Paralajmëron deputetja e LDK-së: Së shpejti rrëzohet qeveria Haradinaj

Politika

Paralajmëron deputetja e LDK-së: Së shpejti rrëzohet qeveria Haradinaj

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 korrik 2019 Në ora: 22:52
Hykmete Bajrami

Qeveria do të rrëzohet së shpejti dhe me vota të deputetëve shqiptarë, por duke mos iu mohuar askujt e drejta e votimit për rrëzimin e saj. Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Bota sot”, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Ajo ka fajësuar Presidentin dhe Kryeministrin për hapjen e çështjes së kufijve, e cila thotë se u ndalua falë opozitës dhe miqve ndërkombëtarë. Në këtë intervistë, ajo po ashtu ka folur për procesin zgjedhor brenda LDK-së, taksën, derisa ka mohuar lajmin se LDK ka hequr dorë nga posti i kryeministrit, për t’ia lënë atë Lëvizjes Vetëvendosje.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Hykmete Bajrami: Gjendja aktuale është më e keqja që nga paslufta: ka degradim në secilën fushë; janë ndalur komplet njohjet ndërkombëtare për shtetin tonë; nuk kemi arritur që të integrohemi në asnjë organizëm rajonal apo global. Marrëdhëniet tona me Serbinë dhe çështja e dialogut është në pikën e saj me të ulët. Për interesa të Presidentit e fajin e Kryeministrit u hap çështja e kufijve e cila falë opozitës dhe miqve ndërkombëtarë arriti që të stopohet. Imazhi i vendit po përkeqësohet çdo ditë për shkak të skandaleve të kësaj Qeverie të cilat ndodhin në baza ditore e për ketë në çdo ditë po e humbasim edhe mbështetjen e miqve ndërkombëtarë. Prej ditës së parë të Qeverisë së PAN-it nuk ka raport ndërkombëtar në të cilin Kosova s’ka pësuar regres. Kanë rënë investimet e huaja direkte, është rritë papunësia, të rinjtë po ikin nga vendi.

“Bota sot”: Vazhdimisht keni qenë kundër qeverisë Haradinaj. A do të rrëzohet qeveria këtë vit apo në cilin muaj pritet të rrëzohet?

Hykmete Bajrami: E kam thënë para disa ditësh se rrëzimi i Qeverisë do t’iu ndihmonte edhe partive në pushtet të ndalin keqpërdorimet e skandalet. Sepse Qeveria e Haradinajt është Qeveri e skandaleve. Kjo Qeveri më e madhja në rajon dhe historinë e vendit është Qeveri e keqpërdorimeve të parasë publike, keqpërdorimeve të pozitave zyrtare, e përbërë nga njerëz të akuzuar. Qeveri e cila kërcënon prokuror, e cila e ka ngulfatur sistemin e drejtësisë në vend. Qeveri e cila e degradoi arsimin që në ditët e para të ardhjes në pushtet, e degradoi ekonominë, e zaptoi noterinë më familjarë të politikanëve. Thënë thjeshtë, një ditë jetë e kësaj Qeveria është një vit prapa për vendin tonë. Ramush Haradinaj ia ka humbur edhe vlerën skandalit sepse për çdo ditë bën një skandal të ri që mbulon të vjetrin. Dhe, rrëzimi i kësaj Qeverie, besoj është çështje javësh, pasi opozita si kurrë më parë do të vazhdojë koordinimin edhe me deputetë të pushtetit, për ta ndalur këtë degradim. 

(Intervistën e plotë mund ta lexoni të martën në gazetën kombëtare "Bota sot")

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat