Për kënd të votojmë, kujt t’i besojmë?

Politika

Për kënd të votojmë, kujt t’i besojmë?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 27 shtator 2019 Në ora: 15:00
Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Vjosa Osmani, Kadri Veseli dhe Fatmir Limaj

Edhe pak ditë na ndajnë nga etapa para dhe pas zgjedhjeve të parakohshme të Republikës së Kosovës.

Qytetarët e Kosovës, ndoshta përherë të parë, mund të vendosin për fatin e Kosovës.

E di, po bëhet shumë propagandë, si nga njëra ashtu edhe nga partitë tjera, se kush duhet të fitojë kësaj radhe. Por, mos të harrojmë se me partitë politike të cilat po thuajse kanë qeverisur me Kosovën e kanë luajtur, hajgare me popullin duke e gënjyer, është e pamundur të besohet se do të bëjnë ndryshime.

Për vite me radhë, populli i Kosovës u gënjye madje deri në ekstrem, kur iu premtua lëvizja e lirë në BE, kur iu premtuan mbi 200 mijë vende të punës, e në të njëjtë kohë mbylleshin asetet shtetërore duke i privatizuar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Populli i Kosovës, u gënjye, u mashtrua, e në kuadër të kësaj edhe u varfërua deri në skajshmëri. Kosova si asnjëherë më parë duhet që në këto zgjedhje të vendos për më të mirët. Edhe pse, do të jetë mjaftë vështirë, kur dihet se nga këto parti që po synojnë fitoren vetëm Lëvizja Vetëvendosje është më ndryshe prej tyre.

Lëvizja Vetëvendosje, ndoshta nuk është më e mira, por në krahasim me partitë tjera, duke e parë se si kanë qeverisur mund të jetë “super” e mirë. Kjo për faktin se, ne ende nuk e kemi provuar një qeverisje prej Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes. Andaj, edhe nuk mund të mos shpresojmë që do të bëjë diçka më ndryshe në qeverinë e tyre.

Partia Demokratike e Kosovës, edhe pse në këtë fushatë po premton vepra të mëdha, se do të luftoj krimin e organizuar dhe korrupsionin, nuk ka shpresë që një gjë e tillë do të ndodhë. Pse? Ka shumë arsye, kjo është njëra prej partive që është pasuruar aq shumë e dyshimet e kësaj pasurie të drejtojnë në krim e korrupsion. Shumë të dyshuar për krim e korrupsion ishin nga kjo parti, ose me urdhër të kësaj partie janë punësuar shumica e atyre që tashmë janë në procese të hetimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për krim e korrupsion, për nepotizm e zhvatje të parasë publike. Këtu është problemi që kjo parti nuk mundet të luftoj personalitetet që i ka punësuar vet, sepse kjo do të kishte pasoja të mëdha për vet partinë dhe personalitetet udhëheqëse të PDK-së.

Përveç PDK-së, kemi edhe LDK-në që ka qeverisë bashkë me PDK-në, dhe nuk mund të jetë as kjo parti e paprekshme nga krimi e korrupsioni, sado që mundohet të duket parti akademike, apo evropiane. Normalisht që, ka dallime substanciale prej PDK-së, por dëmi që u shkaktua në Kosovë, nuk është i gjithi i PDK-së, pasi kjo parti ka qeverisë me Kosovën bashkë me PDK-në, ashtu siç ka qeverisur edhe AAK-ja, e cila nuk ia lëshon rrugën PDK-së, sidomos me këtë qeverisjen e fundit të Ramush Haradinajt.

Në gjithë këtë katrahurë, është e përfshirë edhe Nisma Socialdemokrate, ku lideri i saj është akuzuar për keqpërdorimin e miliona eurove. Megjithatë, secila parti duhet paguar për dëmet e saj, e normalisht që PDK-ja dhe AAK-ja e përcjellur me Nismën janë lider në dukurinë e krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizmit e zhvatjes së parasë publike.

LDK-ja përballë këtyre tri partive është shumë e pastër, por përballë dukurive negative nuk mund të amnistohet, sepse janë përgjegjëse për shumë çka.

Andaj, në Kosovë të gjithë e dimë se Lëvizja Vetëvendosje prapë nuk mund të qeverisë e vetme pa ndonjërën prej këtyre partive, e më afër prej të gjithave është LDK-ja. Megjithatë, edhe po të dal LVV-ja e para, ka mundësi që Qeverinë nuk mund ta udhëheq, duke e pa se LDK-ja është e interesime për postin e kryeministrit, e për të arritur këtë post ose duhet të dal e para në zgjedhje, ose do të bëjë koalicion me PDK-në e Nismë, dhe në këtë mënyrë AAK-ja së bashku me LVV-në, do të dalin në opozitë.

Të paktën këto janë disa opsione jozyrtare por të pritshme që pas zgjedhjeve në Kosovë do të realizohen. Kështu madje sipas burimeve brenda disa zyrtarëve të LDK-së, edhe mund të ndodh një koalicion pas zgjedhor me PDK-në e Nismën. Megjithatë qëllimi kryesor i këtij koalicioni do të jetë arritja e një marrëveshje me Serbinë, e pas kësaj do të ndahen rrugët e partive qeverisëse, pasi Kosova shpejt do të shkoj përsëri në zgjedhje, e atëherë gjasat e mëdha janë për Albinin kryeministër.

Pas gjithë kësaj, koalicioni pas zgjedhor do të jetë një lojë e madhe mes partive politike, pikërisht për shkak të marrëveshjes e cila duhet të arrihet me Serbinë.

E dhimbshme apo jo, Kosova edhe me Qeverinë e re nuk do të pret shumë në zhvillimin ekonomik, në përmirësimin e gjendjes në shëndetësi e arsim, në liberalizim të vizave për qytetarët, pasi marrëveshja kryesore do të jetë ajo me Serbinë, siç ishte Demarkacioni me Malin e Zi për qeverinë Haradinaj.

Shpresojmë që një marrëveshje e tillë të ndodh sa më herët, që do të ishte aq më mirë për Kosovën, pas Qeveria e re do të jetojë deri në nënshkrimin e marrëveshjes në Bruksel me Serbinë.

Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, sado që mund të ketë program dhe elektorat, apo vota në këto zgjedhje, opsioni real është të dal në opozitë deri në zgjedhjet e ardhshme, e atëherë luftimi i krimit dhe korrupsionit do të jetë i pashmangshëm.

Pra, lexues të nderuar, sado që nuk mundemi të pajtohemi me koalicionet dhe tradhtitë elektorale nga partitë politike, koalicioni pas zgjedhor do të jetë koalicioni që do të arrijë marrëveshjen me Serbinë, cila do të sillte paqe e stabilitet në rajon, e sidomos për shqiptarët, edhe pse një marrëveshje e tillë tashmë është paralajmëruar se do të jetë mjaft e hidhur për palën shqiptare.

Andaj, për kënd të votojmë dhe kujt t’i besojmë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat