Geci e Lushtaku vërtetuan Rugovën për UÇK-në: Presidenti shqetësohej se njerëzit e Millosheviqit do të marrin në dorë Kosovën

Politika

Geci e Lushtaku vërtetuan Rugovën për UÇK-në: Presidenti shqetësohej se njerëzit e Millosheviqit do të marrin në dorë Kosovën

Nga: Armira Shaqiri Më: 26 shtator 2019 Në ora: 15:19
Gani Geci dhe Sami Lushtaku

Ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe dy nga figurat që themeluan UÇK-në, Gani Geci e Sami Lushtaku kanë konfirmuar se Shërbimi Informativ i Serbisë ka infiltruar njerëz në UÇK, madje deri edhe në Shtab të Përgjithshëm.

Sami Lushtaku ka treguar se Shërbimi Informativ i Serbisë ka infiltruar njerëz në UÇK.

“Shërbimi Informativ i Serbisë ka qenë shumë i fortë dhe ka fut njerëz të vet në UÇK”, ka thënë Lushtaku.

“Ka pasur njerëz të Serbisë të infiltruar direkt në UÇK”, është shprehur ish-deputeti.

Derisa Gani Geci tha se të tillë kishte edhe në Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së. “… Madje edhe në Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së”, konfirmoi Geci. “Absolut po”, vulosi Lushtaku.

Bytyçi: Ky është një fenomen që ka lind që kur ka lindur shteti

Profesori Enver Bytyqi ka thënë për “Bota sot” se, jo vetëm Sami Lushtaku dhe Gani Geci, por me zë e nën zë shumica e qytetarëve të Kosovës sot besojnë se në UÇK dhe sidomos strukturat e larta të saj ka pasur disa të infiltruar nga shërbimi sekret i Beogradit. Logjikisht dhe praktikisht kjo ndodh në çdo lëvizje politike dhe çlirimtare që ndodh në botë.

Image
Profesori Enver Bytyqi

“Armiku infiltron spiunë te pala kundërshtare. Ky është një fenomen që ka lind që kur ka lindur shteti. Në këtë kuptim unë nuk surprizohem, madje e quaj normale që Serbia të infiltronte njerëzit e saj spiunë në UÇK e strukturat e larta të saj. Ibrahim Rugova e ka theksuar këtë fakt. E ndërkohë kundërshtarët e tij edhe sot e keqpërdorin pohimin e Rugovës si “armiqësi e tij me UÇK-në”. Por ai u deklarua aso kohe, sepse ishte i shqetësuar. Ishte i shqetësuar jo pse në UÇK kishte njerëz të Millosheviçit, por se këta njerëz do të përpiqeshin të merrnin në dorë fatet e Kosovës dhe fati i Kosovës në duart e njerëzve të shërbimit sekret serb do të thoshte rikthim nën sovranitetin e Serbisë, ose copëtim i territoreve të Kosovës”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, Ibrahim Rugova e njihte strukturën e shërbimit antishqiptar të Serbisë.

“I njihte disa bashkëpunëtor prominent të këtij shërbimi në Kosovë. Dhe kishte frikë se mund të vijmë deri te një kohë, kur ligjin në Kosovë ta bënin pikërisht këta spiunë, tashmë në emër ”të kontributeve” në UÇK. “Tradhtarët e infiltruar prej Millosheviçit e akuzuan presidentin historik, personalitetin më të madh të të gjitha kohëve shqiptar, Ibrahim Rugovën si tradhtar. Madje këto shërbëtorë të Beogradit i bënë atij atentat dhe likuiduan jo pak bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, atdhetarë! Kujt mund t’i bënte keq p.sh Xhejmal Mustafa?! Unë e kam njohur personalisht. E them me bindje të plotë, se ai nuk i bënte keq as edhe një mize. Atëherë pse e vranë?! Sepse këta spiunë e tradhtarë, të cilët i thonin Rugovës “tradhtar”, donin ta vrisnin Kosovën. Sa kohë ishte Ibrahim Rugova nuk mundën t’i shkojnë deri në fund shërbimit ndaj Serbisë. Tani e shohim se sa të dëmshëm janë bërë ata”, thotë Bytyqi.

Ai me tej vazhdon, çudia është se këta të infiltruar në strukturat e larta të UÇK-së erdhën në pushtet, e uzurpuan atë, plaçkitën Kosovën, e përdhunuan lirinë dhe pavarësinë e saj dhe u bënë kërcënim serioz për shtetin dhe sovranitetin e Kosovës.

“Sami Lushtaku dhe Gani Geci kanë fakte, i njohin emrat e të infiltruar në UÇK nga ana e Serbisë. Por tashmë ata i njeh edhe opinioni publik. Dolën sheshit në rastin e përpjekjeve të përbashkëta me Serbinë për ndarjen e vendit. Ata kanë emër e mbiemër dhe janë aq të fuqishëm, sa guxojnë të përballen me gjithë patriotët e vërtetë shqiptarë e madje me ndërkombëtarët për ta realizuar ëndrrën e Serbisë së Madhe. Kosova i njeh ata. I ka parë dhe ndjek çdo ditë. Këta spinë e tradhtarë kanë shtënë në dorë pasuri të pamatë. Kanë krijuar monopole dhe imponojnë jo vetëm jetën politike, por edhe çmimet, marrëveshjet tregtare me Serbinë, gjithçka në interes të Beogradit. Edhe nëse Lushtaku e Geci nuk i publikojnë emrat e spiunëve serbë në strukturat e larta të UÇK-së, ata i shohim në ekranet televizive, madje me shkop tregues në dorë, duke shpjeguar se si duan ta vizatojnë një hartë të re të shtetit të Kosovës në së paku 400 km kufi tokësor me Serbinë e në favor të Serbisë”, përfundoi Bytyçi.

Loshi dyshon në deklaratat e Gecit dhe Lushtakut

Ish-mjeku i UÇK-së dhe publicisti, Liri Loshi për “Bota sot” ka thënë se, është e pamundur që të ndodh një luftë kudo në botë dhe që armiku të mos arrijë të infiltrojë njerëz të vet brenda palës së kundërt e sidomos kur armiku është më i fortë ushtarakisht dhe materialisht.

Ai ka thënë se, Sami Lushtaku flet nga përvoja dhe perspektiva e vet, por kjo deklaratë e tij më shumë i ngjan një observimi politik se sa një fakti material.

Image
Liri Loshi

“Nëse Sami Lushtaku, si komandant i Zonës Operative të Drenicës beson se vrasjet e shqiptarëve që sot i përshkruhen UÇK-së, kanë ndodhur nga njerëzit e infiltruar të Serbisë, atëherë logjikisht nga ai pritet që në mbështetje të këtij pohimi të ketë fakte dhe dëshmi”.

“Nëse ai nuk është në gjendje t’i prodhojë ato, atëherë kjo mund të konsiderohet si deklaratë politike që ndihmon subjektin e tij politik për t’u çliruar nga një hipotekë shumë e rëndë, siç është eliminimi i kundërshtarëve politikë për ta marrë pushtetin. Por, në esencë, një deklaratë e tillë, në vend që të hedh dritë mbi të vërtetën për fenomenin e vrasjeve politike, e mjegullon atë edhe më shumë”, thekson Loshi.

Tutje thotë se, “duke e njohur personalisht Sami Lushtakun, unë besoj në sinqeritetin e tij dhe e kuptoj se ai vetë, duke u ndier tërësisht i painvolvuar në vrasje të tilla, nuk mund të besojë se dikush nga drejtuesit e UÇK-së mund të ketë shkuar aq larg sa të ketë urdhëruar vrasjen e kundërshtarëve politikë. Sidoqoftë, të dytë këta, edhe zoti Lushtaku edhe zoti Geci e thonë një gjë që në e degjojmë për herë të parë dhe mendoj se ky është lajmi pas së cilit duhet shkuar mediat dhe hetuesia. Ata thonë se të gjithë familjarët e njerëzve të vrarë (pra edhe të atyre që konsiderohen si vrasje politike), e dinë pak a shumë se kush i ka vrarë!”

Më tej vazhdon, “unë i ftoj të dytë që nëse duan të ndodh zbardhja e vrasjeve, për çka të dytë u zotuan se duan, të bashkëpunojnë sinqerisht me drejtësinë, duke i dhënë faktet që ata dinë, përfshirë këtu edhe emrat e familjarëve të viktimave të vrasjeve politike që janë në dijeni se kush i ka vrarë të dashurit e tyre, në mënyrë që ata të ndihmojnë si dëshmitarë”.

“Ajo çfarë nuk duhet të bëjë asnjëri nga ne është që në mungesë të fakteve të mos spekulojmë me këtë temë të ndjeshme duke hedhur dyshimin si topin e rrumbullakët, herë në një anë, herë në tjetrën anë. Pa pasur informacione të besueshme, përgjegjësinë për vrasjet politike nuk duhet t’ia hedhim as Serbisë, përkatësisht shërbimeve të saj. Nëse shërbimet informative të Serbisë kishin depërtuar aq thellë në hierarkinë e UÇK-së, pra deri në shtab të përgjithshëm, si është e mundur që këto vrasje që dyshohen si vrasje te motivit politik, kishin të bënin kryesisht me aktivistë të LDK-së?! A do të thotë kjo se në shënjestër të Serbisë ishin njerëzit e politikës paqësore të Rugovës dhe jo drejtuesit e UÇK-së?! Kjo për mua është absurd”, thotë Loshi.

“Sami Lushtaku e tha vetë se në Drenicë në mënyra të tilla të dyshimta nuk është dëmtuar asnjë ushtar dhe mund të them se nga njohuritë e mia për luftën në të njëjtën zonë, ky pohim i tij është i saktë. Pra, në mesin tonë nuk paska pasur infiltrime nga shërbimi serb, ose të paktën nuk ka pasur në atë masë sa ta dëmtonin luftën tonë dhe njerëzit tanë. Për zonat tjera të luftës le të flasin komandantët tjerë dhe le të flasin me fakte dhe pa spekulime politike”.

Sipas tij, deklaratat e tilla për infiltrimin e shërbimit serb në UÇK, duken shfajësuese për njërën palë (krahun e luftës), dhe qetësuese për palën tjetër (familjarët e viktimave), por përderisa nuk kanë bazë në fakte materiale, janë deklarata komprometuese për UÇK-në dhe e dëmtojnë keq rolin e saj të mbrojtjes dhe të çlirimit nga Serbia.

“Unë mendoj se Serbia nuk ka arritur asnjëherë që përmes njerëzve të saj të futur brenda formacioneve tona të ketë ndonjë ndikim real e kurrsesi që ta kontrollojë çfarëdo segmenti të UÇK-së. Po të kishte ndodhur një gjë e tillë, UÇK do të ishte shpartalluar dhe luftën do ta fitonte Serbia dhe jo ne. Është pikërisht morali i lartë, por edhe vigjilenca ndaj subverzioneve të mundshme serbe që e ka mbajtur në këmbë UÇK-në, madje edhe në momentet më të rënda, kur në beteja kemi pësuar disfatë dhe kemi humbur luftëtarët tanë më të zotë si Adem Jasharin, Fehm Lladrovcin, Abedin Rexhën, Mujë Krasniqin, Shkëlzen e Luan Haradinajn etj.”.

“Sa i përket qëndrimeve të Ibrahim Rugovës për UÇK-në, ato kanë qenë kryesisht deklarata jo serioze ose të dëmshme politikisht. Masivizimi i vrullshëm i UÇK-së pas masakres në Prekaz, ku u vra edhe komandanti Adem Jashari, dhe faktorizimi i UÇK-së po edhe i trashëgimisë së saj politike që nga Konferenca e Rambujesë e deri më sot, i kanë demantuar më së miri deklaratat politikisht të papërgjegjshme të Ibrahim Rugovës së UCK mund të ketë qenë në shërbim të Serbisë. UÇK ishte organizim patriotik shqiptar që pati rolin kryesor në çlirimin dhe pavarësimin e vendit nga Serbia. Këtë e ka dëshmuar lufta jonë dhe këtë do ta dëshmojë historia perjtetësisht”, përfundoi Loshi.

Haziri: Infiltrimi ka paraqitur rrezik për UÇK-në dhe Kosovën

Analisti Nexhat Haziri në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se, është shumë reale infiltrimet e shërbimit serb në strukturat e UÇK-së, pra në zonat siç janë ndarë, por të thuash se janë infiltruar edhe në hierarkinë më të lartë, si Shtabi i përgjithshëm, dhe mos të dihen se kush ishin ata që e bënin "punën e dreqit", “e them këtë përshkak se SHPUÇK-së, nuk ka qenë një organ i përbërë nga shumë njerëz”.

Image
Nexhat Haziri

“Natyrisht se ky infiltrim ka paraqitur rrezik për UÇK-në por edhe për gjithë procesin e çlirimit të Kosovës. Mirëpo tani pas më shumë se 20 viteve, të thuhet se në SHPUÇK, ka qenë e infiltruar nga njerëzit e shërbimit serb, tingëllon paksa ironike, për faktin se për gjithë këtë kohë sa dëmin kanë mundur ta bëjnë njerëzit e shërbimit serb”, ka thënë Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat