Keqqeverisja e PAN-it vonon liberalizimin e vizave për Kosovën

Politika

Keqqeverisja e PAN-it vonon liberalizimin e vizave për Kosovën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 qershor 2019 Në ora: 22:23
Foto ilustrim

Liberalizimi i vizave, temë e cila ende mbetet diskutimi më aktual në vendin tonë tashmë ka filluar të bëhet monotone. Kjo për arsyen se qytetarët çdo ditë po marrin përgjigje pozitive për liberalzim të vizave por që Bashkimi Evropian e thotë të kundërten tyre.

E fundit e cila foli rreth çështjes për liberalizim të vizave është Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha. Hoxha gjatë një interviste është shprehur e bindur se Bashkimi Evropian këtë vit do t’i heqë vizat për Kosovën. Sipas saj, pas rekomandimit që do të jepet nga Komisioni Evropian këtë muaj, i cili beson se do të jetë pozitiv, nevojiten 3-6 muaj kohë për t’i përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme në Parlamentin Evropian, si dhe në Këshillin e Ministrave të BE-së.

Hoxha tutje u shpreh se kërkesat e shteteve të BE-së karshi Kosovës, po i vlerëson të padrejta. Thotë se nuk pranojnë më asnjë kusht nga askush:

“Mua më brengos hezitimi dhe vonimi për të marrur një vendim. Askush qoftë edhe ne në Kosovë, por askush nuk do të pranojë kushte shtesë, sepse nuk mund të paguajmë dy herë për një gjë të cilën ende nuk na e kanë dhënë.

Të gjitha vendet me përmbushjen e udhërrëfyesit e kanë marr liberalizimin e vizave, të njëjtën gjë e presim edhe ne. Është përmbushë udhërrëfyesi, janë përmbushur kriteret, kjo është konfirmuar nga Komisioni Evropian, është konfirmuar dy herë nga Parlamenti Evropian dhe ne presim një vendim sa më parë. Sepse jemi dhe kemi mbetur vendi i vetëm i izoluar dhe qytetarët tanë s’po arrijnë të lëvizin të lirë”.

Madje ajo shprehet e bindur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, thotë se është proces që duhet vazhduar edhe pas liberalizimit të vizave.

Haziri: Nuk pres që në këtë vit qytetarët tanë të mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen

Image
Nexhat Haziri

Njohësi i çështjeve politike në vend, Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, tha se rezultatet e Kosovës lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin nuk po bindin shtetet anëtare të BE-së:

“Është në vazhdën e deklaratave që kanësynim manipulimin e opinionit shqiptar dhe fshehjen e dështimeve të institucioneve të cilat i drejtojnë. Askush në Bashkimin Evropian nuk po bindet me rezultatet e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, rezultate këto mjaftë të vogëla dhe jo bindëse për shtetet anëtare të BE-se”, tha Haziri, për “Bota sot”.

Haziri më tej tregon edhe faktorin e dytë që ka ndikuar në vazhdimin e keqqeverisjes të vendit:

“Së dyti një faktor tjetër është edhe vazhdimi i keqeverisjes nga koalicioni PAN dhe mungesa funksionimit normal te institucioneve të vendit, me theks të vecant një Kuvend jashtë funksioni i cili nuk po arrinë të ketë korum për as një çështje apo ligj”, tha Haziri për “Bota sot”.

Ai tha se Kosova është në kollaps të përgjithshëm dhe se duke e parë këtë situatë nuk pret që këtë vitë të ndodhë lëvizja e lirë e qytetarëve.

“Me një fjalë Kosova është në një kollaps të përgjithshëm dhe kjo sikur i frikëson shtetet anëtare të BE-së për të marrë një vendim pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Duke e parë një situatë kollapsi në të cilën është futur Kosova, unë nuk pres që në këtë vit qyterarët tanë të mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen”, përfundoi Haziri , për “Bota sot”.

Voca: Populli meriton liberalizim vizash që prej gati një dekade, mirëpo jo me një pushtet siç ka qenë apo siç është tani

Image
Mirsad Voca

Lidhur me këtë çështje njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, ka thënë për “Bota sot”, se Kosova duhet të filloj të luftojë seriozisht korruspsionon dhe krimin e organizuar sepse Bashkimi Evropian dëshiron të shoh Shtet funksional në Kosovë. Sipas, Vocës, BE nuk dëshiron të i bjë disa gabime që i ka bërë me shtetet e tjera:

“Liberalizimi i vizave ndodhë vetëm ateherë kur Kosova fillon seriozisht ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, por jo vetëm kaq, sepse Kosova duhet të ndërtoj po ashtu drejtësi neutrale nga politika dhe jo selektive. Këto janë kushtet më serioze që duhet përmbush vendi dhe jo vetëm të përmbush këto kushte, mirëpo BE dëshiron të shoh Shtet funksional në Kosovë sepse pa një drejtësi funksionale që përbën boshtin kurrizor të Shtetit, Kosova nuk mund të pretendoj të kryej proceset integruese për në BE, qoftë edhe për liberalizim të vizave.

Kosova mund të thotë se i ka përmbushur kushtet në formë superficiale gjë që mund të jetë e vërtetë, kurse disa vende të BE-së duan të shohin përpjekje të vërtetë sa i përket funksionimit të ligjit pra të Shtetit ligjor dhe luftimit të dukurive si korrupsioni e krimi i organizuar, natyrisht të ndërlidhur fort me njerëz në pushtet.

BE nuk dëshiron të përsëris disa gabime që kanë ndodhur me disa vende tjera tashmë anëtare e disa vende kandidate apo me potencial për tu bërë të tilla”, tha Voca, për “Bota sot” .

Voca më tej theksoi që populli i Kosovës duhet të lëvizë lirshëm, mirëpo nga ana tjetër Bashkimi Evropian ka njohuri të sakta rreth kësaj çështje. Sipas Vocës zyrtarët e Shtetit duhet sinqerisht të kërkojnë ndihmë nga BE për të luftuar ato dukuri të lartëcekura në vend që të kërkojnë nga BE liberalizim.

“Në njërën anë është e padrejtë që të mos i liberalizohen vizat popullit të Kosovës ndërsa gjithë vendet e rajonit lëvizin lirshëm. Nga ana tjetër BE ka njohuri të sakta sa i përket kapjes së Shtetit jo vetëm nga një grupacion por nga disa të tillë dhe nuk dëshiron thjesht të lejohen të lirshëm këto grupacione në territorin e BE-së.

Liberalizimi i vizave nuk është vetëm çështje teknike por është shumë politike, dhe me këtë konfiguracion politik që ka Kosova tani do të jetë e kotë çdo deklaratë nga ana e zyrtarëve të Kosovës kundër qëndrimit të BE-së ndaj liberalizimit të vizave.

Mendoj se zyrtarët e Shtetit duhet sinqerisht të kërkojnë ndihmë nga BE për të luftuar ato dukuri të lartëcekura në vend që të kërkojnë nga BE liberalizim duke e kritikuar BE-në kince na qenka e padrejtë”, tha Voca, për “Bota sot”.

Tutje, Voca parashtron pyetje Qeverisë, kështu duke theksuar sa të drejtë janë ndaj popullit shqiptar:

Pyetje ndaj qeverisë së Kosovës do të ishte kjo: « Sa jeni të drejtë ju me popullin e Kosovës në mënyrë që ky i fundit të lëviz lirshëm dhe pa viza në Evropë »?.

Voca e sheh fatkeqësi për popullin kur partitë përdorin liberlaizimin e vizave për fitim të votave dhe se Bashkimi Evropian nuk është kundër Kosovës, mirëpo është qasjes politike në vend:

“Populli meriton liberalizim vizash që prej gati një dekade mirëpo jo me një pushtet siç ka qenë apo siç është tani. Dhe meqë liberalizimi është shumë më politik sesa mendohet, problemi qëndron tek politikbërësit, dhe Populli prapë bie pre e këtyre pushteteve fitimprurëse për grupacione të tyre dhe jo për popullin e Kosovës. Është fatkeqësi për popullin kur shumica e partive poashtu përdorin çështjen e liberalizimit të vizave për prurje votash. Dmth kur partitë e kanë këtë intencë si primordiale dhe jo krijimin e Shtetit të së drejtës, natyrisht se BE nuk ngutet të bëj lëvizje drejtë proceseve integruese përfshirë këtu edhe qarkullimin e lirë. Besoj se BE nuk ka asgjë kundër asaj që populli i Kosovës të lëviz lirshëm, mirëpo është absolutisht kundër një qasje politike në vend e cila nuk po mund ta ndertojë një Shtet ligjor dhe të barabartë”, tha Voca, për “Bota sot”

Për fund Voca tha se rreziku potencial që Kosova të zbrazet pas liberalizimit të vizave është shumë i lartë. Këtë fenomen BE e ka të vërtetuar dhe se Bashkimi Evropian e dëshiron Kosovën ta sheh si një shtet që funksionon në mënyrë të rregullt me ligjin e pa krim brenda pushtetit:

“Çdo dashamirë i Kosovës nuk e dëshiron një Kosovë të zbrazur e cila krenohej me resursin njerëzor ma të pasurin në Evropë sa i përket përqindjes së lartë të të rinjëve në vend. Rreziku potencial që Kosova të zbrazet pas liberalizimit të vizave është shumë i lartë. Këtë fenomen BE e ka të vërtetuar, sidomos me shembullin e ikjes masive të qindra mijërave që nga viti 2015. Problem i BE-së nuk është edhe aq akomodimi i kosovarëve në perëndim mirëpo çështja qëndron në atë se BE dëshiron një Kosovë ku ligji funksionon për të gjithë njejtë dhe ku krimi e pushteti nuk mund të bashkjetojnë përjetësisht. Mu për këtë arsye çështja e liberalizimit të vizave është më së shumti politike dhe përgjegjës kryesor për mosliberalizim janë të gjitha pushtetet të ndërlidhura më shumë me krimin sesa me ndërtimin e Shtetit që nga pavarësia e deri më sot”, përfundon Voca, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat