimit dhe mirëmbajtjes së institucioneve të cilën e shqiptarët e Kosovës e dëshmuan në fillimin e viteve të 90-ta, dhe, pa institucionalizimin e vullnetit politik, lufta çlirimtare që pasoi nuk do t’i kishte dhënë rezultatet që i gëzojmë dhe shijojmë si shoqëri e shekullit XXI.

Duhet të jemi realist dhe të pranojmë faktin se pa ndihmën e miqve tanë, sidomos atyre miqve që u identifikuan dhe mbështetën lëvizjen tonë nacionale të cilës i printe Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Kosova nuk do të ishte këtu ku ndodhet sot.

Shqiptarët në Kosovës nuk i ndalën përpjekjet as gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Në të gjitha etapat historike që nga vitit 1913 e deri në fillim vitet ’90 të shekullit të kaluar kur rezistenca e jonë po hynë në faze e fundit, shqiptarët ishin të organizuar në grupe e lëvizje ilegale të cilat kontribuuan shumë në ruajtjen e vetëdijes sonë kombëtare.

E vërteta e çlirimit të Kosovës, qëndron në vet shqiptarët e Kosovës, ngase për asnjë moment nuk u ndalen përpjekjet për liri e çlirim të vendit tonë. Çlirimi i vendit tonë ishte pikësynim i shumë e shumë brezave të terë.

Çlirimi i Kosovës, është kontribut i dy faktorëve. Përpjekjet e vazhdueshme të popullit shqiptarë të Kosovës. Luftërat e lëvizjet e ndryshme që nga viti 1913 e deri tek lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë përpjekjet tona më të shtrenjta që kanë kontribut të madhe për blerimin e Kosovës. Është kontributi i bashkësisë ndërkombëtare.

Fati e deshi që shqiptarët e Kosovës të kenë në dispozicion një udhëheqësi shumë të pjekur politike, e cila u sakrifikua pothuajse e tëra dhe nuk pranoi të bëhet pjesë e plojës politike të paramenduar e imponuar nga sllavokomunistët e Tiranës dhe fashistët e Beogradit.

Përfaqësuesit e sllavokomunizmit Envero-Titist në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arritën të likuidojnë kundërshtarët politik, por ata nuk arritën të likuidojnë të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për një shtet të lirë dhe demokratik.

Ata arritën ta lënë të vetëm dhe pa ndihmën e duhur komandantin legjendar Adem Jasharin në Prekaz, por ata nuk arritën t’ia ndalin atij dhe Kosovës jehonën e pushkës së lirisë.

Ai u sakrifikua me gjithë familjen e tij, për bashkimin kombëtar të shqiptarëve; për të rikthyer Lavdinë e Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve. Ai e bëri të jetojë fjala e Ukshin Hotit: “Shqipërinë bëje, ose vdis”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...