Kadriaj flet për planin e Veselit për zyrtarët që dëmtojnë buxhetin

Politika

Kadriaj flet për planin e Veselit për zyrtarët që dëmtojnë buxhetin

Nga: G.B Më: 23 shtator 2019 Në ora: 23:40
Mustafë Kadriaj

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili është kandidat për kryeministër ka planin për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Ndër të tjera, ky plan parasheh që tash e tutje zyrtarët, të cilët me dashje apo pa dashje e dëmtojnë buxhetin e Kosovës, një pjesë të këtij dëmi ta paguajnë ata vet.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Mustafë Kadriaj, ka thënë se korrupsioni e ka dëmtuar Kosovën dhe si shoqëri është humbur besimi në institucione, andaj ai vlerëson se politikanët duhet të bashkohen dhe ta luftojnë korrupsionin.

“Duke qenë dëshmitar që korrupsioni si dukuri e ka dëmtuar Kosovën si shtet, njëherësh edhe si shoqëri duke humbur besimin në institucione dhe njëherësh është edhe shqetësim nga miqtë duke e penalizuar Kosovën në proceset drejt aderimit, me këtë vlerësoj qe liderët politik duhet t’i tejkalojnë ngjyrimet politike dhe të jenë aleancë për të luftuar korrupsionin. Jam i vetëdijshëm që të gjitha subjektet që kanë shijuar pushtetin si në nivel lokal dhe qendror, janë atakuar me dukurinë e korrupsionit por si qytetarë kemi nevojë në reflektim të politikës në raport me dukurinë e korrupsionit dhe në këtë rast duhet vlerësuar cilido lider që merr një hap të tillë sepse para subjektit politik është shteti dhe perspektiva e qytetarit”, është shprehur ai.

Sa i përket planit të Veselit për luftimin e korrupsionit, ai thotë se mbetet të shihet, ndërsa për dëmtimet ndaj buxhetit, ai thotë se dënimet duhet të jenë kapitale dhe mësim për secilin zyrtar.

“Se sa do të mund të jetëson lideri i PDK-së luftën e pakompromis ndaj korrupsionit mbetet të shihet ndërsa për verdiktin dhe nivelin e dënimit, mendoj që dënimet duhet të jenë kapitale që të jenë mësim për gjithsecilin zyrtar. Sa është për t’i besuar, vlerësoj që lideri i PDK-së nuk ka lejuar që të jenë në listë njerëz të akuzuar dhe duke larguar nga PDK-ja njerëz që ishin pjesë e aferës Pronto që këto veprime janë për tu admiruar por që normal edhe pse e kanë një kosto për liderin e PDK-së duke reflektuar në votë. Me këtë dua të theksoj që qytetari pret nga subjektet politike për një shtet ligjor dhe të barabartë para ligjit, krijimin e ambientit ligjor dhe infrastrukturor duke reflektuar në investime të cilat do të ndikonin në zhvillim ekonomik dhe ulje të papunësisë e cila do të reflektonte në mirëqenie të qytetarit”, ka deklaruar Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat