Vetëm dokumentet e Republikës së Kosovës të pranueshme për votim në zgjedhje - Bota Sot
Vetëm dokumentet e Republikës së Kosovës të pranueshme për votim në zgjedhje

Politika

Vetëm dokumentet e Republikës së Kosovës të pranueshme për votim në zgjedhje

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 shtator 2019 Në ora: 14:04
Foto ilustrim

Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (CIK) Stevan Veselinoviç ditë më parë ka braktisur mbledhjen e komisionit për shkak të vendimit që të gjitha dokumentet identifikuese të votuesve gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë duhet të jenë të lëshuara në Kosovë.

Por, se sa ka rrezik që të mos respektohet vendimi i KQZ-së, pas kundërshtimit të serbeve, analistet politik dhe ata juridik vlerësojnë se Ligji për zgjedhjet i njeh të gjitha llojet e identifikimit që janë nxjerr në Kosovë.

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk beson se ka rrezik që të bojkotohen zgjedhjet nga serbët e Kosovës, kjo për faktin se përfaqësuesit e tyre kanë dhënë deklarata që nënkuptojnë, se ata pranojnë shtetin dhe institucionet e Kosovës.

Image
Avni Zogiani

“Mund të bojkotohet nga partitë e Serbisë, por jo nga serbet në Kosovë. E këto parti në të vërtetë nuk do të duhej fare të merrnin pjesë në zgjedhje në një shtet tjetër. Ky është një fenomen i paprecedent në botën e demokracive që partitë e një shteti tjetër të garojnë në zgjedhje në një shtet tjetër”, ka thënë Avni Zogiani.

Rrustemi: KQZ duhet të njoftoj me kohë trupat e administrimit të zgjedhjeve nëpër komuna dhe qendra të votimit

Image
Adnan Rrustemi

Ndërsa, Adnan Rrustemi anëtarë i KQZ-së nga Vetëvendosje, ka thënë se udhëzimi që ka miratuar KQZ për dokumentet e vlefshme për identifikimin e votuesve në ditën e zgjedhjeve, është ajo çfarë përmban ligji për zgjedhjet si në përmbajtje edhe në frymë.

Sipas tij, KQZ vetëm ka qartësuar se cilat dokumente mund të përdoren për të votuar në ditën e zgjedhjeve, dhe cilat për të votuar nga jashtë Kosovës.

“Ky vendim është dashur të merret shumë kohë më parë edhe në procese zgjedhore të mëparshme, jo vetëm se qytetarët me të drejtë vote duhet ët votojnë vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës, por edhe të parandalojmë çfarëdo tendence për të keqpërdorur procesin zgjedhor, duke votuar me dokumente jo valide. Në këtë drejtim, KQZ duhet të njoftoj me kohë trupat e administrimit të zgjedhjeve nëpër komuna dhe qendra të votimit, me qëllim që procesi të garantohet dhe vullneti i votuesve të mos deformohet, sidomos në komunat me shumicë serbe, në të cilat nuk ka pasur zgjedhje të lira asnjëherë nga presioni i Listës Serbe mbi subjektet tjera të pakicës serbe”, ka thënë anëtar i KQZ-së nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

Kurse njohësi i çështjeve juridike profesor Riza Smaka ka thënë se politikat hegjemoniste të Serbisë nuk kanë të mbaruar.

Image
Riza Smaka

“Ato në mënyrë agresive e perfide veprojnë për të shkaktuar pengesa në rrjedhat e proceseve shoqërore në vendin tonë e në këtë rast në dëmin e procesit zgjedhor. Mbetet që kundër cilitdo, aksion malevolent obstruktiv të kundërveprohet me takt dhe prudencë sipas ligjit aplikativ, por gjithsesi vendosmërisht”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Riza Smaka.

Burjani: ligji aktual nuk ndalon dokumente të lëshuar edhe para vitit 1999

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani ka thënë se Ligji për zgjedhjet i njeh të gjitha llojet e identifikimit, dokumente që janë nxjerë në Kosovë.

Sipas tij, në fillim të punës gjithmonë ka pasur telashe për zgjedhje të kësaj natyre porse ligji aktual nuk ndalon dokumente të lëshuar edhe para vitit 1999.

“Thënë shkurt madje edhe letërnjoftim të refugjatëve, gjithçka ka pasur, madje edhe sot mbeten të njëjtat probleme, sepse praktikisht ligji për zgjedhjet nuk ka ndryshuar kurrë deri më tash. Por, serbet kthehen sërish në KQZ, sepse kjo është e garantuar që me të gjitha llojet e dokumenteve votohet në një shtet si në anarki pa reformë zgjedhore”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Krasniqi: Në asnjë vend nuk mund të votosh, nëse nuk ke dokument identifikimi nga ai shtet madje as në Serbi jo

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi, ka pohuar se ky është një vendim shumë i drejtë nga ana e KQZ-së, për faktin se nuk mund të votojnë serbët, nëse nuk kanë mjete identifikimi të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, Kosova është shtet dhe ka institucionet e saj, dhe nëse i tolerojmë serbet që të votojnë me dokumente identifikimi të Serbisë, shkelet Kushtetuta e Kosovës.

“Në asnjë vend nuk mund të votosh, nëse nuk ke dokument identifikimi nga ai shtet madje as në Serbi jo. E pse serbet të jenë të privilegjuar në këtë aspekt?! KQZ-ja është organ që i organizon zgjedhjet, dhe në asnjë qendër votimi në vendbanimet serbe nuk bën të lejohen serbet që të votojnë nëse nuk kanë dokumente identifikimi që janë lëshuar në Kosovë”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Mehmeti: Një vendim i tillë nga KQZ-ja, do të duhej të funksionoj deri në fund

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti, ka pohuar se ndonëse i vonuar, ky vendimi i KQZ-së është i duhur, pasi që të gjitha dokumentet gjatë zgjedhjeve të jenë të lëshuar nga Kosova.

Ai ka thënë se një vendim i tillë nga KQZ-ja, do të duhej të funksionoj deri në fund, për shkak të ndikimit të politikës, që edhe në këtë rast pritet që të jetë përkëdhelës ndaj serbeve.

“Pavendosmëria e institucioneve të Kosovës për ti mbrojtur vendimet e veta ka ndikuar që Serbia të gjitha vendimet t'i trajtoj jo me seriozitet, siç do të veproj edhe në këtë rast. Duhet kuptuar një gjë, se serbet sa më të ledhatuar do të jenë edhe më aq refuzues ndaj njohjes se institucioneve dhe shteti të Kosovës, andaj duhet vepruar dhe mbrojtur ligji. Ndryshe tregohemi jo serioz, duke u dhënë mundësi serbeve të tallen me ne, sa herë të duan”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Haziri: Vendimi i KQZ-është i drejtë dhe ligjor

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se është e drejtë e KQZ-së, që të kërkoj që gjatë procesit të votimit qytetarët të kenë dokumente valide të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, kjo nuk duhet parë si diçka që është kundër asnjë komunitetit, por është një vendim mbi bazën e ligjeve dhe të kushtetutës së Kosovës.

“Nuk do të duhej që kjo të paraqes kurrfarë rreziku, dhe se ky vendim duhet të zbatohet në plotësi, pa marrë parasysh se ndonjë përfaqësues i ndonjë komuniteti i ndikuar edhe nga jashtë do të kërcënonin me bojkotim të procesit. Vendimi i KQZ-është i drejtë dhe ligjor dhe si i tillë duhet të respektohet nga të gjithë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...