Flasin nga partia e Milaim Zekës për gazetën “Bota sot”: Japin detajet se si po pritet partia e tyre në terren, ja për çfarë janë të befasuar

Politika

Flasin nga partia e Milaim Zekës për gazetën “Bota sot”: Japin detajet se si po pritet partia e tyre në terren, ja për çfarë janë të befasuar

Nga: N.H Më: 28 shtator 2019 Në ora: 21:53
PEK

Kemi hyrë në ditën e katërt të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, dhe partitë politike tashmë kanë filluar aktivitet e tyre nëpër terren. Nga partia e cila synon të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve, thonë se është e befasueshme se si po pritet fushata e tyre nga qytetarët.

Sekretari organizativ i PEK-ut, Hysen Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se pjesa e popullatës e cila ka humbur të gjitha shpresat, po i mirëpret dhe ka guxim të deklarohet hapur pro subjektit të tyre.

Image
Hysen Gecaj

“Është befasi mënyra se si pritet fushata e PEK. Ajo pjesë e popullatës e cila ka humbur të gjitha shpresat, na mirëpret dhe ka guxim të deklarohet hapur pro PEK, ndërsa një pjesë e qytetarëve të cilët janë ose kanë dikë të punësuar në institucione, simpatinë e tyre e shprehin fshehtazi”, ka thënë Gecaj.

Tutje, Gecaj ka shtuar se një parti e re e cila sipas Komisionit Qendror Zgjedhor nuk ka të drejt të ketë komisioner në vendvotime flet për monopolin që është instaluar.

“Kjo tregon se sistemi kriminal dhe i korruptuar i subjekteve të deritanishme politike kanë instaluar sistem shantazhi dhe kërcënimi ndaj qytetarëve të Kosovës. Vetë fakti që një subjekt i ri politik sipas KQZ nuk ka të drejt të ketë komisioner në vendvotime flet për monopolin që kanë instaluar partitë politike të cilat u themeluan para dhe menjëherë pas lufte”, ka përfunduar sekretari organizativ i PEK-ut, Hysen Gecaj.

Kujtojmë se komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 25 subjekte politike të cilat hyjnë në garën zgjedhore për të siguruar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha këtyre subjekteve politike, në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1070 kandidatë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat