Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka deklaruar se roli i presidentit në marrëveshjen Kosovë-Serbi do të jetë ceremonial.
“Në momentin që Qeveria do të udhëhiqet nga unë, çështja e kufijve, e sovranitetit, absolutisht nuk do të arrij asnjë herë në tavolinën e Brukselit dhe në asnjë proces ku unë do të jem prezent. Presidenti do ta ketë vetëm një rol, dhe ai do të jetë roli në dekretimin final ceremonial të marrëveshjes e cila miratohet në parlamentin e Kosovës. Pra, nuk do të ketë rol tjetër, sepse Kushtetuta, nuk i përcakton rol tjetër”, ka thënë Osmani.
Lidhur më këtë deklaratë, analisti politik, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se pozicioni i presidentit varet nga koalicioni i ardhshëm qeverisës.
“Pozicioni i Thaçit varet nga koalicionet në të ardhmen, pra i tërë procesi varet pas zgjedhjeve. Thaçi është vështirë të përjashtohet nga dialogu sepse është i vetmi njeri deri tash që të gjitha opsionet i ka paraqit në tavolinë përderisa kandidatet tjerë kanë probleme të mëdha që të udhëheqin këtë dialog”, ka potencuar ai.
Gjithashtu, Burjani ka treguar se cili koalicion do të zgjidhë çështjen e dialogut.
“Gati s’ka njeri fare kredibiliteti për këtë temë, e as guxim, as LDK vetëm nuk mund të zgjidhe kurrë këtë problem. E nëse bëhet me VV, atëherë ky subjekt VV do të pengoj më shumë se sa do të zgjidhë këtë çështje, vetëm koalicioni LDK-PDK ka gjasa ta zgjidhë këtë temë”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.