Nga një parti në tjetrën, aderimet e pa-dinjitetshme në kohë fushatash

Politika

Nga një parti në tjetrën, aderimet e pa-dinjitetshme në kohë fushatash

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 29 shtator 2019 Në ora: 11:09
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ndërrimi i partive politike, nuk është ndonjë në risi, po të hyjmë në retrospektivë. Kujtojmë vite më parë, kur u nda Lidhja Demokratike e Kosovës. Një pjesë e të pakënaqurve, krijuan një parti tjetër që, asokohe udhëhiqej nga akademik Nexhat Daci. Nuk zgjati shumë dhe kjo parti u shua. Pastaj ata që mbetën, u rikthyen prapë në LDK.

Së fundmi, në legjislaturën e fundit, kishte shumë deputet të cilët kaluan nga një parti në tjetrën. Por, më e çuditshmja, është se kishte deputet të cilët për arsyet të cilët i dinë ata/ato – u rikthyen në partinë që e braktisën.

Fjala vjen, kemi rastin e Donika Kadaj Bujupit, e cila ishte në AAK e pastaj doli në Vetëvendosje, mandej prapë u kthye në AAK.

Është edhe Shpejtim Bulliqi që, ishte në LDK, e doli në Vetëvendosje.

Pa harruar edhe Mimoza Kusarin, e cila filloi me AKR-në, vazhdoi në grupin parlamentar të LDK-së, tash së fundmi hyri në grupin parlamentar të Vetëvendosjes.

Meqë jemi tek Vetëvendosje, duhet përmendur faktin që, shumë pjesëtarë të kësaj partie, dikur ishin pjesë e PDK-së.

Mos të harrojmë pa përmend dhe biznesmenin Ramiz Kelmendi, i cili karrierën politike e filloi me AAK, vazhdoi në PDK, kaloi në LDK. Figurativisht ka dhanë dorëheqje nga partitë, por në anën tjetër, publikisht, nuk rresht së përkrahuri PDK-në.

Loshi: Sa fytyra i ka Ramiz Kelmendi?

Një reagim rreth kësaj, e pati edhe publicisti Liri Loshi, i cili deklaroi se Ramiz Kelmendi, nuk deshi të kandidoj për deputet por në anën tjetër po lobon për votat e PDK-së.

Image
Liri Loshi

Sa fytyra i ka ky njeri? – pyet Loshi.

“Mos e lëshoni Ramiz Këlmendin!!! Nuk donë me qenë në listë për deputet se s’ka dashur të ndikojë në simpatizantët e vet, por tash lobon për votat e PDK-së. Sa fytyra i ka ky njeri?! Ky luan me vullnetin e punëtorëve të vet duke i trajtuar ata si skllevër e jo si njerëz me integritet dhe me vullnet natyral”, deklaroi ai.

Sipas Loshit, ky veprim i Ramiz Kelmendit, nuk i bën nder kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“Kadri Veseli, kjo të qet ty goxha poshtë, a?! Kadri, sinqerisht gati ke qenë duke më bindur se ishe një burrë me dinjitet!!!”, ka shtuar ai.

Fenomeni i ndërrimit të partive nuk po shihet mirë në sytë e opinionit, veçmas edhe të personave që sapo kanë aderuar në parti politike.

Besa Luzha, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se s’është anëtare e AAK-së dhe as e PSD-së, por po garon në listën e këtij koalicioni.

Image
Besa Luzha

“Unë nuk jam ende anëtare as e AAK e as e PSD, por po garoj në listën e koalicionit, e sigurisht si deputete do të jem pjesë e këtij grupi parlamentar të përbërë nga 2 subjektet. E pastaj do të vazhdoj angazhimin tim politik në kuadër të njërit prej tyre. Sa i përket ndërrimit të partive, në parim, secili është i lirë të vendosë ku dhe si organizohet, angazhohet. Ka diçka që e lidhë njeriun për një subjekt. Vlerat, parimet , qëllimet ose interesi i caktuar personal. Ndonjë prej këtyre e shtyn për t`u bashkuar dhe për tu larguar. Vetëm ndërrimet për interesa personale nuk i arsyetoj”, tha ajo.

Paçarrizi: Kalimet në kohë fushatash janë të pa dinjitetshme

Edhe Profesori universitar, Rrahman Paçarizi, është deklaruar për “Bota sot” rreth këtij fenomeni.

Ai, thotë se aderimet në parti janë krejtësisht normale dhe se – siç tha ai – aktivizimi qytetar dhe politik është i nevojshëm.

Image
Rrahman Paçarizi

Por, sipas tij, kalimi nga një parti në tjetrën, veçmas në kohë fushatash është e pa dinjitetshme dhe bëhet fjalë për persona të cilët nuk duan të japin por të marrin.

“Aderimet në parti politike janë krejt normale dhe sipas bindjes sime aktivizimi politik dhe qytetar janë të dobishëm. Mirëpo, kalimet e sidomos kalimet e shumëfishta nga një parti në tjetrën, posaçërisht në kohë fushatash janë të pa dinjitetshme dhe flasim për persona që nuk duan të japin por të marrin”, tha Paçarizi.

Ai, shtoi se mund të ketë kalime nga një parti në tjetrën për shkaqe parimore por kjo nuk duhej të ndodhte në kohë fushatash.

“Mund të ketë raste kur kalimet bëhen edhe për parime, por ato ndodhin zakonisht jo në kohë fushatash”, deklaroi ai.

Krasniqi: Njerëz të pa-kurrizor

Image
Faik Krasniqi

I ashpër me këtë dukuri është edhe njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi, i cili, këtë veprim e quajti “prostitucion” politik.

Ai, për “Bota sot”, tha se tek ne është bërë diçka e zakonshme ndërrimi i partive, duke kërcyer sa në njërën parti dhe sa në tjetrën.

“Prostitucion politik. Kjo tregon se sa serioze është skena politike në Kosovë, njerëz që për interesa personale ndërrojnë më shpesh partitë se këmishat. Aty ku është interesi shkojnë edhe ata. Sikur të mos mjaftonte kjo, kur kalojnë tek x partia nuk lënë gjë të zezë pa thënë për partinë ku kanë qenë. Pas disa viteve rikthehen prapë në partinë e vjetër, dhe shajnë partinë ku ishte për një kohë. Njerëz të pa-kurrizor” tha ai.

Megjithatë, sipas tij, nuk është vetëm faji i tyre, është faji edhe i partive që pranojnë njerëz të tillë.

“Injorojnë njerëz me vlera, kurse pranojnë në gjirin e tyre këta të pafytyrë. Këta njerëz janë njerëz të duhur për këtë skenë politike. Njerëzit e drejtë dhe të sinqertë nuk e kanë vendin në këtë skenë politike”, përfundoi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat