Haziri: Nuk do ta lejojmë SHIK-un të na dëmtojë, LDK po kthehet si parti e parë pas 12 vjetëve

Politika

Haziri: Nuk do ta lejojmë SHIK-un të na dëmtojë, LDK po kthehet si parti e parë pas 12 vjetëve

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 21 qershor 2019 Në ora: 20:09
Nga e djathta nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, në intervistë për gazetën “Bota sot”, me gazetarin Kushtrim Maliqi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka folur gjatë për zhvillimet aktuale politike në vend në përgjithësi, e në veçanti në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila po kalon nëpër proces zgjedhor, ku kemi parë edhe zhvillime aspak të këndshme, siç ishin ato të fundit ku pati edhe konflikt fizik mes të pranishmëve.

Haziri tutje ka folur edhe për temat e rëndësishme që e preokupojnë vendin, siç është zgjidhja problemit Kosovë-Serbi, duke e komentuar takimin e Berlinit si dhe pritshmëritë për takimin e ardhshëm që pritet të mbahet në Paris. Haziri ka folur edhe për akuzat që qarkullojnë kundër tij, se është person i afërt me presidentin Hashim Thaçi, pasi që ka pasur raste kur mënyra se si iu ka qasur disa problemeve politike, ka qenë e ngjashme me të Thaçit, e megjithatë, Haziri ka thënë se këto zëra vijnë nga njerëz jashtë LDK-së dhe se kanë për qëllim dëmtimin e ndikimit të tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për çka, ka thënë se nuk do t’ia dalin.

“Bota sot”: Kryetar, a mund të na bëni një përmbledhje të shkurtër të situatës aktuale politike në vend, sidomos në këtë gjashtë mujor të parë të këtij viti?

Lutfi Haziri: Republika e Kosovës, mund të them se deri sot, situatë politike më të rëndë nuk ka pasur ndonjëherë, duke pasur raportin e institucioneve më të rëndësishme të vendit mes vete, që prej Qeverisë dhe Kuvendit, i cili realisht është një relacion shumë i çuditshëm politik, e që reflekton shumë në mos koordinim kur është çështja e dialogut e territorit të Republikës, gjithashtu, edhe raportet ndërkombëtare të vendit. PAN-i, në kuvend funksionon me numra minimal, mund ta quajmë shumicë parlamentare, por pakicë politike duke e shfrytëzuar urën të cilën e ka ndërtuar PSD-ja me 12 deputet, por që ajo që i përcjell vazhdimisht, mund të themi që është jostabiliteti. Raporti i dytë është ai i tensionimit të raporteve me ndërkombëtarët, me BE-në, që përfshinë Komisionin Evropian dhe Këshillin e Ministrave, duke e vendosur në rrafsh edhe moszbatimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit apo MSA, e cila merr obligime në vendosjen dhe marrjen e masave për reforma, mosmarrja e një date për liberalizimin e vizave, raportet jashtëzakonisht të tensionuara me NATO-n, mund të themi lirisht se deri në këtë gjendje, me këto raporte kemi ardhur për herë të parë dhe më e keqja është se ky koalicion, kjo shumicë nuk i ka punët mirë as me popullatën dhe mund të them se kjo është më e keqja.

Qytetarët, shoqëria, çdo ditë e më tepër po shprehin pakënaqësitë e tyre për mënyrën se si po udhëhiqet vendi nga PAN-i. Në këtë kontekst, në rrafshin e parë nuk vendoset vetëm ekzekutivi, por është ai që koordinohet nga kryetari i kuvendit, kryetari PDK-së, i sapoemëruar nga subjekti i tij dhe natyrisht kjo reflekton edhe në kuvend me një gjendje kaotike, pa respektim të orareve dhe me një kulturë tjetër nga ajo që jemi mësuar.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni nesër në versionin e shtypur dhe atë online të gazetës "Bota sot")

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat