Pazaret e “Klanit Pronto”, rrezikojnë përmbysjen e vullnetit qytetarë

Politika

Pazaret e “Klanit Pronto”, rrezikojnë përmbysjen e vullnetit qytetarë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 tetor 2019 Në ora: 14:31
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kalimi i pragut nga Nisma Socialdemokrate dhe AKR-ja mund të prishë matematikat në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi që nuk do të jenë më komod me numrat që i kanë. Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike, ku sipas tyre, një radhitje opozitare do të krijojë më shumë numra në opozitë se në pozitë, marrë parasysh PDK-në, AAK-në, AKR-Nisma, Lista serbe por dhe minoritetet tjera që janë në parlament më lehtë do bashkëpunonin me këto parti se me LVV e LDK-në.

Kadriu: Kalimi i pragut nga Nisma dhe AKR-ja do të prishë matematikat në mes të VV dhe LDK-së

Image
Kushtrim Kadriu

Analisti politik Kushtrim Kadriu, ka thënë se, kalimi i pragut nga Nisma dhe AKR-ja do të prishë matematikat në mes të VV dhe LDK-së pasi që nuk do të jenë në komod me numrat që i kanë.

Sipas tij, një radhitje opozitare do të krijojë më shumë numra në opozitë se në pozitë, marrë parasysh PDK-në, AAK-në, AKR-Nisma, Lista serbe por dhe minoritetet tjera që janë në parlament, më lehtë do bashkëpunonin me këto parti se me LVV e LDK-në.

“Minoritetet më shumë përfaqësim do të marrin me këta të dytit që krijuan shumë ministri se me këta të VV e LDK, që po zvogëlojnë ministritë. Prandaj hyrja e partive të reja në Kuvend do të mundë ta qonte vendin ne zgjedhje të reja apo kriza të reja institucional”, ka thënë analisti politik Kushtrim Kadriu.

Mushkolaj: Situata e re nuk do të duhej ta rrezikonte koalicionin VV dhe LDK

Image
Imer Mushkolaj

Ndryshe, analisti politik Imer Mushkolaj, ka thënë se situata e re, nuk do të duhej ta rrezikonte koalicionin VV dhe LDK.

“Nuk ka asnjë arsye të rëndësishme që këto parti të mos merren vesh. Qytetarët kanë votuar që opozita ta krijojë qeverinë dhe kjo duhet të ndodh. Çdo përpjekje për përmbysjen e vullnetit qytetar është e rrezikshme”, ka thënë analisti politik Imer Mushkolaj.

Shahu: Koalicioni VV dhe LDK nuk do të rrezikohet, por mund të rritet presioni ndaj dyshes

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se koalicioni Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk do të rrezikohet, por mund të rritet presioni ndaj dyshes.

“Nuk dua të besoj se rrezikohet koalicioni pavarësisht Nismas apo tjetër çfarë. Dua ta besoj se koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, është alarmi i kohës, nevojë e kohës, nevojë e Kosovës, nevojë alarmante për optimizmin e rininë e Vetëvendosjes, për dhe përvojën e urtësinë e LDK-së. Mund të ndodhin pazare politike imorale sa të duash, por Kosova nuk ka nevojë për një shumicë numrash, ajo ka nevojë për frymë të re, për të këputë prangat e zhvatësve e gllabëruesve. Por, dyshoj që presioni ndaj koalicionit LDK-VV do të rritet”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Mehmeti: NISMA do të provojë që bashkë me AAK-në të bindin LDK-në që mos të bëjë koalicion me VV

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka pohuar se PDK ka bërë çdo gjë që përmes Thaçit që të bëjnë skenarin që NISMA të kalojë pragun.

Sipas tij, Nisma Socialdemokrate do të provojë që bashkë me AAK të bindin LDK-në që mos të bëjë koalicion me VV, por me ta me kusht që LDK të ketë kryeministrin, kështu duke u munduar që të mbajnë ende në pushtet kapjen e shtetit, pasi janë njerëzit nga Nisma Socialdemokrate që janë brumi i Hashim Thaçit.

“Nisma Socialdemokrate edhe nëse këtë skenar nuk mundet të realizojë do të mundohet në koalicionin LDK-VV për të marr hise, kështu që do i shpërblej edhe njerëzit e PDK-së me tenderë, për mos t'i lënë pa asgjë. E gjithë kjo është skenari i Hashimit, që si shpërblim po i jep Fatmirit ulëse në Kuvend, pasi e kishte detyruar të largohet, ku dihet mirë që ai nuk e kishte lejuar Fatmirin të bëhet kryetar i PDK-së, por Kadri Veselin. Kështu që politika tek ne është krejt intriga, shantazhe dhe favore e kundër favore. Nisma edhe nëse kalon pragun nuk duhet lejuar të futet në qeveri, pasi si parti klientelsite vetëm sa ka dëmtuar vendin dhe imazhin e saj”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Haziri: Nuk shoh ndonjë rrezik rreth koalicionit VV dhe LDK

Image
Nexhat Haziri

Ndërkaq, opinionisti Nexhat Haziri, thotë se nuk sheh ndonjë rrezik rreth koalicionit VV dhe LDK.

“Nuk shohë rrezikim të koalicionit eventual në mes LVV-së dhe LDK-së, nëse NISMA arrin ta kaloj pragun, pasi këto dy parti politike kanë shumicën shqiptare dhe së bashku me pakicat e tjera jo serbe të përfaqësuara në kuvend, arrijnë një shumicë solide parlamentare, që do të ju garanton qeverisje komode. Pra, asgjë nuk varet nga ajo nëse NISMA e kalon pragun apo jo e as nga Lista serbe, gjë që bën që LVV dhe LDK-ja ti vazhdojnë sigurt bisedimet tyre për formimin e qeverisë dhe përafrimin e programeve të tyre në një të vetëm, që do ti adresojë sfidat e shumta që ka vendi, por edhe për përmirësimin e pasojave që ka lënë një qeverisje banditeske siç ishte ajo e koalicionit PAN. Kjo mbase do të kërkojë kohë dhe përkushtim nga qeveria e re”, ka thënë opinionisti Nexhat Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat