Të pagjeturit, turpi më i madh i të gjitha qeverive të pasluftës  - Bota Sot
Të pagjeturit, turpi më i madh i të gjitha qeverive të pasluftës 

Politika

Të pagjeturit, turpi më i madh i të gjitha qeverive të pasluftës 

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 korrik 2019 Në ora: 16:27
Foto ilustruese

Çështja e personave të pagjetur, tash e 20 vite pas luftës së fundit në Kosovë, vazhdon të mbetet një nga shqetësimet si për familjarët ashtu edhe për opinionin në përgjithësi.

Bëhet fjalë për njërën ndër temat që më së shumti prekë dhe ndikon, familjet shqiptare të harruara nga shteti.

Zyrtarisht në Kosovë ende figurojnë mbi 1 mijë e 600 persona të zhdukur dhe kjo çështje ende nuk ka marr fund për familjarët, të cilët presin dita ditës ndonjë lajm për ta.

Ata ende kanë shpresën që një ditë do ju vie lajmi që më të afërmit e tyre janë gjetur.

Ndërsa institucionet vendore nuk kanë bërë aq sa duhet për procesin e personave të zhdukur, bile ky problem nuk arritur ende në tryezën e bisedimeve në Bruksel me palën serbe.

Alija: Tema e të pagjeturit turpësi dhe një neglizhencë nga Institucionet tona qeveritare

Meriton Alija, qytetar nga fshati Gërgoc i komunës së Gjakovës, rrëfen për gazetën “Bota sot”, rastin e dhimbshëm të zhdukjes së gjyshit të tij gjatë luftës, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur ende.

“Gjyshi im, Rrustem Alija,i lindur me 29.12.1939, prind i 10 fëmijëve, poashtu babai i dëshmorit është zhdukur në fshatin Netic më 25 Janar 1999. Ka qenë duke shkuar me një të afërm dhe me disa pleq/plaka në Gjakovë, dhe afër Neticit janë  ndaluar nga serbët. Mirëpo, gjyshin dhe një të afërm tjetër i kanë ndaluar e të tjerët i kanë lëshuar. E që nga ai moment të dy janë zhdukur, vetëm rrobat ia kemi gjetur, ndërsa trupat ende. Edhe pse kanë kaluar 20 vite ende nuk është gjetur trupi i gjyshit tim e as i shumë të zhdukurve të tjerë”, rrëfen Alija.

Ai thotë se, si familjarë ende presin që të iu vije lajmi që të paktën eshtrat e gjyshit  të jenë gjetur, duke theksuar se kanë kërkuar dhe ende kërkojnë nga institucionet që të ndërmarrin masa lidhur me këtë çështje. “Ne nuk do të donim asgjë më shumë veçse trupi i tij të jetë në vendlindjen e vetë pranë të birit të tij i cili ka qenë dëshmor i vendit”, shprehet ai.

Alija, shpreson ende për gjetjen e personave të zhdukur,  që familjarët të kenë mundësi t`ua vizitojnë varret.

“Ne kemi shpresuar që institucionet të punojnë rreth gjetjes së të pagjeturve, kemi kërkuar që trupat e tyre të rigjejnë paqen pranë vendit të tyre dhe pranë më të dashurve të tyre, të kenë një varr me eshtrat e tyre dhe të vizitohen nga njerëzit e dashur të tyre.

Alija, përmend që ende nuk ka asnjë rezultat lidhur me këtë temë dhe që sa më parë duhet që kjo temë të jetë prezente në tryezën në Bruksel.

“Si temë nuk eshte diskutuar fare, nuk kanë dhënë ende rezultate për temën e të zhdukurve dhe kërkimin me ngulm që tërë kthehen pas 20 vite eshtrat e tyre dhe të pushojnë në paqe, duhet të mos dialogojnë për temat tjera më pak të rëndësishme për vendin.  Pra, kjo temë duhet të diskutohet sa më parë në Bruksel dhe kudo tjetër që kërkohet të bisedohet me Serbinë. Janë mbi 1600 të zhdukur dhe të kërkojnë që të heshtim dhe të mos i kërkojmë, është një turpi dhe një neglizhencë nga Institucionet tona qeveritare”, përfundoi Alija”.

Haxhiu: Qeveria është duke punuar për ligjin e të pagjeturve

Image
Teuta Haxhiu

Teuta Haxhiu, deputete nga radhët e AAK-së, njëherit anëtare e Komisionit për të pagjeturit, për “Bota sot”, u shpreh që kjo temë është e rëndë për gjithë Kosovën e sidomos për familjarët dhe se qeveria ka pasur rezoluta, të cilat kanë qenë të formuara për të pagjeturit, mirëpo që ende nuk ka filluar të jetë temë në tryezën e Brukselit.

“Çështja e të pagjeturve është një problem që na preokupon të gjithëve, sepse në Kosovë janë mbi 1 mijë e 600 të pagjetur e që është e rëndë për të gjithë neve sidomos për familjarët. Konsideroj që asnjë nuk është ndërmjetësues në këtë rast, po flasim për presionet që do të duhej të bënte bashkësia ndërkombëtare sepse është çështje e ndjeshme e cila nuk ka pasur fuqi  të mjaftueshëm në këtë drejtim.

Edhe pse ne kemi pasur vazhdimisht shumë rezoluta të cilët kanë qenë për të pagjetur, për të biseduar më shumë në kohën kur ka filluar dialogu në Bruksel. Ne kemi insistuar që tema e të pagjeturve të jetë ndër temat kryesore në tryezën e Brukselit por njëherë nuk ka ndodhë kjo”, tha Haxhiu.

Më tej, Haxhiu tha që Qeveria është duke punuar për ligjin e të pagjeturve dhe se shumë shpejt do të kërkojmë që kjo temë të jetë kyçe në bisedime në Bruksel.

“Kjo Qeveri sinqerisht është preokupuar në kuptimin e rregullimit të ligjit dhe ndryshimin e ligjit i cili është duke u punuar nga Qeveria dhe shumë shpejtë do të jetë në Kuvend.

Dhe sa i përket temës të pagjeturve duhet të jetë një nga bisedimet në Bruksel dhe se e kemi kërkuar edhe me rezoluta vazhdimisht. Së fundi në vitin 2015 ku e kemi pasur edhe në Kuvend dhe që e obligojnë Qeverinë që të kenë temë në Bruksel mirëpo që nuk është trajtuar deri më tani”, përfundoi Haxhiu, për “Bota sot”.

Millaku: Turpi më i madh i të gjitha qeverive të pasluftës janë të pagjeturit

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku për “Bota sot” tha që në drejtim të temës për të pagjeturit nuk është marrë asgjë e sidomos në Bruksel nuk është prekur hiq.

“Sa i përket institucioneve për çështjen e të pagjeturve nuk është bërë asgjë hiq. Sa herë që iu kanë nevojitur në prag të zgjedhjeve i kanë shfrytëzuar, përndryshe asnjë hapë konkret nuk është bërë. Ndërsa, në Bruksel as që është prekur kjo temë, konsideroj se jo që janë marrë por as nuk ka qenë asnjëherë në agjendë dhe as që është diskutuar fare”, tha Millaku.

Pastaj, Millaku tha që derisa të gjenden trupat e pagjetur të luftës nuk do të ketë qetësi dhe rehati në Kosovë.

“Tema e të pagjeturve duhet të ishte një ndër pikat kryesore për të cilat as që është dashur të fillohen bisedimet pa pasur si pikë kryesore zbardhjen e të pagjeturve. Derisa të gjenden të gjithë trupat e pagjetur gjatë luftës nuk do të ketë qetësi dhe rehati në Kosovë.

Turpi më i madh i të gjitha qeverive të pasluftës janë të pagjeturit,të cilët gjatë 20 vjetëve kanë luajtur me ndjenjat e familjarëve të pagjeturve”, përfundoi Millaku, për “Bota sot”.

Shahu: Shteti duhet të angazhohet më fortë

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik, Rexhep Shahu, për “Bota sot” tha se nuk ka pasur përpjekje serioze për t`i gjetur të zhdukurit dhe se jemi përfaqësuar nga zyrtar jo serioz.

“Për dy dekadat e pas luftës, jo gjithmonë ka pasur përpjekje serioze për të gjetur të zhdukurit në kohën e luftës. Jo gjithmonë jemi përfaqësuar nga zyrtarë serioze pasi shpesh niveli i zyrtarëve militante partiake apo farefis komandantësh ka qenë skandaloz”, tha Shahu.

Tutje, Shahu thekson që më këtë çështje duhet të merren autoritetet shtëtërore të Kosovës e jo familjarët e të zhdukurëve:

“Edhe heshtja e qëllimshme e Serbisë apo shurdhëria e saj ka qenë pengesë serioze. Por, mendoj se kjo çështje duhet marrë shumë seriozisht nga autoritetet shtetërore të Kosovës dhe të mos mbetet si çështje në duar të familjarëve të të zhdukurve apo të shoqatave që duan fonde për këto pune. Shteti duhet të angazhohet me fort”, përfundoi Shahu, për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...