Vendi drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, opozita e sigurt për tetorin - Bota Sot
Vendi drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, opozita e sigurt për tetorin

Politika

Vendi drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, opozita e sigurt për tetorin

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 korrik 2019 Në ora: 07:56
Kuvendi i Kosovës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se pritet të ketë një marrëveshje për zgjedhje ose marrëveshje për mocion, në mënyrë që në shtator të ketë zgjedhje.

Por se sa është e mundur të ketë një marrëveshje të tillë, dhe a po shkon drejt "mbështetjes për muri" Qeveria Haradinaj.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për “ Bota sot” se aq shumë i ka bërë zullum këtij populli kjo qeveri, sa që një ditë e më parë duhet të largohet.

Image
Drita Millaku

Sipas saj, zgjedhjet janë në tetor dhe kjo tashmë është e sigurt, madje edhe vet qeveritarët janë të bindur, sepse këtyre iu ka humbur rruga në oborr.

“Të shkelet kushtetuta e vendit nga qeveria dhe nga parlamenti dhe të mos jep askush llogari, kjo tregon se sa të pa moralshëm janë. Kërkesa jonë si LVV është që sa më parë të mbahet seanca për mocion. Qeveria Haradinaj është në një situatë që ka probleme serioze në funksionimin normal në aspektin e asaj se nuk i ka numrat për të qeverisur. Situata e tillë ka prodhuar jo stabilitet dhe jo funksionalitet të qeverisë dhe shtetit. Pasi që ne jemi në situatë kur nuk mund të funksionojë jo vetëm qeveria por edhe kuvendi, atëherë nuk ka nevojë kurrfarë marrëveshje”, ka thënë deputetja Millaku.

Rugova: Sa më parë që arrihet marrëveshja për zgjedhje të reja, aq më mirë është për Kosovën

Image
Naser Rugova

Kurse deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Naser Rugova ka pohuar se LDK-ja dhe opozita në përgjithësi janë duke bërë përpjekje maksimale, për rrëzimin e Qeverisë.

“Ne si LDK jemi duke bërë përpjekje që ta rrëzojmë sa më parë këtë qeveri, qeveri kjo më e dobëta që pas çlirimit. Ka biseda edhe me parti brenda koalicionit, por puna e Kuvendit është bllokuar, sepse ky koalicion nuk e ka shumicën parlamentare. Prandaj sa më parë që arrihet marrëveshja për zgjedhje të reja aq më mirë është për Kosovën”, ka thënë deputeti Naser Rugova.

Bojaj: Demaskimi i mashtruesve ka arritur kulmin

Image
Ramiz Bojaj

Kurse, Ramiz Bojaj, analist dhe njohës i zhvillimeve politike i cili vepron në SHBA, ka thënë se shteti i Kosovës është në bllokadë totale.

Sipas tij, pushtetarët e papërgjegjshëm me aventurat e tyre i kanë sjellë vendit tonë dëme të pariparueshme, të cilët, jo vetëm që sollën izolimin, mjerimin ekonomik, spastrimin etnik nga shqiptarët, por, sollën në tavolinën e bisedimeve me fqinjin verior, edhe ndarjen territorial të shtetit tonë.

“Fatkeqësisht Kosova qeverisët nga maniakët. Presidenca, Qeveria, Kuvendi- por edhe makro korporatat, janë të kapura nga bandat, të cilat keqpërdoren e shfrytëzohen sipas interesave të klaneve mafioze e klienteliste. Qeveria e Kosovës është e falimentuar dhe si e tillë, nuk ka as legjitimitet e as kredibilitet për të qeverisur me vendin. Politika e çekuilibruar dhe e përçarë, mandej marrja e vendimeve në panik duke shkelur rendin ligjor e Kushtetues të Republikës së Kosovës (jo vetëm rreth ekipit të dialogut me Serbinë), si dhe qindra skandale tjera që përkojnë me keq menaxhim e keq përdorim të buxhetit e të parasë publike, detyrimisht e hedhë jashtë loje këtë spektër politik”, ka thënë analisti politik Bojaj.

Ai konsideron se, zgjedhjet e proklamuara për në vjeshtën e këtij viti, kanë zgjuar spiunët e vjetër që të ndryshojnë taktikën e mashtrimeve e pazareve të tyre, duke premtuar zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit e liberalizim vizash, gënjeshtra këto, jo vetëm të demaskuara, por edhe të gërditshme.

“Edhe pas paralajmërimit të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit, i cili ka thënë se “pritet të ketë marrëveshje për zgjedhje ose marrëveshje për mocion në mënyrë që në shtator të ketë zgjedhje”, ky nuk duhet aq bindës. Luta më tepër anon kah programet e SHIK-Hashim-Kadrisë për pazarin me territore, se sa që sjell ide ose pikëpamje bindëse për daljen nga kriza dhe shpëtimin e Kosovës. Thirrjet për zgjedhje bëhen në panik dhe më gjysmë zëri, pavarësisht se situata mund të merr dimensione të paparashikueshme. Askush nga partitë parlamentare nuk duan zgjedhje të shpejta, sepse demaskimi i mashtruesve ka arritur kulmin, përderisa prezantimi i kandidatëve të rinj kërkon më shumë kohë, por edhe fakte bindëse për ndryshime rrënjësore. Së pari vet LDK-ja është në kaos dhe e papërgatitur për të hyrë në gara zgjedhore. Pastaj PDK e AAK, janë parti-piramida sunduese, të cilat pushtetin e mbajnë në bazë të pazareve ditore, e assesi për të përfaqësuar shtetin në mënyrën më të mire”, ka thënë analisti politik Ramiz Bojaj.

Sipas tij, zgjedhjet e reja me kandidatët e vjetër janë tallje me qytetarët, të cilët, në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht se kur do të mbahen, duhet të kërkojnë ndryshime, të zgjedhin e votojnë vetëm ata të cilët nuk janë të shantazhuar për krim e korrupsion, e të mos bien pre e dekadës së re për mashtrime të reja.

“Pushtetarët kriminelë duhet të ikin, jo qytetarët. Partitë politike në Kosovë, në përgjithësi janë në kaos. Andaj, liderët politikë nuk shohin mundësi reale për zgjedhje të shpejta, sepse, gënjeshtrat e tyre tashmë kanë marrë fund dhe shohin pak shpresë për mbështetjen qytetare. Këta do të kërkojnë me çdo kusht që të vazhdohet deri në fund pushteti i kapur, sepse rënia nga pushteti mund të ngjallë gjahun e drejtësisë kundër qindra akuzave që adresohen kundër figura më të larta të pushtetit. Jemi në një situatë kur politika e Kosovës ka vdekur, shteti është në koma, ku shpresë e vetme mbetet tek OJQ-të civile të ndihmuara nga parti e liderë të cilët nuk janë infektuar nga ‘pushteti i krimit’. Përndryshe, riciklimi i liderëve të vjetër nuk është zgjidhje për tërë këtë strumbullar problemesh që akumuluan pushtetarët e papërgjegjshëm, analfabetë e hajdutë, në Kosovën e kapur”, ka deklaruar analisti dhe njohës i zhvillimeve politike Ramiz Bojaj.

Haziri: Opozita duhet ti konkretizoj veprimet e veta për ta ngritur mocionin ndaj qeverisë Haradinaj

Image
Nexhat Haziri

Nga ana tjetër, opinionisti Nexhat Haziri, ka pohuar se Kosova ka hyrë në një krizë të thellë institucionale dhe kjo pasqyrohet me një de funksionalitet të kuvendit.

Sipas tij, e gjithë kjo shihet nga skandale të njëpasnjëshme të koalicionit qeverisës, mosmarrëveshje të mëdha në mes partnerëve të koalicionit PAN, ngecja në procesin integrues të Kosovës drejtë përmbushjes së agjendës evropiane, mos liberalizimi i vizave, korrupsioni dhe dështimet e tjera në fusha të ndryshe, gjë që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, të cilat edhe janë e vetmja zgjidhje për të dal vendi nga kjo krizë.

“Se këto zgjedhje janë të pashmangshme më së largu në vjeshtë tashmë e kanë kuptuar edhe vet partnerët e koalicionit qeverisës, të cilët kanë filluar të bëjnë fushatë dhe ta atakojnë njëra-tjetrën, në mënyrë që të tentojnë që përgjegjësinë për dështimet në qeverisje t'ia faturojnë po ashtu njëra-tjetrës. Madje kjo shihet sidomos në relacionin PDK-AAK. Andaj, opozita duhet ti konkretizoj veprimet e veta për ta ngritur mocionin ndaj qeverisë Haradinaj, që do të ishte një shpëtim për vendin dhe shpresë për qytetarët Kosovës”, është shprehur opinionisti Nexhat Haziri.

Burjani: Nuk e besoj se dikush mund të bëjë marrëveshje me PAN-in dhe ta shkarkojë veten

Image
Blerim Burjani

Por, njohësi i çështjeve politike e juridike në vend Blerim Burjani, nuk beson se dikush mund të bëj marrëveshje me PAN dhe ta shkarkojë veten.

“Se besoj se dikush mund të bëjë marrëveshje me PAN-in dhe ta shkarkojë veten, sepse nuk ka gjasa, veç nëse PDK-ja i jep 3 apo 4 deputet për mocion, atëherë marrëveshja është e mundshme, por në asnjë mënyrë e hapur dhe kjo mund të jetë vetëm jo transparente. Andaj nuk e besoj se PDK-ja ka vullnet ta bëjë këtë së paku edhe në këtë kohë, sepse ende nuk ka gatishmëri të PDK-së për të rrëzuar këtë qeveri që moti është e rrëzuar de fakto, madje as kuvendi, e as kjo qeveri nuk funksionon”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

Krasniqi: Një koalicion mes VV-së dhe LDK-së do të ishte i duhuri dhe shpresë për qytetarët e Kosovës

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se në dy dekadat e fundit kurrë nuk ka ndodhur që pozita dhe opozita të arrijnë ndonjë marrëveshje për të shkuar në zgjedhje.

“Nuk pres që të ndodhë as kësaj radhe rrëzimi i Qeverisë, sepse rrëzimi mund të bëhet nëse opozita arrin që t'i bëj 61 vota. Nëse ndodh që të ketë ndonjë marrëveshje për rrëzimin e Qeverisë, atëherë i bie që PDK-ja ka rënë dakord me LDK-në që pas zgjedhjeve të bashkë qeverisin. Nëse ndodh një gjë e tillë, nuk do të ketë ndryshim të qeverisjes, por vetëm ndërrim rolesh”, ka thënë politologu Krasniqi, duke shtuar se largohen të tjerët dhe zëvendësohet me LDK-në, por PDK-ja prapë se prapë mbetet në pushtet”, ka potencuar Krasniqi.

Image
Faik Krasniqi

Sipas tij, shumica e qytetarëve nuk e duan një gjë të tillë, sepse PDK-në e duan në opozitë, si përgjigjja kryesore për gjendjen e mjerueshme në vend.

“Prandaj kam frikë që vendi mund të shkojë në zgjedhje për shkak të interesave e atyre që Kosovën po e mbajnë peng që dy dekada dhe jo për ta ndryshuar këtë gjendje. Një koalicion mes VV-së dhe LDK-së do të ishte i duhuri dhe shpresë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...